Ekipi i Inspektorëve dhe ndihmës inspektorëve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Sekretari i Përgjithshëm dhe anëtarë të Kabinetit, zhvilluan një sesion trajnimi online me Inspektoratin e Shërbimit të Prokurorisë të Kurorës së Madhërisë së Saj, të Mbretërisë së Bashkuar.
Në fjalën përshëndetëse, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani shprehu kënaqësinë për këtë bashkëpunim të ri, si pjesë e vizionit të institucionit për një rritje të vazhdueshme të kapaciteteve. “Duke qenë një institucion i ri i drejtësisë, ILD synon ngritjen dhe forcimin e praktikave e standardeve më të mira të punës për të kontribuar në përmirësimin e cilësisë së sistemit të drejtësisë dhe rritjen kështu të besimit të publikut. Ne e vlerësojmë shumë asistencën në këtë drejtim nga çdo partner ndërkombëtar”.
Zëvendës Kryeinspektorja e Mbretërisë së Bashkuar, Znj. Lisa Morris tha se është privilegj për ne të ndajmë eksperiencën tonë me inspektorë nga vende të tjera sa i takon inspektimit, si fokusi i punës sonë dhe kjo na ndihmon të kuptojmë problematikat që kanë shërbimet e tjera të inspektimit.
Znj. Morris dhe Inspektorë të lartë ligjorë, Inspektorë të menaxhimit të biznesit, Inspektorë ligjorë të Inspektoratit britanik bënë prezantimin e punës së tyre në drejtim të rolit, përgjegjësisë e vlerave të institucionit.
Inspektorët dhe ndihmës inspektorët e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u informuan mbi procedurën e inspektimeve, përcaktimin dhe planifikimin e tyre, mënyrën e organizimit, para-inspektimi, vizitat në vendndodhje, vlerësimin e situatës dhe përgatitjen e raportit hetimor.
Gjatë trajnimit u diskutua edhe mbi inspektimet tematike të përbashkëta si dhe dallimet në metodologjinë e tyre.
Ky trajnim me Inspektoratin e Shërbimit të Prokurorisë të Kurorës së Madhërisë së Saj, të Mbretërisë së Bashkuar është në vijim të fuqizimit të kapaciteteve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me praktikat më të mira të punës me partnerë ndërkombëtarë, sa i takon hetimit disiplinor e inspektimit.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka zyrtarizuar tashmë bashkëpunime të veçanta me homologët e Shërbimeve të Inspektimit të Rumanisë, Italisë e Bullgarisë, me Rrjetin Evropian të Shërbimeve të Inspektimit (RESIJ), pjesë e të cilit është ILD, si dhe që prej ngritjes si institucion me misionet asistuese për drejtësinë CEPEJ, EURALIUS e OPDAT.