Gjatë një vizite pune në Romë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Z. Artur Metani zhvilloi një takim në Ministrinë e Drejtësisë së Italisë, ku nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me drejtuesen e Inspektoratit të Përgjithshëm të Drejtësisë së Italisë, Znj. Maria Rosaria Covelli, me synim fuqizimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe shkëmbimin e praktikave më të mira, në kuadër të procedurave të inspektimit dhe hetimit disiplinor ndaj magjistratëve.
Në fjalën përshëndetëse gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Z. Metani vërejti se shtete të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian, si Italia vite më parë apo vende aspirante si Shqipëria, i janë nënshtruar evulucionit dhe reformave të thella, lidhur me sistemin e drejtësisë në përgjithësi dhe sistemit disiplinor të magjistratëve në veçanti.
“Kompetencat që u janë besuar magjistratëve janë të lidhura ngushtë me vlerat e drejtësisë. Standardet e sjelljes që zbatohen për magjistratët janë rrjedhojë e këtyre vlerave dhe një parakusht për besimin e qytetarëve në dhënien e drejtësisë. Pavarësisht dallimeve ndërmjet sistemeve disiplinore të shteteve të ndryshme, në nivel europian ekziston një qëllim i përbashkët, i cili është gjetja e një ekuilibri midis pavarësisë së sistemit gjyqësor ose autoritetit të vendimeve të magjistratëve dhe përgjegjësisë disiplinore. Kjo është tashmë sfida e të gjithëve ne.”, tha Z. Metani.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Znj. Maria Rosaria Covelli tha se Inspektorati Italian e pranoi me entuziazëm ftesën e homologut shqiptar, me sigurinë se bashkëpunimi i zyrtarizuar me këtë memorandum do jetë një vlerë e shtuar e ndërsjelltë, që do konsolidojë edhe më tej marrëdhëniet tashmë të shkëlqyera që Italia ka me Shqipërinë.
Mes formave të bashkëpunimit, në nenin 2 të Memorandumit, parashikohet shkëmbimi i informacionit mbi praktika dhe eksperienca të lidhura me hetimet disiplinore ndaj magjistratëve, mbi metodologjinë e inspektimeve dhe përgatitjen e planeve vjetore si dhe mbi modalitetet e komunikimit me publikun, me synim garantimin e një ekuilibri mes parimit të një drejtësie të hapur dhe parimit të mbrojtjes së të dhënave personale.
Nga ana e saj, Ministrja e Drejtësisë Znj. Marta Cartabia, ka nënvizuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje në kuadër të marrëdhënieve të bashkëpunimit mes Italisë e Shqipërisë.