INTERVISTË E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË ARTUR METANI DHËNË PËR EMISIONIN “BREAKING” NË TOP NEWS

Gazetarja Elisa Gjerani: Do flasim për drejtësinë. Gjatë ditës së premte është mbajtur një konferencë ndërkombëtare me homologë të vendeve të BE-së, për të diskutuar për sistemin shqiptar të drejtësisë. Kam kënaqësinë të kemi në një lidhje në ‘Skype’, Zotin Metani, Inspektor i lartë i drejtësisë. Faleminderit Zoti Metani!

 

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Z. Artur Metani: Faleminderit për ftesën.  

Gazetarja: A ka ngjashmëri sistemi shqiptar i inspektimit të gjyqtarëve e prokurorëve me atë të vendeve të BE? Cilat janë sfidat parë nga ky këndvështrim?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Z. Artur Metani: Konferenca që u organizua në Tiranë të premten, me Shërbimet e Inspektimit të Drejtësisë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Inspektorit shqiptar është në kuadër të aktiviteteve, që Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në Shqipëri, po organizon në raport me dimensionin ndërkombëtar të kësaj zyre. Që në momentin e krijimit të kësaj zyre, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka qenë në kontakt me Rrjetin Europian të Shërbimeve të Inspektimit (RESIJ) dhe tashmë që Inspektori shqiptar është pjesë e këtij rrjeti, në kuadër të këtij bashkëpunimi u organizua edhe kjo konferencë. Format e organizimit të Shërbimeve të Inspektimit në Evropë, janë të ndryshme. Do përmendja tre kryesore. Një është modeli shqiptar, ku Inspektori i Lartë i Drejtësisë është një organ i pavarur i zgjedhur nga Kuvendi, i pavarur nga Këshillat, i pavarur nga Ministri i Drejtësisë, apo nga institucione të tjera të drejtësisë. Ka sisteme siç i ka Italia apo Franca, në të cilat Inspektori apo Shërbimet e Inspektimit janë në varësi të Ministrit të Drejtësisë. Ka edhe vende të tjera të cilat ofrojnë një panoramë tjetër të organizimit, siç është raporti apo varësia që ka Inspektori, apo shërbimi i inspektimit, pra është në varësi të Këshillit të Lartë Gjyqësor sipas rastit. Por format e organizimit për idenë e kësaj konference nuk është se ndryshonin shumë, por e rëndësishme ishte tematika apo parimet për të cilat u mblodhën të diskutonin Shërbimet e Inspektimit. Kjo sepse pavarësisht dallimeve që vendet kanë, sistemet kanë apo shërbimet e inspektimit kanë, problematikat mbeten të njëjta, edhe pavarësisht nivelit të adresimit të këtyre problematikave.  

Gazetarja: E qartë, nga ana tjetër tema e konferencës tuaj ishte për pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por në vendin tonë jo pak herë ka pasur debate dhe pakënaqësi që kanë shoqëruar vendimet e dhëna nga Gjykatat apo Prokuroritë, çfarë mund të bëhet në lidhje me këtë? Çfarë ka bërë Institucioni juaj për mbarëvajtjen e të gjithë kësaj?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Z. Artur Metani: Raporti midis interesit të publikut për administrimin e drejtësisë, pra mënyra se si e ushtrojnë detyrën gjyqtarët dhe prokurorët nga njëra anë dhe nga ana tjetër pavarësia e tyre, si një element i rëndësishëm për funksionimin demokratik të shoqërisë është një raport dhe një balancë që nuk është e lehtë për t’u gjetur, pasi është një raport apo një balancë prezente kudo. Sipas konkluzioneve të konferencës,  ky është një dimension të cilin e prekin të gjitha vendet, pavarësisht nivelit, ndryshimit të sistemit demokratik, politik apo institucional të shërbimeve të inspektimit a të gjykatave dhe prokurorive. E rëndësishme është që shoqëritë duhet të gjejnë balancën e duhur midis dy interesave të rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë. Shqipëria padyshim i ka më të mprehta këto probleme sepse e tillë është situata në të cilën gjendet Shqipëria, edhe pas miratimit të reformës në Shqipëri. Më e rëndësishmja është që nxehtësia e momentit, apo mprehtësia e problematikave me të cilat ne përballemi sot, të mos na e heqë vëmendjen nga fokusi kryesor, që duhet të jetë gjetja e balancës së duhur, sepse gjetja e kësaj balance së duhur nuk është për të zgjidhur një situatë sot, është për të parë apo për të krijuar një platformë dhe vizion për funksionimin e institucioneve për vitet e ardhshme, për dekadat që vijnë, sepse një precedent i keq sot është një precedent që nuk mund të zhbëhet që nesër. Për këtë arsye edhe investimi apo nismat që merr Inspektori i lartë i Drejtësisë në kuadër të kompetencave që ai ka shihen në këtë prizëm dhe përpiqen, që të përfshijnë pikërisht këtë balancë demokratike, kushtetuese, që është e rëndësishme jo për Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që është e rëndësishme jo për gjyqtarët, por është në fakt e shëndetshme për shoqërinë, për zhvillimin demokratik të shoqërisë.

Gazetarja: Në fakt si institucion keni 2 vite e 4 muaj që monitoroni sjelljen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në drejtim të zbatimit të normave etike dhe profesionale. Çfarë ndryshimi mendoni që keni sjellë në këto dy vite e gjysëm?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Z. Artur Metani: Kjo është një pyetje e rëndësishme dhe themelore, e nuk do të doja që të ishte Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që t’i përgjigjej se çfarë është bërë mirë dhe çfarë është bërë keq, nga kjo zyrë. Këtë e vlerëson shoqëria, këtë e vlerësojnë institucionet përkatëse. E rëndësishme për mua apo do të doja që ky vlerësim të ishte i bazuar në indikatorë dhe në analiza konkrete profesionale dhe jo në perceptime. Kjo është shumë e rëndësishme, jo thjesht për vlerësimin e punës të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por për vlerësimin e punës së çdo institucioni të dalë nga reforma në drejtësi sepse padyshim pritshmëritë ishin të mëdha, problematikat me të cilat po haset sistemi janë shumë të mëdha, institucionet po funksionojnë. Por se si po funksionojnë dhe si po ecin duhet të maten në bazë, jo të një perceptimi, jo të një vlerësimi të përgjithshëm, por në bazë të indikatorëve dhe treguesve profesionalë, shkencorë dhe analitikë. Ajo që është e rëndësishme për institucionin është që të punojmë. Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që nga momenti i krijimit të tij është munduar që të prekë çdo dimension të fushës që ai mbulon, të ushtrojë çdo kompetencë që ai ka. Për të sjellë një shifër, vetëm vitin e kaluar Institucioni i Inspektorit të Lartë të drejtësisë, ka kryer 18 procedime disiplinore, disa me masa të rënda siç janë shkarkimet, disa me masa më të lehta, pikërisht për të treguar, së pari gjyqtarëve dhe prokurorëve që sistemi po funksionon, që Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është aktive, është këtu dhe po monitoron në mënyrë kushtetuese punën e çdo gjyqtari dhe prokurori. Por gjithashtu për t’i treguar edhe qytetarëve edhe institucioneve që zyra po ashtu funksionon, dhe që çdo pretendim dhe çdo ankesë që qytetarët apo institucionet kanë ndaj sistemit gjyqësor, të adresohet në këtë institucion, se do të gjejnë përgjigje sipas atyre parashikimeve që janë në ligj. Për mua kjo është e rëndësishme që të krijojmë besimin që sistemi po funksionon, që sistemi duhet respektuar, që çdo ankesë duhet të vijë në këtë zyrë, për t’u trajtuar në mënyrë ligjore, siç e ka parashikuar ligji këtë gjë, dhe hap pas hapi sistemi do fillojë të rimarrë veten, nëse ne respektojmë sistemin që kemi ngritur, sistemin të cilin duam ta respektojmë, sistemin i cili në mënyrë absolute do na garantojë funksionim demokratik të institucioneve. Vetëm kështu mund të ecim përpara në mënyrë demokratike, duke respektuar sistemin, të cilin kemi ngritur dhe vlerat për të cilat u ngritën institucionet e reja.

Gazetarja: Reforma në drejtësi në fakt u miratua dhe bashkë me të lindën një sërë pritshmërish jo vetëm nga publiku, por edhe nga institucione të tjera që menduan që do të gjenin drejtësi në bazë të kësaj reforme. A mendoni ju se sot e ka përmbushur misionin për të cilën u krijua?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Z. Artur Metani: Është shpejt për ta dhënë këtë përgjigje, sepse minimalisht Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për shembull, ka vetëm dy vite që është krijuar, pra është shumë shpejt për të dhënë analiza të tilla. E para unë vlerësoj arkitekturën e re të sistemit të drejtësisë. Për mua është një arkitekturë shumë e mirë që funksionon, është një arkitekturë që ruan pikërisht atë që është e rëndësishme për institucionet, pra ndarja dhe balancimi i pushteteve. Sot nuk ka asnjë mundësi që institucionet e reja të drejtësisë të mbivendosen; sot nuk ka asnjë mundësi që institucionet e reja të drejtësisë të ndikojnë në mënyrë antikushtetuese mbi punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve; sot nuk ka asnjë mundësi që politika apo grupet e tjera të interesit, të ndikojnë, në kuptimin negativ të fjalës, në punën e institucioneve të drejtësisë dhe rrjedhimisht në punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Unë e vlerësoj këtë model që ne kemi zgjedhur. Padyshim është herët për të thënë që ky model është më i miri, është herët për të thënë që ky model funksionon tërësisht, është herët për të thënë nëse ky model duhet ndryshuar apo jo, sepse për të dhënë një vlerësim të tillë, e para çdo organ duhet të kalojë ciklin e vet sistemik. E dyta situata në Shqipëri, edhe për shkak të kësaj reforme është në një gjendje traumatike dhe kjo është një gjë që e pranojmë të tërë dhe sfida nuk është për të pranuar këtë gjë. Sfida është për të gjetur zgjidhje sa më shpejt, që t’i përgjigjen sa më shpejt pritshmërive të qytetarit. Këtë po përpiqen të bëjnë institucionet, së pari Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por besoj edhe institucionet e tjera, që po japin rezultatet e veta. Efektet e këtyre rezultateve padyshim nuk janë automatike dhe mekanike dhe ta japin një efekt për rritjen e pritshmërisë dhe besimit për 24 sekonda, apo për 24 orë. Kjo do kohën e vet të përballjes me këto vlera për të cilat u krijuan institucionet e drejtësisë dhe të cilat po japin. E rëndësishme është që institucionet po prodhojnë, po prodhojnë, po punojnë dhe po prodhojnë, pak më shumë, pak më pak, nuk ka rëndësi, rëndësi ka që sistemi po funksionon.

Gazetarja: Së fundmi, keni ju një koment për hartën e re gjyqësore?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Z. Artur Metani: Zyra e Inspektorit të Lartë të drejtësisë, nuk ka qenë pjesë e diskutimeve për hartën e re gjyqësore, sepse ligji ka parashikuar organet që merren me ideimin, konceptimin dhe miratimin e kësaj harte, siç është Këshilli i Lartë Gjyqësor, pastaj Ministri i Drejtësisë, dhe më pas Këshilli i Ministrave. Kështu që nuk kam koment për këtë.

Gazetarja: Faleminderit shumë Zoti Metani që ishit në Breaking.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Z. Artur Metani: Faleminderit Ju.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni në videon si më poshtë.