Statuti dhe misionet e inspektimit të drejtësisë: Një qasje krahasuese
Format e ndryshme të organizmit dhe bashkëveprimi me institucionet e tjera
Kazablanka, Marok. 11 Maj 2022
Të nderuar drejtues të Inspektimit të Drejtësisë,
I nderuar president i RESIJ dhe kryetar i Inspektoratit francez Straudo,
Përfaqësues të nderuar të Këshillit të Evropës dhe CEPEJ,
Të nderuar pjesëmarrës,
Doja të falënderoja organizatorët e këtij aktiviteti për mundësinë që më dhanë të marr pjesë në këtë konferencë dhe të ndaj me pjesëmarrësit disa mendime dhe konsiderata të miat lidhur me veprimtarinë e shërbimeve të inspektimit të drejtësisë.
Zhvillimi i këtij aktiviteti sot, ofron një platformë të shkëlqyer për shkëmbimin e ideve, ndarjen e eksperiencave, si dhe analizimin e nevojave për gjetjen e zgjidhjeve për sfidat tona të përbashkëta, pasi personalisht mendoj, se sistemi i drejtësisë krahas veçorive dhe specifikave të cilat mund të ketë në vende të ndryshme, ai karakterizohet nga të njëjtat vlera, si dhe funksionon mbi të njëjtat standarde ndërkombëtare dhe parime të organizimit apo funksionimit të tij.
Parimet themelore të aplikuara për organizimin e pushtetit gjyqësor mbështeten në parimin universal të pavarësisë gjyqësore. Gjyqësori i pavarur dhe i paanshëm është institucioni me vlerën më të lartë në çdo shoqëri dhe përbën një shtyllë të domosdoshme të lirisë dhe sundimit të ligjit. Në të njëjtën kohë, në një sistem demokratik, çdo vend duhet të ofrojë një sistem drejtësie të cilësisë më të lartë të mundshme dhe të sigurojë llogaridhënien e pushtetit gjyqësor.
Ndërsa ushtrimi i të drejtës së ankimit dhe kontrolli nga një gjykatë më e lartë dhe brenda vetë pushtetit gjyqësor është mekanizmi i zbatuar tradicionalisht nga sistemet e drejtësisë për të garantuar kontrollin, cilësinë e një procesi gjyqësor, apo bazueshmërinë e së drejtës, sot ky mekanizëm po plotësohet me forma të tjera të jashtme kontrolli për të matur apo mbikëqyrur cilësinë e drejtësisë në kuadër të zhvillimit në mënyrën e duhur të proceseve gjyqësore dhe menaxhimin efektiv të organeve të sistemit të drejtësisë.
Ky mision i rëndësishëm, lidhur me garantimin e këtyre standardeve i është besuar institucioneve tona, institucioneve të inspektimit.
Në zbatim të akteve ndërkombëtare të cilat proklamojnë standardet ndërkombëtare dhe parimet e organizimit të pushtetit gjyqësor, shërbimet e inspektimit duhet të përshtatin dhe të aplikojnë metodologji të posaçme kontrolli, si dhe ky proces duhet të realizohet gradualisht dhe mbështetur në një sërë kriteresh, standarde dhe garanci të mirëpërcaktuara.
Këto standarde dhe garanci kanë të bëjnë me: (i) bazën ligjore e cila rregullon organizmin dhe funksionimin e institucioneve të inspektimit: (ii) format e organizimit dhe funksionimit të tyre: (iii) llojin dhe mënyrën e ushtrimit të kompetencave të kontrollit, mbikëqyrjes apo vlerësimit: (iv) përbërjen, kualifikimin dhe profesionalizimin e punonjësve; (v) pavarësinë substanciale, strukturore dhe financiare; apo (vi) miratimin dhe aplikimin e metodologjive të kontrollit apo vlerësimit të cilat janë të mbështetura në standarde të mirëpërcaktuara paraprakisht.
Në vendet me demokraci të konsoliduar, pushteti ekzekutiv ndonjëherë ka ndikim në vendimmarrjet lidhur me sistemin e drejtësisë. Sisteme të tilla mund të funksionojnë mirë në praktikë dhe të lejojnë një gjyqësor të pavarur, sepse këto pushtete janë të kufizuara nga kultura dhe traditat ligjore, të cilat janë rritur për një kohë të gjatë. Megjithatë, për vendet në trazicion dhe me demokraci të brishtë , të cilat nuk kanë pasur ende një shans për të zhvilluar këto tradita, nevojiten dispozita të qarta kushtetuese dhe ligjore si një mbrojtje për të parandaluar abuzimin politik.
Një mjet i përshtatshëm për garantimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor është krijimi i institucioneve të inspektimit të cilët janë të pajisur me garanci kushtetuese për përbërjen, kompetencat dhe pavarësinë e tyre.
Për sa i përket bazës ligjore e cila rregullon organizimin dhe funksionimit institucioneve të inspektimit vlen të theksohet se duke mbajtur në konsideratë objektin e veprimtarisë së tyre, rregullat lidhur me organizimin dhe funksionimin duhet të përcaktohen qartë dhe në mënyrë shteruese në aktet më të lartë hierarkikë legjislative si Kushtetuta apo të paktën në legjislacionin parësor të secilit vend. Kjo shërben si një garanci dhe stabilitet për veprimtarinë e tyre.
Në lidhje me formën e organizimit dhe funksionimit paraprakisht vlerësohet se institucionet inspektimit të sistemit të drejtësisë janë të organizuara në forma të ndryshme, si struktura ekzekutive pranë Ministrisë së Drejtësisë, si struktura pranë organeve quasi gjyqësore si Këshillat, organe këto kompetente për administrimin dhe qeverisjen e pushtetit gjyqësor, apo si institucione të pavarura. Në këtë kuadër, vlen të theksohet se nuk ka një model unik dhe të vetëm që të zbatohet për të gjitha vendet njësoj. Megjithatë pavarësisht formës së organizmit dhe funksionimit, në thelb të veprimtarisë së tyre duhet të qëndrojë respektimi i parimit të ndarjes së pushteteve.
Për sa i përket llojit dhe mënyrën e ushtrimit të kompetencave të kontrollit, mbikëqyrjes apo vlerësimit, kjo mund të ushtrohet në disa drejtime. Së pari duke ndërtuar një sistem përgjegjshmërie dhe llogaridhënës ndaj magjistratëve për sa i përket sjelljeve etike dhe veprimtarisë së tyre gjyqësore. Megjithatë, sistemi disiplinor duhet të jetë i qartë dhe transparent, me rregulla të mirëpërcaktuara. Sistemi llogaridhënës i magjistratëve nuk duhet të keqpërdoret nga ana e organeve të tjera të pushtetit me qëllim kontrollin dhe cenimin pavarësisë gjyqësore. Për më tepër, duhet mbajtur parasysh kur shqyrtohet përdorimi i masave disiplinore që këto duhet të jenë më tepër një masë e jashtëzakonshme.
Në të njëjtën kohë, efikasiteti i punës së magjistratëve nga njëra anë dhe i sistemeve të drejtësisë nga ana tjetër është kusht i domosdoshëm për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë individëve, për respektimin e kërkesave të një gjykimi të drejtë, për të pasur siguri juridike dhe për të garantuar besimin e publikut në shtetin e së drejtës. Në këtë kuadër, veprimtaria e magjistratëve, por edhe gjykatat, prokuroritë apo institucionet e tjera të drejtësisë duhet t`i nënshtrohen kontrollit apo vlerësimit në aspekt të cilësisë dhe efikasitetit të veprimtarisë së tyre.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm lidhur me organizimin dhe funksionimin e shërbimeve të inspektimit është garantimi i pavarësisë dhe paanshmërisë së veprimtarisë së tij. Shërbimi i inspektimit duhet të jetë i pavarur nga ekzekutivi dhe legjislativi dhe nga organi që vendos për vendosjen e sanksioneve disiplinore. Kjo duhet të realizohet nëpërmjet aplikimit të politikave apo masave të cilat synojnë garantimin e pavarësisë substanciale, strukturore dhe financiare të këtyre organeve. Nga ana tjetër për të siguruar besueshmëri dhe legjitimitet duhet që rekrutimi apo përzgjedhja e punonjësve të kryhet në bazë të meritave. Një pjesë e punonjësve të cilët angazhohen në proceset e kontrollit dhe vlerësimit duhet të jenë magjistratë dhe duhet të zgjidhen nga ana e pushtetit gjyqësor. Ndërsa pjesa tjetër e stafit duhet të zgjidhet mes individëve me kualifikimet e duhura ligjore.
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj!
Këshilli i Evropës ka zhvilluar gradualisht një sërë standardesh për efikasitetin dhe cilësinë e drejtësisë, duke u kujdesur për të respektuar dhe mbrojtur pavarësinë dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor. Kjo është realizuar dhe duke përcaktuar mjete konkrete për të përmirësuar funksionimin e sistemeve gjyqësore në vendet anëtare, si dhe duke lehtësuar zbatimin e instrumenteve ligjore ndërkombëtare në lidhje me efikasitetin dhe drejtësinë.
Legjislacionet kombëtare të vendeve të ndryshme ofrojnë modele të ndryshme të organizmit, funksionimit, apo raporte që organet inspektimit të sistemit të drejtësisë kanë me institucionet e tjera. Çdo model i përzgjedhur duhet kuptuar si rezultat i zhvillimeve historike, traditës ligjore dhe kushtetuese, apo asaj politike dhe sociale të secilit vend. Këta faktorë diktojnë dhe rezultatin e arritur.
Megjithatë, cilësia e drejtësisë është një prioritet i të gjitha vendeve. Përmirësimi i cilësisë së drejtësisë është një proces dinamik dhe në evoluim të vazhdueshëm. Realizimi i këtij qëllimi kërkon një nevojë të vazhdueshme për t’iu përgjigjur sfidave për identifikimin e mekanizmave të rinj të mbrojtjes së tyre. Ka probleme të cilat janë të njëjta për vendet e Bashkimit Evropian. Disa janë në bllok për të gjitha vendet e Këshillit të Evropës dhe të tjera janë specifike për secilin prej tyre.
Në këtë kuadër, të gjithë ne duhet të bashkëpunojmë. Të gjithë ne duhet të analizojmë dhe bashkërendojmë metodat e kontrollit dhe të vlerësimit të institucioneve të drejtësisë. Kjo duhet të realizohet nëpërmjet takimeve periodike; shkëmbimit të eksperiencave; unifikimit të metodave dhe praktikave më të mira në përputhje me standardet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës; krijimit të mekanizmave juridik, administrativ apo dhe praktik të bashkëpunimit; shkëmbimit të të dhënave; apo dhe ndihmës juridike të ndërsjelltë ndërmjet shteteve.
Në të njëjtën kohë, ky proces duhet të realizohet duke mbajtur në konsideratë zbatimin e standardeve të Bashkimit Evropian të transpozuara në legjislacionet kombëtare; parimet, frymën dhe jurisprudencën Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, apo Gjykatës Evropiane të Drejtësisë; aktet e Këshillit të Evropës; si dhe në aplikim të metodave, instrumenteve dhe praktikave më të mira të Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), për rritjen e cilësisë dhe efiçencës së sistemit gjyqësor.
Duke vepruar kështu, të gjithë ne do të kontribuojmë në funksionimin e duhur të organeve të sistemit të drejtësisë dhe në përmirësimin e cilësisë së sistemit të drejtësisë, duke arritur qëllimin tonë të përbashkët.
Ju faleminderit.