INSPEKTORË TË RINJ JOMAGJISTRATË NISIN PUNË PRANË ILD-SË

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani mirëpriti inspektorët e rinj jomagjistratë, që i bashkohen njësisë së Inspektorëve pranë ILD-së.

Në përfundim të procedurave disa mujore të konkurimit e përzgjedhjes së kandidatëve jomagjistratë për pozicionin e Inspektorit, katër kandidatët që kanë marrë më shumë pikë do jenë pjesë e ILD-së.

Duke u uruar mirëseardhjen në institucion, Z. Metani nënvizoi rëndësinë që ka plotësimi i trupës së inspektorëve në kushtet kur numri i ankesave ndaj gjyqtarëve e prokurorëve është tejet i lartë në raport me kapacitetet e ILD-së. “Siç dihet, tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë, këtë vit kemi përcaktuar si priroritet uljen e fondit të dosjeve të trashëguara nga institucione të tjera, krahas trajtimit të ankesave që i janë drejtuar ILD-së në 2 vite e gjysëm aktivitet, si dhe inspektimet tematike, një dimension i rëndësishëm i punës së institucionit. Po punohet me ritëm të lartë dhe i jemi mirënjohës çdo qytetari për durimin, pasi në kushtet e një ngarkese të tillë, afatet e trajtimit të ankesave janë të lidhura me kapacitetet e institucionit.”

Janë rreth 5 mijë ankesa të konfirmuara në ILD, të trashëguara dhe të ardhura direkt në institucion. Me inspektorët e rinj jomagjistratë, njësia e Inspektorëve numëron 12 Inspektorë magjistratë dhe jo magjistratë, nga 26 të tillë të parashikuar në organikë.