FJALA E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË, Z. ARTUR METANI NË KONFERENCËN SHKENCORE NDËRKOMBËTARE

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani mori pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare të zhvilluar sot, me temë “Sfidat aktuale të sistemit gjyqësor në Shqipëri dhe proceset e demokratizimit”. 

 


Fjala e plotë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë e mbajtur në Konferencë. 

Nuk ka pavarësi gjyqësore pa demokraci dhe nuk ka demokraci pa pavarësi gjyqësore!

I nderuar Prof. Angjeli,

Te nderuar akademikë, profesorë dhe studentë,

Të nderuar kolegë dhe pjesëmarrës,

Ju falënderoj për ftesën dhe për mundësinë që më dhatë të shpreh mendime në lidhje me një çështje me interes për zhvillimin e vendit. Pjesëmarrja në këtë aktivitet është një kënaqësi e dyfishtë.

Së pari, sepse vlerësoj se zhvillimi i saj, si dhe diskutimi në nivel akademik lidhur me sfidat aktuale të proceseve demokratike dhe sistemit gjyqësor në Shqipëri, përbën në vetvete një proces të rëndësishëm.

Sigurimi i një mendimi të kualifikuar profesional, mbështetur në një eksperiencë teorike dhe praktike të studiuesve të së drejtës, përbën një kontribut kyç në procesin e analizimit të plotë të gjendjes aktuale. Në të njëjtën kohë, ky proces angazhimi dhe zhvillimi i mendimit të kualifikuar juridik shërben edhe si një mekanizëm për evidentimin e problematikave dhe nevojave për përmirësim.

Kontributi i botës akademike përfaqëson në këtë moment një fazë të rëndësishme për vazhdimin e ndërhyrjeve reformatore, që janë ndërmarrë deri më tani në sistemin e drejtësisë. Kjo, pasi jo vetëm që krijon një frymë gjithëpërfshirëse nëpërmjet angazhimit të të gjithë aktorëve të shoqërisë, siç është ndër të tjera edhe bota akademike, por njëkohësisht provokon edhe një debat të dobishëm, i cili ndihmon pozitivisht ecurinë e zhvillimit të pushtetit gjyqësor në Shqipëri.

Së dyti, aktiviteti i sotëm është një mundësi e mirë për të diskutuar për një çështje me rëndësi themelore për modelin e shtetit të së drejtës, për një sistem drejtësie të pavarur dhe profesional dhe ndikimin apo ndërlidhjen që ka ky proces me zhvillimin demokratik të shoqërisë.  

Ajo që dëshiroj të diskutoj sot, ka për qëllim të ngrejë paraprakisht disa teza me qëllim provokimin e mendimit, të cilat në këndvështrimin tim janë sa konceptuale aq edhe sistemike, në lidhje me një sërë çështjesh, të cilat kanë të bëjnë me pavarësinë e pushtetit gjyqësor, analizuar kjo në raport me demokracinë, sistemin gjyqësor apo vetë shtetin e së drejtës.

Njëherazi, dëshiroj të shpreh edhe disa konsiderata apo ndjesi personale, që vijnë jo vetëm nga optika dhe përvoja në fushën e së drejtës, por edhe në cilësinë e drejtuesit të njërit prej institucioneve më të reja, të konceptuara dhe të ngritura në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Shqipëria është një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe aktualisht jemi në fazën e diskutimit për hapjen e negociatave me të. Është një sfidë historike për ne dhe përballë këtij synimi jemi të vetëdijshëm për nevojën që modeli ynë i shtetit të së drejtës duhet të jetë i krahasueshëm me vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ndaj, reformën në drejtësi e kemi renditur si një prioritet kryesor, jo thjesht si një detyrim politik përpara Bashkimit Evropian, por më së shumti si një vlerë shoqërore e themelore për zhvillimin e Shqipërisë.  

Një nga sfidat kryesore të organeve të reja të sistemit të drejtësisë ka qenë dhe mbetet krijimi i një sistemi gjyqësor të pavarur. Synimi është reformimi i sistemit në atë mënyrë që të funksionojnë mekanizma të qëndrueshme për spastrimin e sistemit nga elementet abuzues me ligjin dhe detyrën, por njëherësh edhe të garantojnë forcimin e mëtejshëm të pavarësisë dhe lirisë kushtetuese të sistemit gjyqësor, pasi pavarësia e gjyqtarëve dhe gjykatave qëndron në themel të mirëfunksionimit ose jo të një shteti demokratik. Pavarësia është parakusht i sundimit të ligjit.

Megjithatë, paraprakisht vlerësoj se demokracia apo koncepti i shtetit të së drejtës janë koncepte dinamike dhe komplekse. Veçanërisht në vende me demokraci në zhvillim, si ky i yni, kërkohet shumë më tepër se pavarësia de jure, pra jo thjesht ekzistenca formale e parashikimeve kushtetuese dhe ligjore. Pavarësia de fakto është ajo që kërkon kohë dhe shumë përpjekje. Funksionimi në praktikë i këtyre dy koncepteve, varet nga disa faktorë, si:

Së pari: Mënyra se si garantohet pavarësia e gjyqësorit varet nga kultura gjyqësore e një vendi, e cila pasqyron përvojat e tij të veçanta historike, në raport me rrethanat politike apo sociale. Pavarësia e pushtetit gjyqësor mund të shoqërohet me ndryshime strukturore, institucionale dhe ligjore, por ajo mund të ketë sukses vetëm kur shoqëria e një vendi të ketë besim në legjitimin e pushtetit gjyqësor dhe të tregojë një përkushtim real ndaj këtij standardi.

Së dyti:  Pavarësia e pushtetit gjyqësor nuk mund të garantohet, nëse nga ana e një shoqërie apo sistemi politik nuk ka vullnet për krijimin e një frymë stabiliteti dhe demokracie. Pavarësia e pushtetit gjyqësor kërkon përfundimisht një kontekst dhe mentalitet jo autoritar. Përfundimi se “Nuk ka pavarësi gjyqësore pa demokraci dhe nuk ka demokraci pa pavarësi gjyqësore” mund të jetë në pamje të parë dekurajues dhe i largët, por përvoja botërore dhe historia jonë kanë treguar qartë se demokracia dhe sundimi i ligjit nuk mund të funksionojnë ndryshe përveç se bashkë.   

Së treti: Procesi i sigurimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor është një proces dinamik dhe në evoluim të vazhdueshëm. Sigurimi i kësaj pavarësie kërkon një nevojë të vazhdueshme për t’iu përgjigjur sfidave për identifikimin e mekanizmave të reja të mbrojtjes së këtij standardi. Nëse përpjekjet për një infrastrukturë kushtetuese e ligjore, fizike gjithashtu, për një arkitekturë të re të sistemit të drejtësisë morën disa vite, përpjekja për krijimin e një mentaliteti demokratik të një gjyqtari të paanshëm, respektimit rigoroz të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, kërkon shumë më tepër kohë dhe shumë më tepër energji.

Së katërti:  Krijimi i një sistemi gjyqësor të pavarur kërkon një përpjekje të vazhdueshme nga ana e shtetit dhe qytetarëve për zbatimin e ligjit dhe të koncepteve të së drejtës. Demokracia dhe shteti i së drejtës janë koncepte që edukohen dhe ushqehen në familje, që në gjenezën e saj, në shoqëri dhe mjedise akademike. Vetëm një shoqëri e shëndoshë demokratikisht mund të prodhojë drejtësi të shëndoshë demokratikisht.

Së pesti:  Pavarësia e sistemit gjyqësor nuk është një koncept absolut. Pavarësia dhe besimi që shoqëria i jep magjistratëve janë të tilla, që duhet të ketë disa mënyra për t‘i mbajtur përgjegjës, përfshi edhe largimin nga detyra, në rast të shkeljeve që justifikojnë këtë veprim. Duhet pranuar se rritja e kompetencës dhe pavarësisë së magjistratëve duhet të shoqërohet me një sistem llogaridhënës efektiv. Kjo sepse pavarësia nuk është privilegj, por është përgjegjësi.

Në rastin konkret duhet të ekzistojë një proces i vazhdueshëm i balancimit të pavarësisë dhe llogaridhënies. Ky proces duhet të karakterizohet nga veprimi dhe kundër reagimi në të njëjtën kohë. Sa më shumë kompetenca të zotërojë pushteti gjyqësor, aq më të larta duhet të jenë kërkesat për llogaridhënie.

Në të njëjtën kohë, niveli i besueshmërisë së qytetarëve në organet e drejtësisë është element mjaft i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë. Besimi i publikut apo perceptimi publik shërben si një tregues i rëndësishëm mbi balancën që duhet të ekzistojë ndërmjet pavarësisë dhe llogaridhënies së pushtetit gjyqësor. Në rastet kur besimi i publikut është i ulët, atëherë tregon se pavarësia e magjistratëve ka prevaluar mbi sistemin llogaridhënës, ndërsa në rast se besimi i publikut është i lartë, atëherë ky është një tregues i qartë mbi ekzistencën e një ekuilibri të drejtë, ndërmjet pavarësisë dhe llogaridhënies.

Për të ndërtuar besueshmëri, patjetër duhet siguruar një kulturë llogaridhënieje e sistemit të drejtësisë. Në demokraci drejtësia jepet në emër të qytetarëve. Besimi i publikut është i domosdoshëm për sundimin e ligjit dhe ky legjitimim kërkon angazhimin e magjistratëve për të ruajtur këtë besim. Në këtë kuadër, vlen të theksohet se pavarësia e pushtetit gjyqësor nuk duhet të shihet si një privilegj dhe mburojë e magjistratëve, por si një e drejtë e qytetarëve.

Shqipëria ka treguar se është në reformim të vazhdueshëm për të vendosur stabilitet dhe garanci demokratike. Zbatimi i reformës në drejtësi është një proces që vazhdon. Unë çmoj se reforma në drejtësi ka ngritur kapacitetet e sistemit të drejtësisë dhe po jep rezultate konkrete dhe rezultatet e arritura tregojnë ndryshim. Megjithatë, krijimi i një sistemi gjyqësor të pavarur në përputhje me standardet demokratike dhe shtetin e së drejtës kërkon kohë dhe energji nga të gjithë, gjyqtarët e prokurorët, institucionet e reja të drejtësisë, por edhe vetë politika dhe shoqëria.

Faleminderit dhe ju uroj suksese!

 


Videon e plotë të fjalës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mund ta ndiqni në kanalin zyrtar Youtube.