ILD MIRËKUPTON NGARKESËN E MAGJISTRATËVE POR NUK DO TOLEROJË PALIGJSHMËRINË

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka dhënë një intervistë për gazetaren Anila Hoxha të Top Channel, mbi ecurinë e procesit të ankimimit ndaj magjistratëve dhe punën e ILD-së në dy vite, që nga ngritja si institucion.

I pyetur se përse ankohen më shumë qytetarët pranë ILD-së dhe nga cilat qytete, Z. Metani tha se janë rreth 4500 ankesa të administruara, por nga ato të trajtuara, më shumë pretendime ka për zvarritje të procedurave gjyqësore nga magjistratët dhe në statistikat e ILD-së, rrethet me më shumë ankues rezultojnë Tirana dhe Vlora. 

“Ajo që po vërejmë sot me shqetësim dhe dua ta ndaj me ju është vonesa në zbardhjen e vendimeve gjyqësore. Pra, pasi ka përfunduar procesi gjyqësor, zbardhja e vendimit merr shumë kohë. Kjo vjen për shumë arsye dhe ne po mundohemi të balancojmë këtë situatë, edhe me ngarkesën e madhe që kanë magjistratët, edhe me mungesën e magjistratëve në sistem për shkak të proceseve të tjera që po ndodhin në Shqipëri për shkak të reformës, edhe për arsye të kompleksitetit të çështjeve, sigurisht duke e balancuar këtë edhe me raste të neglizhencës së gjyqtarëve kur ka, apo me raste të performancës së dobët profesionale të gjyqtarëve. Për këtë ne kemi marrë edhe masa. Kemi proceduar edhe magjistratë për vonesën në zbardhjen e vendimeve. Po gjithsesi, gjetja e balancës së drejtë midis shpejtësisë së zbardhjes së vendimeve dhe vonesave të pajustifikuara për shkak të neglizhencës së gjyqtarëve, por edhe mos prekjes së cilësisë së shkrimit të vendimeve, është një gjë që po e shohim me prioritet dhe i bëj thirrje të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, që të kenë kujdes në këto procedura. Të mos ketë vonesa, por edhe pa prekjen e cilësisë së shkrimeve të vendimeve sepse kjo padyshim është shumë e rëndësishme.”, u shpreh Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

I pyetur nga gazetarja se çfarë ka konstatuar lidhur me prioritetin e shpallur që në marrje të detyrës, atë të lirimeve me kusht të personave të dënuar me burgim të përjetshëm, Z. Metani tha:

Në momentin që është zgjedhur Inspektori i Lartë i Drejtësisë në janar të vitit 2020, pa dyshim ky ishte sensibiliteti më i madh i shoqërisë në atë kohë, sepse pati disa raste të lirimit para kohe me kusht të disa individëve nga institucionet e burgimit dhe për këtë arsye, vendimi i parë që mori Inspektori i Lartë i Drejtësisë në atë kohë, ishte inspektimi i dosjeve të lirimit para kohe me kusht, në kuadër të një inspektimi të madh tematik sepse u prekën të gjitha gjykatat dhe prokuroritë ku ka institucione paraburgimi dhe burgimi. Ne propozuam disa masa. Ndër to ishin edhe masat për shkarkimin e 3 magjistratëve. Këto masa vazhdojnë edhe sot, sepse ka magjistratë që i kemi nën hetim. Një hetim është përfunduar dhe është dërguar për procedim në KLGJ. Kështu që është një gjë, që ne e kemi parë me shumë vëmendje. Nuk është as për ta evidentuar si sukses, nuk është as për ta evidentuar me ndonjë konsideratë. Është një proces normal pune i ILD-së dhe është mesazh i qartë për këdo magjistrat, që ILD nuk është një çekan mbi kokat e tyre, por nuk do tolerohet asnjë paligjshmëri nga ana e magjistratëve. Këtë e kam thënë që në intervistën e parë dhe këmbëngul ta them përsëri.”

Inspektori i Lartë  Z. Metani ka folur edhe për sfidën me dosjet e trashëguara nga ish KLD, KLGJ, Prokurori i Përgjithshëm e Ministria e Drejtësisë, të cilat duhen trajtuar nga ILD në kushtet e mungesave në inspektorë.

“Të gjithë inspektorët po i trajtojnë me prioritet, që të mos kalojnë afatet apo të digjen ankesat për shkak të kalimit të afatit, të parashkrimit. Por, kjo është një gjë që po ndodh, në kuptimin që ne po mundohemi të trajtojmë çdo ankesë, por është një ngarkesë e madhe, që s’e përballojmë dot, pra trajtimi i ankesave në kohë. E dyta, duan zgjidhje qytetarët, pra e kanë paraqitur ankesën para 5 viteve dhe nuk është normale për një institucion publik, të mos i kthejë një përgjigje qytetarit, të paktën pas 5 viteve. E treta, që është e rëndësishme gjithashtu, jam munduar, edhe pse janë ankesa të vjetra, të procedojmë magjistratë edhe për këto ankesa të vjetra, për t’i kujtuar kujtdo, që nuk harrohet asgjë.”, nënvizoi Z. Metani.


 
Intervista e plotë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Z. Artur Metani dhënë gazetares Anila Hoxha, për televizionin Top Channel

Gazetarja Anila Hoxha: Si fillim, faleminderit. Nga inspektimet që janë kryer por referuar edhe ankesave të qytetarëve drejtuar në ILD, për çfarë janë ankuar më së tepërmi shtetasit shqiptarë? Më shumë për gjyqtarët apo më tepër për prokurorët dhe a ka një shifër për diçka të tillë?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani: Faleminderit për intervistën. Për të qenë konkret me pyetjen tuaj, numri i ankesave të ardhura në institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë sot është rreth 4500 ankesa. Këtu përfshihen ankesa të ardhura nga viti 2020, në momentin që është zgjedhur Inspektori i Lartë i Drejtësisë, por përfshihen edhe ankesat e ardhura, të prapambetura apo backlog siç quhen, nga institucione të tjera; Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministria e Drejtësisë. Numri i ankesave është parë e vazhdon të shihet dhe trajtohet me prioritet. Sot që flasim janë trajtuar rreth 1700 ankesa nga ky grup i madh. Numri i ankesave vijon të rritet shumë. Nga Tetori i vitit të kaluar deri sot numri i ankesave është shtuar në mënyrë të konsiderueshme. Pra, në këto 4-5 muaj ka rreth 800 ankesa që kanë ardhur. Është një tregues për t’u marrë në konsideratë, i cili tregon reflektimin e shoqërisë, për problemin që ka sistemi gjyqësor sot dhe sistemi i prokurorisë, por edhe ndoshta efikasitetin e institucioneve të reja të drejtësisë, që po funksionojnë, siç është Inspektorit i Lartë të Drejtësisë apo edhe Këshillat përkatës, kur referojnë apo kur trajtojnë edhe ato ankesat e qytetarëve. Ankesat e qytetarëve fokusohen përgjithësisht në zvarritje të procedurave gjyqësore apo të dosjeve hetimore nga prokuroria, në njëanshmëri të vendimmarrjeve nga gjykatat, në veprime apo mosveprime të prokurorëve në çështje të caktuara. Numri më i madh i ankesave është për gjyqtarët dhe jo për prokurorët. Por, ajo që po vërejmë sot me shqetësim dhe dua ta ndaj me ju është vonesa në zbardhjen e vendimeve gjyqësore. Pra, pasi ka përfunduar procesi gjyqësor, zbardhja e vendimit merr shumë kohë. Kjo vjen për shumë arsye dhe ne po mundohemi të balancojmë këtë situatë, edhe me ngarkesën e madhe që kanë magjistratët, edhe me mungesën e magjistratëve në sistem për shkak të proceseve të tjera që po ndodhin në Shqipëri, për shkak të reformës, edhe për arsye të kompleksitetit të çështjeve, sigurisht duke e balancuar këtë, edhe me raste të neglizhencës së gjyqtarëve kur ka, apo me raste të performancës së dobët profesionale të gjyqtarëve. Për këtë ne kemi marrë edhe masa. Kemi proceduar edhe magjistratë për vonesën në zbardhjen e vendimeve. Por, doja të evidentoja që kjo është një balancë e kujdesshme, që duhet bërë jo thjesht për vonesat që mund të kenë gjyqtarët në zbardhjen e vendimeve, por kjo vonesë të mos prekë as cilësinë e vendimmarrjes, sepse duke pasur ngarkesën, por duke patur edhe presionin që vendimet të zbardhen shpejt, shpesh mund të ndodhë, që mund të bjerë edhe cilësia e shkrimit të vendimeve. Natyrisht, ne s’e duam këtë. Po gjithsesi, gjetja e balancës së drejtë midis shpejtësisë së zbardhjes së vendimeve dhe vonesave të pajustifikuara për shkak të neglizhencës së gjyqtarëve, por edhe mos prekjes së cilësisë së shkrimit të vendimeve, është një gjë që po e shohim me prioritet dhe i bëj thirrje të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, që të kenë kujdes në këto procedura. Të mos ketë vonesa, por edhe pa prekjen e cilësisë së shkrimeve të vendimeve sepse kjo pa dyshim është shumë e rëndësishme.

Gazetarja Anila Hoxha: Nga cilat qytete kanë ardhur më së tepërmi ankesa, nëse do t´i ndanim ose do t`i rendisnim?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani: Po, numri më i madh i ankesave vjen nga Tirana, rreth 600 e disa, më pas Vlora, më pas është Durrësi, Fieri, ka dhe Shkodra dhe pastaj çdo qytetet me nga pak. Por, Tirana është po them kryesuese e numrit…

Gazetarja Anila Hoxha: Kjo për shkak sepse ka çështjet më të mëdha dhe ka fluksin më të lartë të çështjeve apo referuar shkeljeve të pretenduara?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani: Po, besoj që Tirana përfshin gjykata me më shumë çështje sepse është qyteti me më shumë banorë. Pa dyshim ka më shumë konflikte gjyqësore, ka më shumë situata të cilat shkojnë në procese gjyqësore, por edhe sepse ndoshta qytetarët që janë në Tiranë vijnë më kollaj në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, se sa vijnë nga rrethet. Natyrisht, ankesa mund të dërgohet me postë, por duke qenë në të njëjtin qytet, e bën më të thjeshtë ndoshta kontaktin me Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Për këtë arsye, ne jemi duke parë forma të tjera komunikimi me qytetarët, përveç asaj që ne kemi në faqen tonë të internetit dhe lehtësirave që mundohemi t´i krijojmë edhe qytetarëve të rretheve që të paraqesin ankesat e tyre. Po mundohemi të bëjmë një program për të shkuar edhe nëpër qytete, për të evidentuar më qartë rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në mënyrë që qytetarët të kenë më shumë kontakt me Zyrën e ILD-së.

Gazetarja Anila Hoxha: Qytetarët ankohen më së tepërmi për shkelje në fushën e gjyqeve dhe hetimeve penale, apo për shkelje në fushën e çështjeve administrative dhe civile?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani: Është kjo e dyta, pra më shumë ankesa kanë për çështje të gjyqeve civile dhe administrative. Por, pa dyshim ka një numër të madh edhe për gjyqe penale. Ka një numër të konsiderueshëm ankesash, rreth 50, që vijnë nga njerëz që vuajnë dënimin në institucionet e burgimit. Por, dinamika më e madhe vjen për çështje civile dhe administrative.

Gazetarja Anila Hoxha: Dhe meqë jemi tek çështjet penale, ju keni propozuar, dhe mbase miratuar, disa masa sa i takon gjyqtarëve dhe prokurorëve për lirimet e parakohshme. Si e gjetët ju sistemin e drejtësisë në këtë fushë? Çfarë konstatuat?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani: Në momentin që është zgjedhur Inspektori i Lartë i Drejtësisë në janar të vitit 2020, pa dyshim ky ishte sensibiliteti më i madh i shoqërisë në atë kohë, sepse pati disa raste të lirimit para kohe me kusht të disa individëve nga institucionet e burgimit dhe për këtë arsye, vendimi i parë që mori Inspektori i Lartë i Drejtësisë në atë kohë ishte inspektimi i dosjeve të lirimit para kohe me kusht, në kuadër të një inspektimi të madh tematik sepse u prekën të gjitha gjykatat dhe prokuroritë ku ka institucione paraburgimi dhe burgimi. Ne propozuam disa masa. Ndër to ishin edhe masat për shkarkimin e 3 magjistratëve. Këto masa vazhdojnë sepse edhe sot ka magjistratë që i kemi nën hetim. Një hetim është përfunduar dhe është dërguar për procedim në KLGJ. Kështu që është një gjë, që ne e kemi parë me shumë vëmendje. Nuk është as për ta evidentuar si sukses, nuk është as për ta evidentuar me ndonjë konsideratë. Është një proces normal pune i ILD-së dhe është mesazh i qartë për këdo magjistrat, që ILD nuk është një çekan mbi kokat e tyre, por nuk do tolerohet asnjë paligjshmëri nga ana e magjistratëve. Këtë e kam thënë që në intervistën e parë dhe këmbëngul ta them përsëri.

Gazetarja Anila Hoxha: Gjatë këtij inspektimi tematik a gjetët ju një sistem drejtësie që u hapte dyert për lirime të parakohshme individëve të konsideruar të rrezikshëm?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani: Ishte një fenomen që po ndodhte dhe për këtë arsye u morën masa ndaj magjistratëve konkretë, të cilat u konkretizuan me propozime për shkarkime tek Këshillat. Është një proces për të cilin s’dua të flas sepse është një proces që vazhdon në KPA, pra në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Për këtë arsye nuk do doja të përfshihesha në komente të tjera në këtë proces, por faktet flasin vetë.

Gazetarja Anila Hoxha: A ka më kërkesa pas inspektimit, të individë të këtij zhanri po e quaj, të rrezikshëm, që vazhdojnë të kërkojnë lirim para kohe me kusht? Pra a ka dhënë efekt inspektimi i ILD-së?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani: Kërkesa… Unë nuk mund ta di nëse ka kërkesa sepse nuk më vijnë. Kërkesat i drejtohen gjykatave, por fakti është se ne nuk kemi asnjë informacion, që të jenë liruar njerëz për këtë institut të së drejtës.

Gazetarja Anila Hoxha: Deri diku pra gjyqtarët e kanë marrë mesazhin dhe prokurorët?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani: Edhe njëherë, ky është një proces pune dhe nuk është as për konsideratë dhe as për sukses ose jo. Ky është proces pune normal i institucioneve publike dhe vlerësoj se edhe magjistratët kështu po e kuptojnë.

Gazetarja Anila Hoxha: Aktualisht, po kryen ILD-ja një inspektim të caktuar me tematikë të caktuar?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani: Po, sot kemi dy inspektime tematike, që besoj do i përpunojmë brenda një kohe shumë të shkurtër. Kanë të bëjnë me masat e ndërmarra nga disa prokurori dhe gjykata për armëmbajtje pa leje, pra për masat e sigurimit. Edhe një vendim tjetër për inspektim tematik për çështjet e zbatimit të udhëzimeve me karakter të përgjithshëm, të Prokurorit të Përgjithshëm.

Gazetarja Anila Hoxha: Megjithatë, ILD është duke punuar deri diku me një staf të cunguar… A keni depozituar ju kërkesa në mënyrë që të zgjerohet gjithë organigrama e ILD-së dhe natyrisht për sa kohë ju kontrollini të gjithë drejtësinë në vend, me 8 inspektorë mund të quhen edhe të pamjaftueshëm?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani: Po, ne në organikë e kemi numrin e inspektorëve 26. Pra, në institucion duhet të ketë 26 inspektorë; gjyqtarë, prokurorë dhe jo magjistratë. Aktualisht kemi 8. Natyrisht, 26 nuk krahasohet me 8 për shkak të ngarkesës së punës. Për këtë arsye prej 16 muajsh tashmë, unë kam bërë një propozim për ndryshime ligjore të paraqitur në Ministrinë e Drejtësisë, por edhe në Komisionin e Ligjeve, për të ulur kriteret e kandidimit për ata, që dëshirojnë të jenë pjesë e ILD-së si inspektorë magjistratë. Unë e kuptoj që ka një debat, pra mund të jetë debat ligjor, sepse është një zgjedhje ligjore, por nga ana tjetër kjo është një situatë që ka nevojë për zgjidhje. Nëse nuk do të ulim kriteret për gjyqtarët, që dëshirojnë të vijnë si inspektorë këtu, atëherë ç’do bëjmë, si do t’i thithim edhe ata pak gjyqtarë që kanë mbetur në sistem, deri sa të mbushen gjykatat me gjyqtarë?! Pra, kjo është një dilemë e të gjithë sistemit, por nga ana tjetër është një gjë, që ka nevojë për zgjidhje, ka nevojë për ta trajtuar dhe për t’i dhënë një zgjidhje.

Gazetarja Anila Hoxha: Keni marrë një zgjidhje ndërkohë, një përgjigje?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani: Jo.

Gazetarja Anila Hoxha: Dhe kjo natyrisht ndikon në efektivitet, çfarë sjell më pas?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani: Ajo që druhem, edhe nuk dua, është që të krijohet përshtypja se mund të punohet edhe me 8 inspektorë… Nuk punohet me 8 inspektorë! Njerëzit po lodhen, se duan t’i përgjigjen qytetarëve. Njerëzit po lodhen se duan t’i përgjigjen çdo detyrimi që një institucion publik ka, por nga ana tjetër ka disa kufij për ngarkesën e punës. Pa dyshim që qytetarët, media e gjithë të tjerët, nuk duan t’ia dinë se sa ngarkesë ka inspektori apo Inspektori i Lartë i Drejtësisë, duan zgjidhje. Për këtë arsye balanca e këtyre vështirësive duhet të gjejë një zgjidhje në mos ligjore, një zgjidhje praktike. 

Gazetarja Anila Hoxha: Cili do të jetë hapi tjetër pas këtij propozimi për ndryshime për të ulur deri diku kriteret që janë vendosur dhe që janë të ngurta mesa po kuptoj, për sa kohë nuk keni marrë një përgjigje? Do të bëni një propozim të dytë?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani: Propozimi është ende në Kuvend, pra në Ministrinë e Drejtësisë dhe Kuvend. Nuk e di se si do procedojë Ministria e Drejtësisë dhe Kuvendi. Shpresoj që të procedohet shpejt, të paktën të shtrohet në diskutim realisht profesional kjo çështje. E dyta, në varësi të zgjidhjes që do na ofrojë Kuvendi, do fillojmë të marrim masa për të gjetur zgjidhje, për evadimin e të gjithë kësaj ngarkese. Është e rëndësishme që ta them, që rreth 4500 ankesa janë shumë dhe në këtë 4500, siç e thashë përfshihet një grup i madh ankesash të prapambetura. Ato janë shumë të rëndësishme, e para nuk dua të kalojnë afatet e parashkrimit. Të gjithë inspektorët po i trajtojnë me prioritet, që të mos kalojnë afatet apo të digjen ankesat për shkak të kalimit të afatit, të parashkrimit. Por, kjo është një gjë që po ndodh, në kuptimin që ne po mundohemi të trajtojmë çdo ankesë, por është një ngarkesë e madhe, që s’e përballojmë dot, pra trajtimi i ankesave në kohë. E dyta, duan zgjidhje qytetarët. Pra, e kanë paraqitur ankesën para 5 viteve dhe nuk është normale për një institucion publik, të mos i kthejë një përgjigje qytetarit, të paktën pas 5 viteve. E treta, që është e rëndësishme gjithashtu, jam munduar, edhe pse janë ankesa të vjetra, të procedojmë magjistratë edhe për këto ankesa të vjetra, për t’i kujtuar kujtdo, që nuk harrohet asgjë.         

Gazetarja Anila Hoxha: Faleminderit për intervistën!