Mirëmëngjesi të gjithëve,
Është kënaqësi të jem në këtë tryezë ku do diskutohet mbi temën e komunikimit të institucioneve të drejtësisë me median e publikun dhe gjej rastin të falenderoj Këshillin e Evropës për këtë organizim, por edhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj institucioneve tona përmes CEPEJ.
Komunikimi është një fushë shumë e gjerë, e në evoluim të vazhdueshëm, po aq sa vetë teknologjia e informacionit dhe padyshim që çdo eksperiencë, model e praktikë është e nevojshme për një ndërveprim efikas me opinionin publik dhe median, me synim sjelljen e punës dhe veprimtarisë së sistemit të drejtësisë sa më pranë publikut, direkt apo përmes medias, në mënyrë sa më të arritshme e transparente.
Tashmë mbi 5 vjet nga miratimi i Reformës në Drejtësi, një nga sfidat kryesore për secilin nga institucionet tona mbetet pritshmëria publike për punën dhe rezultatet e sistemit, për një drejtësi që vepron njëlloj ndaj padrejtësisë e kulturës së pandëshkueshmërisë. Prandaj puna e institucioneve të drejtësisë vëzhgohet, gjykohet e paragjykohet, diku me të drejtë e diku jo. Jetojmë në kohë sfidash, ku rendja pas sensacionit apo përfitimit politik të ditës, fatkeqësisht është bërë një një trend, i cili le pak ose aspak hapësirë për përmbajtjen, për mendimin e thelluar e profesional. Dashje pa dashje edhe institucionet e drejtësisë përballen me këtë situatë, natyrisht bashkë me problematikat e veta. Por kjo nuk duhet të na bëjë të stepemi apo të mbyllemi në komunikimin publik. Personalisht mendoj se nuk duhet të kemi frikë nga kritikat, sepse nuk mund të vetëkonsiderohemi të pagabueshëm, por padyshim që duhet të dimë të qëndrojmë mbi interesat e ditës së aktorëve e faktorëve publikë, duke u fokusuar tek misioni ynë.
Mendoj se një mekanizëm shumë i mirë mbrojtës është transparenca, përmes një strategjie të mirë komunikimi, për prezantimin cilësor të punës sonë, si për rritjen e forcimin e besimit të publikut tek drejtësia, ashtu edhe për fuqizimin e funksionimit dhe rolit të vetë institucioneve tona, në arritjen dhe ruajtjen e pavarësisë dhe paanshmërisë së magjistratëve.
Padyshim që në epokën e fake news, kjo nuk është e lehtë sepse pikërisht “lajmet e rreme” janë ato që rrisin paragjykimin reciprok mes institucioneve e medias dhe publikut përmes saj. Por duke mos e parë si pengesë, por si mundësi, një strategji e mirë komunikimi do ndihmonte për t’u përballur me këto sfida, së pari duke ndërtuar një marrëdhënie korrekte me median, pikërisht bazuar në fokusin e përbashkët, që si institucione kemi me të: opinionin publik. Sa më mirë të komunikojmë punën dhe aktivitetin tonë, aq më mirë do kuptohen ato në publik. E për këtë padyshim që kemi nevojë për të diskutuar e marrë ekspertizën më të mirë. Sa dhe si duhet komunikuar? Si duhet të përballojmë situatat sfiduese? Këto dhe të tjera pyetje padyshim që do marrin përgjigje gjatë këtyre dy ditëve nga ekspertët e nderuar të Këshillit të Evropës, por edhe kolegët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë që ka iniciuar këtë tryezë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.