E nderuar Znj. Llagami,
E nderuar ambasadore Kim,
I nderuar ministër Manja,
Të nderuar kolegë dhe të ftuar,
Ju faleminderit për këtë organizim Znj. Llagami dhe mundësinë për t’u mbledhur në një ditë feste, siç është Dita e Drejtësisë.
Është një ditë simbol për drejtësinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri. Eshtë kënaqësi profesionale të shohësh se ndër dekada e ndër vite, drejtësia shqiptare, me gjithë luhatjet e forta, që ka pësuar për shkak të zhvillimeve politike, sociale e kulturore, ka prodhuar akte drejtësie, që na bëjnë krenarë sot. Historia e drejtësisë evidenton sot juristë dhe profesionistë të së drejtës, që me mendimin e tyre juridik kanë qenë në avangardë të zhvillimeve politike, sociale dhe ekonomike në vend. Prandaj sot është dita, që së pari, të kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ata, që me kontributet e tyre të spikatura, hodhën themele të forta të shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Por, është një ditë edhe për të reflektuar për drejtësinë, si një nga vlerat morale më të rëndësishme të një shoqërie, për rrugëtimin e saj sot dhe nesër në Shqipëri, për raportin që drejtësia ka me shoqërinë dhe institucionet e saj.
Sistemi i drejtësisë në vendin tonë ka bashkudhëtuar me tranzicionin shoqëror dhe në tri dekada pluralizëm kanë shfaqur të njëjtat probleme. Jam i sigurt se përfundimi i fazës së tranzicionit dhe kalimi në fazën e zhvillimit dhe integrimit evropian të shtetit shqiptar ka shënuar një pikë të rëndësishme kthese, edhe për drejtësinë shqiptare.
Reforma në drejtësi e vitit 2016 krijoi modelin e shtetit të së drejtës, që duam të ndërtojmë dhe arkitekturën e re të sistemit të drejtësisë.
Institucionet e reja të drejtësisë kanë detyrën dhe detyrimin historik të mbajnë gjallë përpjekjet e atyre, që një shekull më parë hartuan dhe miratuan Kanunin e Zhurisë.
Institucionet e reja të drejtësisë nuk e kanë mundësinë të bëjnë gabime!
Institucionet e reja të drejtësisë nuk kanë kohë të jenë të qeta!
Jemi përballë një sprove të fortë, përpara atyre që na kanë besuar dhe besojnë tek ne.
Në kufijtë e vështirësisë maksimale, e di!
Por, e tillë është sfida, që ne vetë e zgjodhëm dhe nuk ka më kthim mbrapa.
Jemi të ndërgjegjshëm se krijimi i modelit të shtetit të së drejtës nuk është një proces i lehtë. Ai nuk kërkon vetëm kohë, jo vetëm kapacitete njerëzore dhe financiare, nuk kërkon përpjekje vetëm të sistemit të drejtësisë. Padyshim, pesha themelore në krijimin e kufijve kushtetues e ligjorë të marrëdhënieve shoqërore, mbetet tek sistemi i drejtësisë. Por, roli i faktorëve të tjerë, politikë, shoqërorë dhe ekonomikë është i një rëndësie të veçantë. Një kuadër kushtetues dhe ligjor demokratik është një gur themeli shumë i rëndësishëm në mirëfunksionimin ose jo të një shteti ligjor, por vlerat e së drejtës nuk gjenden vetëm në ligje të shkruara.
Sado të vlefshme të jenë garancitë kushtetuese, rregullat ligjore formale dhe garancitë institucionale, ato nuk janë të mjaftueshme, nëse nuk ushqehen me vlerat e një shoqërie, që kërkon dhe ndërton një sistem drejtësie të besueshëm, efektiv dhe të pavarur. Parashikimi i garancive formale përbën pikënisjen, por jo përfundimin e këtij procesi.
Drejtësia ka qenë dhe mbetet një nga temat e nxehta, që ngjall interes publik në Shqipëri. Diskutimi i temave që lidhen me drejtësinë, nuk mundet të mos jetë pjesë e debatit publik. Organet e drejtësisë janë pjesë e rëndësishme e strukturës shtetërore dhe për çështje që lidhen me detyrat e tyre funksionale, magjistratët janë pjesë e kritikave në një nivel të gjerë. Këtë gjë nuk mund ta ndryshojmë, pasi liria e shprehjes i jep të drejtë kujtdo, që të shprehë dhe komentojë lirisht, edhe mbi vendimet e drejtësisë. Patjetër, që ka raste kur këto komente reflektojnë edhe defektet që shoqëria jonë ka. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, në një shoqëri në zhvillim, ku gjetja e kufijve nuk është pika jonë e fortë, edhe pse duhet të biem dakord të gjithë, që të paktën bullizimi i drejtësisë, nuk i shërben askujt.
Megjithatë në këtë kontekst ka edhe një specifikë, të cilën dua t’a rinënvizoj. Ekziston një dallim i rëndësishëm tek kritikat që bëhen ndaj magjistratëve dhe kritikave ndaj zyrtarëve të tjerë publikë. Magjistratët nuk mund të përgjigjen për kritikat që u bëhen, nuk mund të komentojnë për çështjet e tyre, qoftë edhe për të hedhur poshtë shtrembërimet mediatike apo politike të vendimeve të tyre. Ndryshe nga institucionet që burojnë nga politika, institucionet e pavarura dhe magjistratët e kanë këtë lloj kufizimi, që vjen me detyrën.
Kështu që beteja e gjyqtarëve dhe prokurorëve, zyrtarëve të institucioneve të drejtësisë është me transparencën, është me rritjen e cilësisë së punës. Vërtetë që magjistratët nuk mundet të komentojnë mbi vendimet e tyre, por nëse vendimet që ata marrin, shprehin qartë dhe pa asnjë ekuivok, thjeshtë dhe kuptueshëm, drejt dhe pa lakime, mendimin e tyre juridik dhe diskrecionin e tyre të bazuar në ligj, atëherë publiku do të jetë i qartë, se çfarë i duket e drejtë dhe e padrejtë në atë vendim. Sa më të qartë të jenë gjyqtarët, prokurorët dhe zyrtarët e drejtësisë me vendimet e tyre, sa më të qartë të jenë ata për rolin e tyre, aq më e thjeshtë do jetë edhe për publikun, të njohë rëndësinë e kësaj vendimmarrjeje, e akoma më tej, edhe të krijojë respekt për punën e drejtësisë.
Por, nëse gjyqtarët dhe prokurorët duhet të bëjnë punën e tyre, krijimi i respektit për punën e drejtësisë është një përpjekje, që shkon përtej sistemit. Ai është edhe kontribut i faktorëve të tjerë në shoqëri, veçanërisht atyre politikë e mediatikë. Krijimi i një mjedisi demokratik për respektimin e sistemit të drejtësisë nuk është as çështje ligji, as çështje vendimmarrjeje. Kushtetutshmëria, shteti ligjor, respekti për punën e tjetrit apo të asaj që quhet ndarja e pushteteve janë standarde, që duhen ushqyer çdo ditë me largpamësi, jashtë interesit të çastit, duke e mirëmenduar në vizion afatgjatë çdo fjalë të thënë dhe çdo gur të hedhur ndaj sistemit të drejtësisë. Si shoqëri duhet të jemi gati të pranojmë edhe vendime që nuk na pëlqejnë. Zgjidhjet antisistemike vetëm na zgjasin agoninë e vështirësive traumatike, që drejtësia po kalon sot.
Sot, Shqipëria është përpara momenteve historike të rrugëtimit të saj europian.
Le të përpiqemi të gjithë, të orientohemi drejt një qasjeje të re përgjegjshmërie!
Le të përpiqemi të gjithë t’i drejtohemi vlerave tona më të mira!
Le të përpiqemi të gjithë ta konsolidojmë sistemin e drejtësisë sipas parimeve dhe standardeve, drejt të cilave jemi nisur pa kthim.
Sot e në vazhdim, kjo është sfida më e madhe e të gjithëve ne!
Ju faleminderit!