INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË NËNSHKRUAN MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI ME UNIVERSITETIN E VLORËS

Vlorë, më 27 Janar 2023 

Ndërgjegjësimi i publikut dhe rritja e transparencës mbi misionin, kompetencat dhe përgjegjësitë e Zyrës së ILD-së, si një dimension i rëndësishëm pune, u materializuan përmes një memorandumi bashkëpunimi të nënshkruar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani dhe Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, z. Roland Zisi. 

Memorandumi parashikon disa mënyra bashkëpunimi, që nga leksionet e hapura, tek projektet e përbashkëta, që kanë në fokus edukimin ligjor dhe profesional, e deri tek mundësia që studentët e Departamentit të Drejtësisë të zhvillojnë praktikën pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. 

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani tha se institucioni që drejton ka gjithë vëmendjen për të mbështetur rritjen profesionale të brezit të ri të profesionistëve të drejtësisë, si një kontribut konkret për demokratizimin e shoqërisë e konsolidimin e shtetit të së drejtës. 

Nga ana e tij rektori z. Roland Zisi vlerësoi bashkëpunimin e vendosur me Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si një mënyrë konkrete për shfrytëzimin e kapaciteteve të përbashkëta në mbështetje të programeve edukuese që i shërbejnë komunitetit të studentëve. 

Më tej, sipas ftesës së rektorit Zisi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë mbajti një leksion të hapur me studentë e pedagogë të departamentit të drejtësisë me temë: “Roli i ILD-së në arkitekturën e re të sistemit të drejtësisë”. 

Në nisje të leksionit, rektori z. Roland Zisi dhe drejtuesi i Departamentit të Drejtësisë, z. Erjon Hitaj, vlerësuan praninë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në Universitetin e Vlorës me studentët e drejtësisë dhe rolin e institucionit në monitorimin e punës së magjistratëve të të gjitha niveleve. 

Në përgjigje të interesimit të auditorit për pritshmëritë ndaj reformës në drejtësi, z. Metani tha se është tejet e rëndësishme, që reforma në drejtësi të prodhojë frymën, për të cilën ajo u ideua dhe u miratua. “E mbështetur tek parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, reforma në drejtësi ka nevojë, që sot të transmetojë tek qytetarët, tek shoqëria, rëndësinë e zbatimit të këtij parimi. Jo si një mjet për t’iu shmangur përgjegjësive, por si i vetmi standard, që na garanton të ardhmen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, e për rrjedhojë dhe të suksesit të shtetit të së drejtës në Shqipëri. E në këtë drejtim, funksionimi i sistemit llogaridhënës mbetet thelbësor dhe ai duhet të funksionojë tërësisht, në mënyrë permanente dhe me konsistencë”.   

Bashkëpunimi konkret me fakultetet e drejtësisë së universiteteve është një synim i bërë publik nga  Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që do vijojë edhe në universitete të tjera të vendit.