METANI: ITALIA ËSHTË PARTNERI NATYRAL I SHQIPËRISË NË RRUGËN DREJT BE-SË

Gjatë vizitës së punës në Romë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani zhvilloi një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Italisë, znj. Silvana Sciarra dhe anëtarët, znj. Maria Rosaria San Giorgio dhe z. Nicolo Zanon.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë i njohu me punën e institucionit që drejton, si dhe përpjekjet e Shqipërisë për zbatimin e reformës në drejtësi, bazuar në ristrukturimin e plotë të institucioneve të saj, si pjesë e sfidës për konsolidimin e shtetit të së drejtës, sidomos në fazën e rëndësishme ku ka hyrë vendi, procesin e antarësimit në BE, me negociatat e sapo nisura me Komisionin Europian, pikërisht me kapitullin 23, mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore.

“Besoj fort se procesi i antarësimit në BE nuk kalon vetëm përmes një procesi monitorimi nga ana e institucioneve europiane, por duhet të shoqërohet sidomos me një proces efikas bashkëpunimi, si një mundësi e jashtëzakonshme, që institucionet tona të përshtaten me vlerat mbi të cilat është themeluar BE-ja. Italia është partneri natyral i Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së dhe dukshëm bashkëpunimi ka rezultate, sic është për shembull për ILD-në, bashkëpunimi me Inspektoratin e e Përgjithshëm të Ministrisë italiane të Drejtësisë, 8 muaj më parë, formalizuar me një marrëveshje, që jetëzohet me aktivitete konkrete.”, tha z. Metani.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese znj. Silvana Sciarra shprehu vlerësimin për bashkëpunimin e ILD-së me homologët italianë dhe angazhimin e Shqipërisë në negociatat për antarësim në Bashkimin Evropian.