Drejtues dhe përfaqësues të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë nga vendet e Bashkimit Evropian do mblidhen në Tiranë më 24 dhe 25 Qershor 2022, me ftesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani për të diskutuar mbi temën “Interesi i publikut në administrimin e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve”.
Magjistratë të Shërbimeve të Inspektimit të Belgjikës, Bullgarisë, Francës, Greqisë, Italisë, Portugalisë, Rumanisë, Spanjës dhe Shqipërisë do diskutojnë mbi temën “Interesi i publikut në administrimin e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve”, në tre sesione pune me prezantime dhe diskutime në Pallatin Presidencial në Tiranë.
Kjo konferencë ndërkombëtare është organizuar nga Rrjeti Europian i Shërbimeve të Drejtësisë (RESIJ) dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në bashkëpunim me CEPEJ (Forcimi i Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri, SEJ III), e me mbështetjen e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.
Rrjeti Europian i Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ) është krijuar në vitin 2017 dhe ka në përbërje institucionet e inspektimit nga vende të Bashkimit Evropian, me mbështetjen e Komisionit Europian, ku Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka statusin e vëzhguesit prej dhjetorit 2021.
Konferenca është pjesë e aktiviteteve të RESIJ, ku përfaqësuesit e shërbimeve të inspektimit, anëtarë të RESIJ, në varësi të formës së organizimit, funksionimit apo kompetencave, do prezantojnë dhe do të shkëmbejnë eksperiencat, idetë dhe kërkimet e tyre, lidhur me tematikat të cilat do të trajtohen në konferencë.
Konferenca do jetë e hapur për mediat e me përkthim edhe në gjuhën shqipe.
Agjenda e plotë e Konferencës gjendet në faqen dedikuar saj https://conference.ild.al/home-al.html
Spotin e Konferencës Tirana 2022 mund ta shihni të plotë duke klikuar në videon më poshtë: