NË SHQIPËRI E KOSOVË DREJTËSIA DUHET PARË SI NJË VLERË SHOQËRORE

Prishtinë, 26 Tetor 2022

 

Në kuadër të vizitës së punës në Kosovë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani ka zhvilluar disa takime me institucionet e drejtësisë në Prishtinë.

Në takimet me Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Jetish Maloku dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj, e më pas me kryetarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj, u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve respektive dhe u shpreh vullneti për shkëmbim eksperiencash.

Gjatë këtyre takimeve, në përgjigje të interesit për reformën në drejtësi në Shqipëri, z. Metani e vuri theksin tek rëndësia e ndarjes dhe e balancimit të pushteteve, tek mentaliteti i ri që duhet të sjellë reforma, e cila ndër të tjera duhet të shërbejë për të zhvilluar shoqërinë demokratikisht dhe të kultivojë të drejtën si vlerë kulturore.

Sfidat e dy vendeve lidhur me sistemin e drejtësisë u diskutuan edhe në takimin që Inspektori i Lartë i Drejtësisë pati me ministren e Drejtësisë së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu. Të dy bashkëbiseduesit ndanë qëndrimin e njëjtë, se drejtësia është pikësëpari një vlerë shoqërore, e se në këtë kuadër, shoqëria si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, duhet të përpiqet të përshtaten me këtë vlerë. Kjo bëhet e mundur nëpërmjet edukimit dhe qasjes ndaj një mentaliteti të ri të shoqërisë, që lidhet me zbatimin e ligjit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës, u tha në takim.

Duke qenë se Kosova është në pikënisje të një reforme në sistemin e drejtësisë, z. Metani dhe znj. Haxhiu bashkëndanë qëndrimin se me përpjekjen e përbashkët të dy vendeve, duhet të ngrihen procese bashkëpunimi dhe ndërveprimi për të mësuar nga eksperienca shqiptare.