REFORMA NË DREJTËSI SI FUQI TRANSFORMUESE PËR SHQIPËRINË DREJT VLERAVE DHE STANDARDEVE EUROPIANE

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani priti në një takim pune ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Znj. Christiane Hohmann.

Duke e uruar për detyrën në vendin tonë, Z. Metani vlerësoi ndihmën e dhënë nga Bashkimi Evropian për Zyrën e ILD-së, si asistencën teknike përmes misionit EURALIUS V, për konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, ashtu edhe rritjen e kapaciteteve përmes CEPEJ, programit për Forcimin e Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Metani i bëri një prezantim të punës e rezultateve të zyrës së ILD-së në këto 2 vite e gjysmë, duke nënvizuar se në punën e saj për verifikimin e shkeljeve disiplinore të magjistratëve, ILD-ja udhëhiqet nga parimi i ruajtjes së balancës mes interesit publik për administrimin e drejtësisë nga njëra anë dhe pavarësisë së magjistratëve nga ana tjetër.

Ambasadorja Znj. Hohmann vlerësoi rezultatet e arritura nga ILD në dy vite dhe theksoi se Bashkimi Europian do vazhdojë të mbështesë institucionet e drejtësisë në Shqipëri.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Metani dhe ambasadorja e BE-së, Znj. Hohmann bashkëndanë mendimin se fuqia transformuese e reformës në drejtësi do ndikojë edhe tek mentaliteti shoqëror dhe se procesi i negocimit për anëtarësim nuk do jetë thjesht një proces monitorimi, por bashkëpunimi për zhvillimin, konsolidimin dhe afrimin e Shqipërisë tek vlerat e standardet europiane.