Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani mori pjesë në aktivitetin përmbyllës të projektit “Me sytë nga drejtësia”, ku u prezantua dokumenti analitik i monitorimit të indikatorëve të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2021-2025, të matjes së performancës së institucioneve të pavarura, i hartuar nga Instituti për Studime Politike dhe Ligjore (IPLS) me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Shqipëri/MATRA.
Në fjalën e tij z. Metani tha se edhe pse me interesa që ecin paralelisht, ku organet tona kanë në fokus sistemin e drejtësisë, e nga ana tjetër shoqëria civile monitoron rezultatet, kemi një qëllim të përbashkët, që është transparenca e të veprimtarisë, përmes publikimeve të rezultateve dhe monitorim i tyre për të përmirësuar rolin tonë, të gjitha këto në mbrojtje të interesit publik dhe të rritjes së ndërgjegjësimit qytetar ndaj këtij procesi të rëndësishëm reformues.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerësoi monitorimin e bërë për Zyrën e ILD së duke nënvizuar se “Edhe pse me të drejtë, analizat marrin për bazë të dhëna statistikore dhe shifrat pa dyshim janë tregues të performancës në disa nivele, është thelbësore që të kuptojmë se drejtësia nuk mund të jetë statistikë, por standard. Pikërisht kjo është sfida e institucioneve të sistemit të drejtësisë, jo thjesht numra gjyqtarësh dhe prokurorësh të shkarkuar e proceduar, por vendosja e vlerave dhe standardeve të punës, që do të kultivohen dhe pasurohen për të ardhmen.”
Komenti i plotë i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë
Të nderuar,
Gjej rastin t’ju falënderoj për vëmendjen që i keni kushtuar performancës së institucioneve të reformës në drejtësi, e në veçanti Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në raportin e detajuar të monitorimit. Ky dokument, i konceptuar me analiza sasiore dhe cilësore të treguesve të përveçëm që tregojnë rezultate konkrete të përpjekjeve për të fuqizuar konsolidimin e institucioneve tona, në këtë fazë të ndërmjetme të zbatimit të SND II.
Padyshim, është momenti për të diskutuar mbi arritjet, sfidat por edhe mbi problematikat, që janë hasur në praktikë. Tryeza si këto, i shërbejnë më së shumti, marrjes së opinioneve dhe feedback-ut nga një audiencë, e cila monitoron kujdesshëm dhe me gjykim të ftohtë mbi veprimtarinë. Edhe pse me interesa, që ecin paralelisht, ku organet tona kanë në fokus sistemin e drejtësisë, e nga ana tjetër shoqëria civile, që monitoron rezultatet, qëllimi mbetet i përbashkët, transparencë të veprimtarisë përmes publikimeve të rezultateve, monitorim i tyre për të përmirësuar rolin tonë, të gjitha këto në mbrojtje të interesit publik.
Indikatorët e matur për ILD-në tregojnë rezultate të dukshme, në drejtim të ngritjes së punës për të ndërgjegjësuar qytetarin, kjo jo vetëm për të treguar, se në ILD i kushtohet vëmendje e shtuar qytetarit, duke shqyrtuar imtësisht çdo pretendim, por edhe duke filluar hetime, të cilat janë denoncuar nga qytetarët përmes ankesave të bazuara ligjërisht. Në jo pak raste ILD ka filluar hetimin me ankesën e qytetarëve, ankesa të cilat kanë rezultuar me masa konkrete për magjistratët, disa të shkarkuar e disa me masa disiplinore në karrierën e tyre. Në të shkuarën e afërt, perceptimi për të ndëshkuar një magjistrat për shkelje disiplinore, konsiderohej barrierë e pathyeshme, e sot falë vëmendjes ndaj sistemit dhe përkushtimit kemi rezultate të prekshme. Rezultate të cilat janë arritur falë standardeve të punës, të krijuara mes sfidash të mëdha, por që kanë dhënë impakt në sistem, duke treguar se organet e sistemit të drejtësisë, janë ngritur dhe po ushtrojnë misionin kushtetues.
Çdo ankesë apo procedurë hetimore ndjek një rrugë të paracaktuar ligjërisht, ndaj edhe përmes nxitjes së publikut për përcjelljen e ankesave në adresë të ILD-së, kemi ndërmarrë disa masa për të rritur ndërgjegjësimin dhe komunikimin me publikun, përmend këtu anketën drejtuar publikut, rubrikën e posaçme të pyetjeve të shpeshta, rubrika të faqes sonë, ku vihen në dukje, misioni dhe roli i ILD në sistemin e drejtësisë. Përmes ndërgjegjësimit, synojmë të nxisim edukimin dhe pritshmëritë për kryerjen e verifikimeve apo hetimeve ndaj sjelljeve apo performancës në tërësi të sistemit, duke garantuar pavarësisë dhe paanshmërinë e gjyqësorit.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë në përmbushje të misionit dhe funksionit të tij, nuk vlerëson se rritja e numrit të hetimeve apo rënia e tyre janë treguesi i vetëm i performancës apo i cilësisë. Shtrimi i rrugës për përcaktimin e standardeve të qarta, ruajtja e balancës mes interesit publik dhe pavarësisë së magjistratëve për të ushtruar me përgjegjësi detyrat e tyre është sfida dhe prioriteti që duhet të udhëheqin punën. Cenimi i këtyre standardeve nga organet kompetente, qoftë në numër apo në procedurë do të kishin ndikim në performancën tonë.
Edhe pse me të drejtë, analizat marrin për bazë të dhëna statistikore dhe shifrat pa dyshim janë tregues të performancës në disa nivele, është thelbësore që të kuptojmë se drejtësia nuk mund të jetë statistikë, por standard. Pikërisht kjo është sfida e institucioneve të sistemit të drejtësisë, jo thjesht numra gjyqtarësh dhe prokurorësh të shkarkuar e proceduar, por vendosja e vlerave dhe standardeve të punës, që do të kultivohen dhe pasurohen për të ardhmen.
Sigurisht që në vetëm 3 vite veprimtari, shumë është arritur, sikurse me të drejtë është evidentuar në raportin e monitorimit dhe akoma më shumë mbetet për t’u realizuar, deri në gjetjen e ekuilibrave ndërmjet konkurrencës së interesave legjitimë, prandaj në vizionin tonë të punës kemi zgjedhur të vendosim standarde, në çdo drejtim.
Ju faleminderit!