INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË ZHVILLON TAKIME PUNE NË INSTITUCIONET E DREJTËSISË NË RUMANI

Në kuadër të vizitës së punës në Bukuresht, Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani ka zhvilluar një sërë takimesh në institucionet e drejtësisë së Rumanisë, për t’u njohur me eksperiencën rumune mbi reformën në drejtësi, si një zhvillim i ngjashëm në të dy vendet, që synon reformimin e sistemit gjyqësor dhe rritjen e luftës kundër korrupsionit, një proces i nisur herët në Rumani e i lidhur me anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

Në takimin me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, gjykatësen znj. Mona-Maria Pivniceru, gjykatësin z. Cristian Deliorga dhe gjykatësin z. Gheorghe Stan, Inspektori i Lartë z. Metani diskutoi mbi ndryshimet e ardhura nga reforma në drejtësi si në Rumani ashtu edhe në Shqipëri, roli i inspektimit e hetimit disiplinor në dy vendet, si dhe praktika legjislative kushtetuese vendase dhe europiane lidhur me masat disiplinore ndaj magjistratëve.

Zbatimi i reformës në drejtësi në Rumani dhe roli i magjistratëve në konfigurimin e ri ishin në qendër të bashkëbisedimit të Inspektorit të Lartë z. Metani me kryetarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, gjykatësin z. Bogdan Mihai Mateescu e më tej me drejtoren e Institutit Kombëtar të Magjistraturës, gjykatësen znj. Cristina Rotaru-Radu.

Mbi reformën në drejtësi dhe efektet e saj në sistem e në shtetin e së drejtës z. Metani shkëmbeu mendime me kryetaren e komisionit për çështjet ligjore të Senatit rumun, znj. Laura-Iuliana Scântei dhe kryetaren e komisionit për çështjet ligjore dhe imunitetet në Dhomën e Deputetëve, znj. Laura-Cătălina Vicol-Ciorbă.

Z. Metani zhvilloi një takim pune edhe me Prokuroren e Përgjithshme znj. Gabriela Scutea, ndërsa më herët takoi ministrin e drejtësisë z. Cătălin Predoiu.