Madrid 7 Mars 2023
Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani zhvilloi një vizitë pune në Madrid me ftesë të znj. Amparo Camazón, shefe e Shërbimit të Inspektimit pranë Këshillit të Përgjithshëm Gjyqësor të Spanjës.
Në takimin e zhvilluar në ambientet e Shërbimit të Inspektimit spanjoll, drejtuesja znj. Amparo Camazón dhe zv. drejtuesja Elena Burgos e njohën delegacionin shqiptar me organizimin, financimin, funksionet, detyrat dhe shërbimet e tjera kombëtare përgjegjëse për monitorimin dhe vlerësimin e sistemit të drejtësisë në Spanjë, përfshi natyrën e tipologjinë e misioneve, teknologjitë e informacionit e komunikimit, transparencën e komunikimin, mbrojtjen e të dhënave personale dhe marrëdhëniet me jashtë të Shërbimit të Inspektimit spanjoll.
Në ditën e dytë, anëtarë të shërbimit të inspektimit spanjoll bënë disa prezantime mbi sistemin disiplinor në Spanjë, legjislacionin përkatës, nisjen e një veprimi disiplinor, rastet disiplinore, procedura disiplinore dhe njësia e shërbimeve për qytetarët.
Ky bashkëpunim dypalësh me homologët spanjollë është pjesë e bashkëveprimit në kuadër pjesëmarrjes së përbashkët të ILD-së, në Rrjetin Evropian të Shërbimeve të Inspektimit.
Shkëmbimi i eksperiencës dhe njohja me praktikat e institucioneve homologe ndërkombëtare është pjesë e vizionit të ILD-së, për të zbatuar standardet më të mira të punës në procesin disiplinor.
Në përfundim të kësaj vizite pune, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, me ftesë të Departamentit të së Drejtës Kushtetuese të Universitetit të Seviljes mori pjesë në një tryezë diskutimi mbi sistemin e drejtësisë në Shqipëri.