KLP PRANON KËRKESËN E ILD PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TË MAGJISTRATIT E.K.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën “shkarkim nga detyra”, për magjistratin E.K. me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnje dhe Drejtues i caktuar përkohësisht në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës.

Prokurori E.K. është dënuar me vendim të formës së prerë me 2 vjet e 4 muaj burgim për kryerjen e veprës penale të “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë, ç’ka përbën “Shkelje shumë të rëndë disiplinore”.

E.K. ka diskretituar pozitën dhe figurën e magjistratit, ka cenuar rëndë imazhin e drejtësisë dhe ka ulur besimin e publikut tek dhënia e drejtësisë. Për pasojë Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkoi Këshillit të Lartë i Prokurorisë administrimin e provave të paraqitura nga ana e ILD në këtë procedim disiplinor dhe pranimin e kërkesës së ILD për caktimin ndaj magjistratit E.K. të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” për shkelje disiplinore të parashikuara nga neni 148/d, pika 2, shkronja “b” e Kushtetutës dhe nga neni 104, pika 3 e ligjit nr. 96/ 2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”.