ILD VIJON PUNËN PËR ULJEN E NUMRIT TË DOSJEVE TË MBARTURA NGA INSTITUCIONE TË TJERA

Dy njësitë e inspektorëve dhe ndihmës inspektorëve, si dhe sektorë të tjerë të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, po punojnë me ritëm të lartë, për trajtimin e një numri të konsiderueshëm të ankesave e praktikave dokumentare, të cilat ILD i ka trashëguar nga institucione të tjera, që me nisjen e punës, më 1 Shkurt 2020.

Bëhet fjalë për 2104 dosje, një fond arkivor, i cili përbëhet nga ankesa të pa trajtuara, ankesa të trajtuara pjesërisht apo në faza fillestare të shqyrtimit të tyre, si dhe raste të hetuara pjesërisht apo të papërfunduara nga ana e organeve të mëparshme, konkretisht Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Procedurat e ndjekura nga organet e mëparshme për trajtimin e këtyre praktikave dokumentare, për shkak të kompetencave të kufizuara e të ndara ndërmjet organeve të ndryshme gjatë periudhës kalimtare, rezulton se janë zhvilluar në mënyrë jo të plotë dhe të pjesshme, për pasojë ato duhen rishikuar nga ILD.

Dosjet përmbajnë ankesa të depozituara në institucione ndër vite, kur ende nuk ishte ngritur Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Bashkë me ankesat e depozituara prej 1 Shkurtit 2020, kur nisi punën ILD, numri i ankesave të administruara në institucion është 4976.

Për të shmangur kulturën e harresës e pandëshkueshmërisë, që do vinte edhe përmes parashkrimit të ankesave, pavarësisht burimeve jo të plota të inspektimit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka kushtuar vëmendje praktikave të trajtuara pjesërisht nga ana e organeve të mëparshme, duke hartuar e miratuar një metodologjie të posaçme pune, e cila është e publikuar në faqen zyrtare.

Kështu, ankesat apo praktikat dokumentare, trajtohen sipas një radhe përparësie të bazuar në  kritere si: data e dorëzimit, faza e trajtimit nga ana e organeve të mëparshme, tipologjia ose urgjenca e trajtimit të ankesës, respektimi i parimit të barazisë dhe objektivitetit, si dhe koha e nevojshme për shqyrtimin dhe vlerësimin e secilës praktikë dokumentare.

2104 praktikat e trashëguara trajtohen krahas ankesave të depozituara direkt në ILD, që prej Shkurtit 2020, në total 2872 ankesa.

Ecuria javore e trajtimit të ankesave në të gjitha fazat që parashikon ligji, publikohet çdo të hënë në faqen zyrtare të ILD-së.