Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani mori pjesë në tryezën e punës së thirrur nga Instituti për Studime Politike për të diskutuar konkluzionet e raportit monitorues të kësaj organizate “Roli, bilanci dhe sfidat e ILD-së”, në kuadër të projektit “Përmirësimi i debatit mbi politikat dhe llogaridhënien në përmbushje të kritereve të grupit të parë të kapitujve negociues” bashkë me disa organizata të shoqërisë civile”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë.
Ky diskutim mbi ILD-në, si institucioni më i ri të reformës në drejtësi bëri bashkë për të sjellë këndvështrimet e tyre, ambasadorin e Holandës z. Reinout Vos, ministren dhe kryenegociatoren znj. Majlinda Dhuka, kryetaren e Komisionit të Ligjeve znj. Klotilda Bushka, nënkryetaren e Komisionit të Ligjeve znj. Dhurata Çupi, kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë z. Alfred Balla, përfaqësues të shoqërisë civile dhe inspektorë e anëtarë të Kabinetit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Duke paraqitur konkluzionet e raportit të tij monitorues, pedagogu Erind Mërkuri u ndal tek sfidat e ILD-së, të cilat kanë të bëjnë me numrin e lartë të ankesave ndaj gjyqtarëve e prokurorëve në raport me kapacitetet jo të plota të inspektimit, si dhe tek fakti se Kolegji i Lartë i Apelimit ka konfirmuar si të drejta procedurat disiplinore të kryera nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Në përgjigje, Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani vlerësoi monitorimin e detajuar që i është bërë ILD-së, si mënyra e duhur për të matur me indikatorë të qartë punën e institucionit. “Mungesa e burimeve njerëzore ka qenë vërtetë problem, por kjo nuk e ka penguar ILD-në, që të performojë dhe rezultatet duken. Drejtësia në këndvështrimin tim nuk është statistikë por rëndësi kanë standardet e vendosura dhe fakti që Këshillat, KLGJ e KLP, kanë konfirmuar gjithmonë gjetjet e ILD-së. Kjo është vendosje standardesh, të cilat njëlloj janë konfirmuar edhe nga KPA. Kjo do të thotë që sistemi funksionon dhe prandaj është e rëndësishme, që nëse vlerësohet puna e institucioneve, e ILD-së, duhet bërë me indikatorë si ky i sotmi, pra me indikatorë ku ka qenë, çfarë ka bërë dhe ku do shkojë.”
I pyetur nga moderuesi i takimit, gazetari Lutfi Dervishi për dimensionin tjetër të ILD-së, atë të inspektimeve, z. Metani tha se: “institucioni nuk duhet parë si një çekan mbi kokat e magjistratëve por si mekanizëm që ndihmon në evidentimin e standardeve të punës përmes inspektimeve institucionale apo tematike, pra ndihmesën që i jep gjyqtarëve e prokurorëve e vetë sistemit përmes rekomandimeve konkrete.”
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, znj. Klotilda Bushka vërejti se me gjithë punën e mirë, ILD nuk duhet të jetë i vetmi institucion që duhet ta mbajë sistemin të përgjegjshëm dhe bashkëpunimi i të gjitha institucioneve të drejtësisë ndihmon në mbarëvajtjen e punës.
Nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve, znj. Dhurata Çupi tha mes të tjerash, se përtej mungesave me të cilat përballet, duhet pranuar se rritja e numrit të ankesave është dëshmi e rritjes së besimit të qytetarëve tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe ky besim i madh ndaj institucionit mbart me vete peshën e pritshmërisë së publikut prej tij dhe kjo është një tjetër sfidë për ILD-në.
Kryetarja e KLGJ-së, znj. Naureda Llagami nënvizoi se pavarësisht pritshmërive, duhet pasur parasysh që institucionet kanë nevojë për kohë dhe vendosja e standardeve si nga ILD, KLGJ e KLP është shumë e rëndësishme sepse tregon funksionimin e sistemit.
Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Alfred Balla vlerësoi punën e ILD-së në këto tre vite, ç’ka sipas tij duket edhe nga konfirmimi që KLP u ka bërë gjetjeve të ILD-së, në procedimet disiplinore ndaj prokurorëve.
Ministrja kryenegociatore znj. Majlinda Dhuka vlerësoi posaçërisht performancën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në raportimet para Komisionit Europian në kuadër të procesit të shqyrtimit (screening) mbi kapitullin 23, të negociatave të anëtarësimit.
Ambasadori i Holandës, z. Reinout Vos duke konfirmuar mbështetjen e vendit të tij për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë, vlerësoi rolin e ILD-së dhe nënvizoi se pas vettingut ky është institucioni permanent, që mban përgjegjës gjyqtarët e prokurorët për standardet e punës së tyre. “Ambasada Holandeze po mbështet këtë aktivitet në kuadër të Muajit të Angazhimit Qytetar për Integrimin në BE dhe garanton angazhimin e saj për të mbetur një partner i rreptë, i drejtë dhe i angazhuar për të mbështetur Shqipërinë dhe përpjekjet e saj në rrugën e anëtarësimit në BE”, tha z. Vos.
Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, studiuesi Afrim Krasniqi u shpreh se edhe monitorimi i ILD-së tregon se pritshmëria më e madhe e reformës në drejtësi është nevoja për bilanc pune e jo vetëm për shifra e statistika vetting. “Dëshira jonë është që secili institucion të forcojë identitetin, pavarësinë dhe imazhin e vet publik dhe është e rëndësishme që secili të krijojë bilancin e tij e të marrë meritat në rast suksesi dhe përgjegjësitë në rast dështimi”, tha z. Krasniqi.