VEPRIMTARIA E ILD NË RAPORTIN E DASH MBI TË DREJTAT E NJERIUT NË SHQIPËRI PËR VITIN 2021

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin vjetor mbi Praktikat e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri për vitin 2021. Në seksionin e respektit për integritetin e individit, paraqitet situata dhe veprimtaria e institucioneve në zbatim të reformës në drejtësi. Në raport jepen edhe disa rezultate të veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në drejtim të trajtimit të ankesave, hetimit dhe procedimit disiplinor.

“Zbatimi i ligjeve të reformës në drejtësi çoi në një pauzë në proceset normale disiplinore ndërkohë që vendi krijoi organe të pavarura disiplinore.”

Nga Janari deri më 8 Shtator, Inspektori i Lartë i Drejtësisë në vend ka marrë 875 ankesa që kanë rezultuar në dhënien e 740 vendimeve për arkivim dhe 120 vendimeve për verifikimin e ankesave. Gjithashtu, ka administruar 24 hetime disiplinore, nëntë prej të cilave ishin transferuar nga Inspektorati i mëparshëm pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka paraqitur edhe nëntë kërkesa për procedim disiplinor ndaj magjistratëve pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.”, thuhet në Raport.

Lidhur me procedurat dhe mjetet juridike civile për të trajtuar mes të tjerash shkeljet dhe rastet e korrupsionit apo jo, efiçencës në gjyqësor, në Raport nënvizohet kontributi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë përmes mekanizmave ligjorë në drejtim të disiplinimit të veprimtarisë së magjistratëve, konkretisht:

“…Procesi në vijim i vetingut dhe mekanizmat ligjorë të vendosur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë për të rregulluar disiplinimin e magjistratëve synojnë gjithashtu zbutjen e problemeve të tilla.”

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi praktikat e të drejtave të njeriut është një publikim vjetor që paraqet kushtet e të drejtave të njeriut në vende dhe rajone jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës e që paraqitet çdo vit nga Byroja e Demokracisë, të Drejtave të Njeriut dhe Punës.