BASHKËPUNIMI ME CEPEJ, HISTORI SUKSESI PËR ILD-NË

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, e përfaqësuar nga Inspektorja jomagjistrate Znj. Joana Asimi, përcolli gjatë një konference rajonale, në Budva të Malit të Zi, eksperiencën e ILD si një prej institucioneve përfituese të programit “Instrumenti Horizontal i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, përmes projektit të Forcimit të Efiçencës dhe Cilësisë së Drejtësisë në Shqipëri, CEPEJ.

Në sesionin mbi efiçencën e drejtësisë, të kësaj konference, Znj. Asimi mbajti fjalën “Forcimi i Cilësisë dhe eficencës së drejtësisë në Shqipëri (SEJ III), eksperienca e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.”

“Bashkëpunimi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me Projektin “Forcimi i Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri” (SEJIII) filloi që në muajt e parë të ekzistencës së ILD-së, në vitin 2020- tha mes të tjerash Inspektorja Asimi,- duke u nisur nga identifikimi i fushave të asistencës, tek zhvillimi i kapaciteteve dhe ndërlidhja me institucione homologe europiane. Ky bashkëpunim solli si rezultat antarësimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në Rrjetin Evropian të Shërbimeve të Inspektimit (RESIJ), për shkëmbimin e eksperiencave dhe krijimin e praktikave të inspektimit, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane, e më tej organizimin në Tiranë, në qershor 2022, të Konferencës Ndërkombëtare me temë “Interesi i publikut në administrimin e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve”. Konferenca, e para e kësaj natyre në Shqipëri, bëri bashkë drejtues dhe përfaqësues të shërbimeve të inspektimit të drejtësisë nga vendet e Bashkimit Europian, konkretisht të Belgjikës, Bullgarisë, Francës, Greqisë, Italisë, Portugalisë, Rumanisë, Spanjës, Shqipërisë si dhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, të cilët ndanë përvojat dhe ekspertizën, sesi shërbimet e inspektimit të drejtësisë mund të arrijnë në punën e tyre, një ekuilibër të drejtë midis mbrojtjes së interesit publik dhe respektimit të pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve. “

Në konferencën përmbyllëse programit “Instrumenti Horizontal të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, krahas Shqipërisë merrnin pjesë edhe Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.