Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani dha një intervistë për gazetaren Sonila Agostini në Radio Televizionin Shqiptar. Z. Metani foli së pari për bilancin e ILD-së, në raport me pritshmëritë e njohura të publikut edhe për institucionin që drejton, njëlloj si për institucionet e tjera të dala nga reforma në drejtësi. C’ka konstaton tek puna e ILD është interesimi i qytetarëve për t’u drejtuar në institucion për ankesat ndaj magjistratëve.
“Është shumë e vështirë sot të thuash sa rezultate ka pasur, sepse edhe si qytetarë, ne i shikojmë problematikat që ka sistemi, por e rëndësishme është që sot qytetarët janë të ndërgjegjësuar, që ka një sistem që funksionon, për ankesat që ata kanë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky është hapi parë mendoj unë, i ndërgjegjësimit se ka një institucion, ka një mekanizëm, që u kthen përgjigje shqetësimeve të tyre.”, tha z.Metani.
Në lidhje me procesin e punës së ILD-së, me afatet ligjore për trajtimin e një ankese, 3, 6 e 9 muaj, tek kapacitetet në burime njerëzore në raport me numrin prej afro 5 mijë ankesash të depozituara, z. Metani tha se Inspektori i Lartë i Drejtësisë e ka ndjeshmërinë ndaj pakënaqësisë e padurimit që kanë qytetarët për trajtimin me shpejtësi të ankesave të tyre. Për këtë është miratuar një metodologji pune, e publikuar në faqen zyrtare të internetit, sipas të cilës, ankesat e hershme, ato që ILD i ka trashëguar nga ish KLD e KLGJ, të trajtohen me prioritet, në mënyrë që të shmanget me sa është e mundur tejkalimi i afateve të shqyrtimit të tyre, pasi ka qytetarë që presin prej vitesh një përgjigje për ankesat që kanë bërë në institucione të tjera.
“Padyshim që ka pasur ankesa, sepse sot që ne po flasim, numri i ankesave që gjenden të depozituara në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është afro 5 mijë, diçka më pak, por e rrumbullakosur 5 mijë. Numri i ankesave të trajtuara është gjysma. Natyrisht gjysma është e pakënaqur sepse pret përgjigje, por Zyra e ILD-së është përpjekur të jetë transparente me mënyrën se si i trajton ankesat e qytetarit. Sot në faqen e internetit të Zyrës së ILD-së është publikuar metodologjia se si punon Inspektori i Lartë i Drejtësisë, pra cilave ankesave u jep prioritet, si i trajton këto ankesa, afatet brenda të cilave ai i trajton, në mënyrë që qytetarët, përpara se të kenë një pakënaqësi, aq sa mundet, se padyshim se qytetarët nuk mund të jenë të gjithë juristë, ta shikojnë se ne mundohemi të jemi sa më shumë transparentë me ta, në mënyrë që qytetarët të kuptojnë se si ne punojmë. Në këtë mënyrë ata janë të lirë të vlerësojnë punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ka pakënaqësi me thënë të drejtën, sepse këtë e shikojmë edhe tek ankesat e përsëritura që vijnë. Mundohemi të adresojmë në kohë çdo shqetësim. Por prioritet kanë pasur ankesat e vjetra, sepse duhet t’u kthejmë një përgjigje qytetarëve, që me kohë i ishin drejtuar zyrave të shtetit, dhe të mos harrojmë më pas edhe ankesat që kanë paraqitur qytetarët së fundmi.”
Pyetjes, nëse në 2 vite e gjysëm në detyrë ka patur ndërhyrje apo presion nga politika, z. Metani iu përgjigj:
“Unë mendoj, që pyetja e rëndësishme nuk është a ka presion. Pyetja më e rëndësishme është a ndikohemi ne nga ky presion dhe a i nënshtrohemi këtij presioni, ne institucionet e reja të drejtësisë, por edhe gjykatat dhe prokuroritë. Përgjigja personale është jo! Nuk ka shans që ky institucion t’i nënshtrohet presionit politik, apo çfarëdo lloj presioni tjetër, sepse nuk ka vetëm presion politik. Këtu duhet të jemi të qartë për këtë gjë, ne edhe të gjithë të tjerët. Jam i bindur, që edhe kolegët mendojnë dhe kanë të njëjtën përgjigje.”
I pyetur nëse mendon se 6 vite pas miratimit të reformës në drejtësi duhet të ketë një proces monitorues për të matur rezultatet apo dështimet e reformës në drejtësi, Metani tha se tashmë ky është një proces i nevojshëm edhe pse delikat dhe ky proces mund të bëhet nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Vlerësimi i institucioneve të drejtësisë është delikat, jo thjesht për ata që janë sot në institucionet e drejtësisë, qoftë edhe personalisht. Eshtë e rëndësishme që puna e gjykatave dhe prokurorisë, puna e institucioneve të drejtësisë, të matet me tregues analitikë dhe shkencorë. Nuk matet dot me perceptime në këndvështrimin tim. Pra nuk mund të kritikohet pa indikatorë dhe pa tregues puna e institucioneve të drejtësisë, ashtu siç nuk mund të lavdërohet pa indikatorë. Për mua e rëndësishme është që puna të vlerësohet me standarde, dhe nëse janë vendosur standarde nga këto institucione, nga ILD, KLGJ, KLP nga KPA, për procedimet disiplinore që kemi, e vlerësojmë dhe pastaj shohim çfarë duhet ndryshuar. Por ndryshimi duhet të vijë në bazë të një studimi dhe analize profesionale.”, tha z. Metani.
Metani i pyetur për presionin politik
Metani për kritikat ndaj reformës në drejtësi