Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani priti në një takim kortezie delegacionin e Qendrës së Shtetit të së Drejtës të Finlandës, të kryesuar nga ish ministrja e Drejtësisë e Finlandës znj. Tuija Brax.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë i njohu bashkëbiseduesit me rolin dhe funksionet e ILD-së, si një nga institucionet e reja të Reformës në Drejtësi, që synon rritjen e besimit të qytetarëve tek sistemi i drejtësisë, përmes inkurajimit të standardeve më të mira të punës nga prokurorët e gjyqtarët. “Një magjistrat nuk duhet të jetë përgjegjës vetëm për respektimin apo jo të normave ligjore, por edhe ndaj njerëzve, shoqërisë si dhe organeve të pushtetit shtetëror, duke ndikuar kështu, në mënyrë të drejtpërdrejtë në perceptimin dhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Niveli i besueshmërisë së qytetarëve në organet e drejtësisë është element mjaft i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë, pasi ai është një tregues i rëndësishëm për të vlerësuar se si funksionon sistemi i drejtësisë dhe sundimi i ligjit në një vend.”, u shpreh z. Metani
Znj. Brax shpjegoi se qëllimi i kësaj organizate është lidhja e ekspertizës dhe eksperiencës finlandeze mbi Shtetin e të Drejtës me institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, që mund të përfitojnë prej saj. Aktualisht Qendra e Shtetit të së Drejtës e Finlandës është donator e bashkëzbatues me Internacional IDEA (Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore) në projektin “Integriteti dhe Besimi te Zgjedhjet në Shqipëri: Nxitja e Transparencës së Financimeve Politike dhe Përdorimi i Sigurt i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit”.