INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË PREZANTON PUNËN E ILD-SË NË TAKIMIN BILATERAL SHQYRTUES TË NEGOCIATAVE TË ANËTARËSIMIT NË BRUKSEL

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Z. Artur Metani mori pjesë në takimin bilateral Shqipëri-BE në Bruksel në kuadër të procesit të shqyrtimit (screening) mbi kapitullin 23, të negociatave të anëtarësimit.

Në prezantimin e tij “Mbi pavarësinë, paanshmërinë dhe llogaridhënien”, Z. Metani bëri një panoramë të plotë të sistemit të llogaridhënies së magjistratëve në Shqipëri, pas miratimit të reformës në drejtësi, si dhe evidentoi kuadrin rregullator të sistemit llogaridhënës të magjistratëve, ecurinë e këtij procesi llogaridhënës, duke paraqitur edhe problematikat me të cilat institucionet e reja të drejtësisë dhe ILD specifikisht, u përballën në momentin e krijimit të tyre. “Problematikat po i sjell në këtë tavolinë, jo për të paraqitur ankesë apo në rastin më të keq për të justifikuar ndonjë situatë, por si një tregues i qartë i adresimit së këtyre problemeve me shpejtësi dhe efikasitet dhe për të treguar përpara këtij paneli të nderuar se me gjithë vështirësitë, sistemi llogaridhënës së magjistratëve në Shqipëri po funksionon. Tregues i qartë është interesi i publikut në lidhje me përdorimin e sistemit të ankesave ndaj gjyqtareve dhe prokurorëve, si dhe përdorimi gjerësisht i mekanizmit kushtetues dhe ligjor të kontrollit të punës së magjistratëve. “, tha Metani.

Në prezantimin e Institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Z. Metani u fokusua mes të tjerash edhe tek plotësimi i kuadrit rregullator nëpërmjet akteve nënligjore, hetimi disiplinor, vendimet e ILD-së dhe procedimi disiplinor që prej nisjes së aktivitetit në Shkurt 2020 e më tej tek kontributi  i ILD-së në rritjen e cilësisë së sistemit të drejtësisë, nëpërmjet zhvillimit të inspektimeve tematike. Prezantimi i ILD-së u mbyll me paraqitjen e prioritetet afatshkurtra dhe afatgjata të institucionit si vizion për të ardhmen.

Këtë proces, apo një takim si ky i sotmi, personalisht e konsideroj rast unik në jetën profesionale të gjithkujt prej nesh. Unë besoj fort se ky proces negociatash me Bashkimin Evropian nuk është vetëm një proces politik dhe meritokratik, por mbart në vetvete një fuqi transformuese tek e cila unë besoj dhe që BE e transmeton natyrshëm tek vendet, të cilat aspirojnë për t’u bërë pjesë e saj apo më mirë, pjesë e vlerave të saj.  Kjo sepse çmoj se drejtësia është standard e vlerë shoqërore dhe jo statistike.”

Për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë”, tha z. Metani, “fakti i funksionimit të sistemit llogaridhënës është një çështje thelbësore dhe me rëndësi të veçantë për të ardhmen, pasi një sistem së pari duhet të funksionojë dhe më pas të japë rezultate dhe jo e kundërta. Dhe sistemi llogaridhënës po funksionon! Rezultate ka por efektet e këtyre standardeve janë të shtrira në kohë. Krahas funksionimit, konstatohen edhe rezultate konkrete, si: procedimi i magjistratëve në rastet kur ata kryejnë akte që përbejnë shkelje disiplinore apo kujdesi i shtuar i magjistratëve kur aplikojnë institutet e së drejtës (rasti i lirimeve me kusht i të dënuarve të rrezikshëm), etj., përsëri ka shumë punë për të bërë, jo vetëm për të bërë, që sistemi llogaridhënës të funksionojë tërësisht, në mënyrë permanente dhe me konsistencë.  Vlerat e respektimit të të drejtave të njeriut, të demokracisë dhe shtetit të së drejtës janë aset thelbësor i Bashkimit Evropian dhe sigurimi i tyre përbën përgjegjësi të përbashkët për të gjitha shtetet anëtare të tij. Megjithatë, mendoj se qasja ndaj tyre, duhet të shihet si një simbol, që na bashkon të gjithëve ne. Evropa para se të jetë një projekt politik është një sistem vlerash njerëzore. Pasi në fjalët e Jean Monnet, Bashkimi Evropian nuk ka për qëllim bashkimin e shteteve, por mbi të gjitha bashkimin e njerëzve, të cilët besojnë dhe jetojnë në sistemin e vlerave evropiane.”, u shpreh gjatë prezantimit Inspektori I Lartë i Drejtësisë Metani.

Në këtë takim paraqitën punën e tyre edhe drejtuesit e institucioneve të tjera të drejtësisë, pjesë e delegacionit të Shqipërisë në procesin e negociatave të anëtarësimit për kapitullin 23 “Gjyqësori dhe Liritë Themelore”