Faleminderit edhe një herë të gjithëve për angazhimin tuaj sot!
Agjenda ishte pak intensive, pasi çështjet e diskutuara ishin të shumta. Por ishte një debat i nevojshëm dhe shumë frytdhënës për të gjithë ne.
Jam përpjekur të mbaj shënime, për aq sa munda, si dhe njëkohësisht jam përpjekur të sintetizoj disa ndjesi dhe mendime, lidhur më çështjet e trajtuara sot. Por ato janë të shumta dhe koha në dispozicion nuk na premton. Megjithatë do përpiqem të trajtojë disa prej tyre.
Personalisht mendoj, por edhe për sa u parashtrua nga pjesëmarrësit në këtë tryezë vlen të theksohen disa momente:
CILËSIA E DREJTËSISË
- Cilësia e drejtësisë është një prioritet i të gjitha vendeve. Ka probleme të cilat janë të njëjta për vendet e Bashkimit Evropian. Disa janë në bllok për të gjitha vendet e Këshillit të Evropës dhe të tjera janë specifike për secilin prej tyre.
- Përmirësimi i cilësisë së drejtësisë është një proces dinamik dhe në evoluim të vazhdueshëm. Realizimi i këtij qëllimi kërkon një nevojë të vazhdueshme për t’iu përgjigjur sfidave për identifikimin e mekanizmave të rinj të mbrojtjes së tyre.
- Veprimtaria e magjistratëve, por edhe gjykatat, prokuroritë apo institucionet e tjera të drejtësisë duhet t`i nënshtrohen kontrollit apo vlerësimit në aspekt të cilësisë dhe efikasitetit të veprimtarisë së tyre.
- Koncepti i “cilësisë së drejtësisë” nuk përfshin vetëm cilësinë e vendimeve gjyqësore, të cilat përgjithësisht janë objekt kontrolli brenda vetë pushtetit gjyqësor, por përfshinë një sërë elementesh të cilat lidhen me mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë si qartësia e zhvillimit të procedurave dhe vendimeve gjyqësore, aksesi i individëve të organet e sistemit të drejtësisë, infrastruktura, afatet apo mekanizmat e vënë në dispozicion të publikut.
- Efikasiteti i punës së magjistratëve nga njëra anë dhe i sistemeve të drejtësisë nga ana tjetër është kusht i domosdoshëm për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë individëve, për respektimin e kërkesave të një gjykimi të drejtë, për të pasur siguri juridike dhe për të garantuar besimin e publikut në shtetin e së drejtës.
BESIMI I PUBLIKUT
- Niveli i besueshmërisë së qytetarëve në organet e drejtësisë është element mjaft i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë. Në demokraci drejtësia jepet në emër të qytetarëve. Besimi i publikut është i domosdoshëm për sundimin e ligjit dhe ky legjitimin kërkon angazhimin e të gjitha shoqërive për të ruajtur këtë besim.
- Besimi i publikut dhe respekti për gjyqësorin janë garanci të demokracisë dhe stabilitetit në një shoqëri demokratike. Niveli i besueshmërisë së qytetarëve në organet e drejtësisë është element mjaft i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë, pasi ai është një tregues i rëndësishëm për të vlerësuar se si funksionon sistemi i drejtësisë dhe sundimi i ligjit në një vend.
- Në këtë kuadër, një magjistrat nuk duhet të jetë përgjegjës vetëm respektimin apo jo të normave ligjore, por edhe ndaj njerëzve, shoqërisë si dhe organeve të pushtetit shtetëror. Duke ndikuar kështu, në mënyrë të drejtpërdrejtë në perceptimin dhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
- Megjithatë fitimi i besimit të publikut, nuk do të thotë që pushteti gjyqësor duhet të jetë në një trysni të vazhdueshme për të dhënë vendime të cilat duhet t`i pëlqejnë publikut, apo publiku duhet të pajtohet domosdoshmërisht me to. Madje gjykatat duhet të jenë të pavarura dhe nuk duhet të ndikohen nga perceptimi i publikut mbi një çështje të caktuar.
- Një vendim gjyqësor mund të ngjall kundërshtim publik deri dhe zemërim apo ndjenjë proteste. Por në këtë rast rëndësi ka REAGIMI. Mënyra se si publiku reagon ndaj një vendimi gjyqësor, si dhe debati i krijuar shërben jo vetëm si frymëzim dhe si një ndihmesë për formimin e karakterit social dhe politik të shoqërisë një vendi, por edhe si tregues i nivelit të besimit të tij ndaj sistemit të drejtësisë.
- Vendimet gjyqësore mund t`i nënshtrohen diskutimit dhe debatit publik, por janë gjithmonë të detyrueshme për zbatim. Forma më e lartë e besimit të publik në sistemin e drejtësisë është respekti dhe njohja e “legjitimitetit” të organeve të pushtetit gjyqësor. Kjo arrihet atëherë kur qytetarët e një vendi njohin, zbatojnë dhe respektojnë me devotshmëri vendimet e pushtetit gjyqësor, duke pranuar “legjtimitetin” e tij në çdo rast, pavarësisht nëse janë dakord me të.
- Tashmë sfida e të gjithëve ne nuk është më koha për të fituar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por ndërtimi i një sistemi drejtësie, i cili të respektohet nga ana e tij.
PAVARËSIA E MAGJISTRATËVE
- Sistemi i drejtësisë krahas veçorive dhe specifikave të cilat mund të ketë në vende të ndryshme, ai karakterizohet nga të njëjtat vlera, si dhe funksionon mbi të njëjtat standarde ndërkombëtare dhe parime të organizimit apo funksionimit të tij.
- Parimet themelore të aplikuara për organizimin e pushtetit gjyqësor mbështeten në parimin universal të pavarësisë gjyqësore. Gjyqësori i pavarur dhe i paanshëm është institucioni me vlerën më të lartë në çdo shoqëri dhe përbën një shtyllë të domosdoshme të demokracisë dhe sundimit të ligjit.
- Pavarësia e pushtetit gjyqësor mund të shoqërohet me ndryshime strukturore, institucionale dhe ligjore, por ajo mund të ketë sukses vetëm kur shoqëria e një vendi të ketë besim në legjitimin e pushtetit gjyqësor dhe të tregojë një përkushtim real ndaj këtij standardi.
- Ekziston një prirje e rëndësishme për të siguruar pavarësinë e pushtetit gjyqësor me rrugë të garancive formale dhe procedurave fikse. Edhe pse është e rëndësishme të pranojnë që sistemet gjyqësore në vende të ndryshme kanë pasur evoluim apo rrugëtime të ndryshme të konsolidimit të tyre. Megjithatë, është i diskutueshëm fakti nëse duhet të aplikohet një standard ndërkombëtar uniform.
SISTEMI LLOGARIDHËNËS
- Duhet pranuar se rritja e kompetencës dhe pavarësisë së magjistratëve duhet të shoqërohet me një sistem llogaridhënës
- Kjo sepse pavarësia nuk është privilegj, por është përgjegjësi. Në rastin konkret duhet të eksitojë një proces i vazhdueshëm i balancimit të pavarësisë dhe llogaridhënies. Këto procese duhet të karakterizohen nga veprimi dhe kundër reagimi në të njëjtën kohë. Sa më shumë kompetenca të zotërojë pushteti gjyqësor, aq më të larta duhet të jenë kërkesat për llogaridhënie.
- Funksioni i magjistratëve të pavarur dhe të ngarkuar me interpretimin dhe zbatimin e ligjit njihet në mënyrë universale si tipari themelor i shtetit demokratik modern, gur themeli i vetë shtetit të së drejtës, por ky pushtet nuk është absolut. Kjo pasi magjistratët janë përfaqësues të organeve publike dhe ato kanë vetëm atë pushtet çfarë u cakton rendi juridik.
- Për këtë qëllim, është e nevojshme që organet e qeverisjes së gjyqësorit të kenë një qasje aktive ndaj sistemit llogaridhënës të magjistratëve duke aplikuar qasje të reja, të cilat konsistojnë në aplikimin në mënyrë të kombinuar e standardeve të përgjegjshmërisë dhe përgjegjësisë së tyre.
- Sistemi llogaridhënës i magjistratëve nuk duhet të keqpërdoret nga ana e organeve të tjera të pushtetit me qëllim kontrollin dhe cenimin pavarësisë gjyqësore.
- Sistemi llogaridhënës duhet të udhëhiqet pikësëpari nga nocioni i përgjegjshmërisë së magjistratëve, si një mekanizëm parandalues dhe që siguron ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm.
SITEMI I PËRGJEGJËSISË
- Në rast se këto mjete nuk rezultojnë efektive, atëherë në raste përjashtimore, si dhe në varësi të rrethanave të caktuara mund të aplikohen masat mbi përgjegjësinë penale, civile apo disiplinore të tyre, si dhe gjithmonë në kuadër të një procesi të rregullt ligjor, sipas kërkesave të nenit 6/1 të KEDNJ-së
- Rrjedhoja më e rëndësishme e parimit të pavarësisë së magjistratëve është mos përgjegjësia për vendimet që japin sipas bindjes së tyre, mbështetur në ligj. Megjithatë, pasoja e pushtetit dhe besimi që shoqëria i jep magjistratëve është e tillë që duhet të ketë disa mënyra për t‘i mbajtur përgjegjës, përfshi edhe largimin nga detyra, në rast të shkeljeve që justifikojnë këtë veprim.
ORGANZIMI DHE FUNKSIONIMI I SHËRBIMEVE TË INSPEKTIMIT
- Legjislacionet kombëtare të vendeve të ndryshme ofrojnë modele të ndryshme të organizmit, funksionimit, apo raporte që organet inspektimit të sistemit të drejtësisë kanë me institucionet e tjera.
- Çdo model i përzgjedhur duhet kuptuar si rezultat i zhvillimeve historike, traditës ligjore dhe kushtetuese, apo asaj politike dhe sociale të secilit vend. Këta faktorë diktojnë dhe rezultatin e arritur.
- Ndërsa ushtrimi i të drejtës së ankimit dhe kontrolli nga një gjykatë më e lartë dhe brenda vetë pushtetit gjyqësor është mekanizmi i zbatuar tradicionalisht nga sistemet e drejtësisë për të garantuar kontrollin, cilësinë e një procesi gjyqësor, apo bazueshmërinë e së drejtës, sot ky mekanizëm po plotësohet me forma të tjera të jashtme kontrolli për të matur apo mbikëqyrur cilësinë e drejtësisë në kuadër të zhvillimit në mënyrën e duhur të proceseve gjyqësore dhe menaxhimin efektiv të organeve të sistemit të drejtësisë.
- Ky mision i rëndësishëm, lidhur me garantimin e këtyre standardeve i është besuar institucioneve tona, institucioneve të inspektimit.
- Shërbimet e inspektimit duhet të përshtatin dhe të aplikojnë metodologji të posaçme kontrolli, si dhe ky proces duhet të realizohet gradualisht dhe mbështetur në një sërë kriteresh, standarde dhe garanci të mirëpërcaktuara.
- Rregullat lidhur me organizmin dhe funksionimin e tyre duhet të përcaktohen qartë dhe në mënyrë shteruese në aktet më të lartë hiearkike legjislative si Kushtetuta apo të paktën në legjislacionin parësor të secilit vend. Kjo shërben si një garanci dhe stabilitet për veprimtarinë e tyre.
- Një aspekt tjetër i rëndësishëm lidhur me organizimin dhe funksionimin e shërbimeve të inspektimit është garantimi i pavarësisë dhe paanshmërisë së veprimtarisë së tij. Shërbimi i inspektimit duhet të jetë i pavarur nga ekzekutivi dhe legjislativi dhe nga organi që vendos për vendosjen e sanksioneve disiplinore. Kjo duhet të realizohet nëpërmjet aplikimit të politikave apo masave të cilat synojnë garantimin e pavarësisë substanciale, strukturore dhe financiare të këtyre organeve. Nga ana tjetër për të siguruar besushmëri dhe legjitimitet duhet që rekrutimi apo përzgjedhja e punonjësve të kryhet në bazë të meritave.
BASHKËPUNIMI NDËRMJET INSPEKTORIATEVE
- Për të arritur këto të gjithë ne duhet të bashkëpunojmë. Të gjithë ne duhet të analizojmë dhe bashkërendojmë metodat e kontrollit dhe të vlerësimit të institucioneve të drejtësisë.
- Kjo duhet të realizohet nëpërmjet takimeve periodike; shkëmbimit të eksperiencave; unifikimit të metodave dhe praktikave më të mira në përputhje me standardet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës; krijimit të mekanizmave juridik, administrativ apo dhe praktik të bashkëpunimit; shkëmbimit të të dhënave; apo dhe ndihmës juridike të ndërsjelltë ndërmjet shteteve.
- Në të njëjtën kohë, ky proces duhet të realizohet duke mbajtur në konsideratë zbatimin e standardeve të Bashkimit Evropian të transpozuara në legjislacionet kombëtare; parimet, frymën dhe jurisprudencën Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, apo Gjykatës Evropiane të Drejtësisë; aktet e Këshillit të Evropës; si dhe në aplikim të metodave, instrumenteve dhe praktikave më të mira të Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), për rritjen e cilësisë dhe efiçencës së sistemit gjyqësor.
- Duke vepruar kështu, të gjithë ne do të kontribuojmë në funksionimin e duhur të organeve të sistemit të drejtësisë dhe në përmirësimin e cilësisë së sistemit të drejtësisë, duke arritur qëllimin tonë të përbashkët.
Këto janë disa nga mendimet e mia lidhur me aktivitetin e sotëm.
Megjithatë nuk doja të përfundoja këtë fjalë pa shprehur disa mirënjohje dhe falënderime.
Faleminderit Këshillit të Evropës; Faleminderit CEPEJ, faleminderit Roland, Muriel dhe Olsi për kontributin e vazhdueshëm qe jep duke ngritur kapacitetet e vendeve anëtare mbi organizmin dhe funksionimin e sistemeve gjyqësore, duke elaboruar vazhdimisht instrumente dhe mekanizma ligjore ndërkombëtare lidhur me efikasitetin, cilësinë apo vlerësimin e sistemeve të drejtësisë. Në të njëjtën kohë, krahas mbështetjes teknike, pa mbështetjen financiare të KE, këto aktivitete nuk do të ishin bërë të mundura. Faleminderit për mbështetjen dhe profesionalizmin e treguar.
Në këtë rast gjithashtu dua të shpreh mirënjohjen edhe për RESIJ, faleminderit Delphine, Lucian dhe kolegëve të tjerë. RESIJ na solli të gjithë ne bashkë sot këtu. ILD është pjesëmarrësi më i ri në RESIJ, por gjatë kësaj kohe të shkurtër kam pasur një bashkëpunim intensiv dhe shumë të dobishëm me këtë Rrjet. Organizimi i sotëm, është një tregues i qartë që Rrjeti funksionon dhe sjell rezultate konkrete dhe produkt në punën e tij. Për këtë arsye, ne duhet të tregojmë besim dhe duhet të kemi vullnetin e mirë t`a çojmë përpara këtë iniciativë.
Faleminderit të gjithë drejtuesve dhe përfaqësuesve të shërbimit të inspektimit, përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë, të cilët ndan me shumë profesionalizëm eksperiencat e vendeve të tyre, modelet e organizmit dhe funksionimit të shërbimeve të inspektimit, standardet apo metodat më mira të cilat të gjithë ne duhet të ndjekim.
Dhe në fund një falënderim të veçantë për stafin e zyrës së ILD dhe bashkëpunëtorët e mi, Linda, Dëshira, Moza, Klodi, Adela e të gjithë stafit, që kanë punuar shumë, deri në orët e vona për këtë aktivitet. Ju shpreh mirënjohje për impenjimin tuaj, angazhimin, si dhe mbështetjen që më keni dhënë për të ndërmarrë përsipër këtë iniciativë.
Të nderuar pjesëmarrës!
Kur po konceptoja bashkë me kolegët e mi ndërmarrjen e kësaj konference kishim disa dilema të mëdha. Cila do të ishte tema e kësaj konference?! Cilat do të ishin çështjet e përbashkëta që na bashkojnë të gjithëve ne ?! Cilat janë dallimet ?! Apo mbase për sa theksova edhe fjalën time përshëndetëse diversiteti jonë politik, juridik apo social, krijon në distancë dhe ndasi shumë të madhe ndërmjet nesh, e cila nuk mund afrohet, apo nuk mund të na sjellë të gjithëve bashkë për të ndarë me njërin-tjetrin ide, problematika të njëjta, apo rrugët e duhura për zgjidhjen e tyre.
Por jo, ky aktivitet tregoi të kundërtën! Tani mund të them me gjithë bindjen time se ky organizim ja vlejti dhe ka arritur qëllimin për të cilin u konceptua.
Kjo për faktin se në themel të saj qëndroi besimi jonë i përbashkët në vlerat evropiane si demokracia dhe shteti i së drejtës, partneriteti, komunikimi i suksesshëm, si dhe vullneti i mirë për të kontribuar në zhvillimin e rolit të shërbimeve të inspektimit.
Tani që ky aktivitet është në fazën përmbyllëse të tij, them se kjo traditë duhet të vazhdojë dhe ky është vetëm fillimi i një procesi të gjatë bashkëpunimi dhe ndërveprimit ndërmjet nesh.
Faleminderit të gjithëve!