INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË BËHET PJESË E RRJETIT EVROPIAN TË SHËRBIMEVE TË INSPEKTIMIT TË DREJTËSISË

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është tashmë zyrtarisht pjesë e Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë, me statusin e vëzhguesit.

Vendimi është marrë në mënyrë unanime në mbledhjen e datës 10 dhjetor 2021 të këtij Rrjeti, i konceptuar për të patur në përbërje, vetëm shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

Bashkëpunimi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë nisi konkretisht në muajin Nëntor të këtij viti, me një vizitë zyrtare të tre përfaqësuesve të tij, nga Inspektoratet e Drejtësisë të Rumanisë, Portugalisë e Francës, mbështetur nga projekti i Këshillit të Evropës SEJ III dhe paralelisht një trajnim dy ditor ku inspektorë magjistratë nga Franca, Italia e Rumania, u paraqitën inspektorëve dhe ndihmës inspektorëve të ILD-së, praktikat më të mira të inspektimeve gjyqësore nga Inspektoriatet Europiane të Drejtësisë.