Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani priti deputetë – anëtarë të Komisionit Parlamentar për Çështjet Federale dhe Evropiane, Media dhe Kulturë të Landit Zaksen Anhalt (Sachsen-Anhalt) të Republikës Federale të Gjermanisë.
Delegacioni gjerman po zhvillon një vizitë zyrtare disa ditore në vendin tonë për t’u njohur me zhvillimet në Shqipëri dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Z. Metani bëri një prezantim të funksionit dhe detyrave të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si autoriteti shtetëror përgjegjës për hetimin e shkeljeve, për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve, prokurorëve në të gjitha nivelet e sistemit, si dhe për inspektimin e gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.
Gjatë bashkëbisedimit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë iu përgjigj interesit të deputetëve mbi procedurat e punës së ILD-së dhe rolin e institucionit në kuadër të reformës në drejtësi, në kontribuimin për një sistem gjyqësor sa më llogaridhënës, të përgjegjshëm dhe me integritet.