INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË TAKIM ME AMBASADOREN E FRANCËS NË SHQIPËRI

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani priti në takim ambasadoren e Francës në Shqipëri znj. Elisabeth Barsacq, e cila shoqërohej nga zj. Tiphaine Simon, studente e Shkollës Kombëtare të Magjistraturës në Francë, që po kryen një stazh pune pranë ambasadës së Francës në Tiranë.

Duke e falenderuar për vizitën, z. Metani vlerësoi mbështetjen e Francës në konsolidimin e demokracisë në vendin tonë, reformat e rëndësishme të ndërmarra, si ajo në drejtësi dhe rrugëtimin e Shqipërisë në procesin e antarësimit në Bashkimin Europian me negociatat e nisura me kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të drejtat e njeriut”.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë e njohu ambasadoren me punën e ILD-së dhe me aktivitetin si anëtar vëzhgues në Rrjetin Europian të Shërbimeve të Inspektimit (RESIJ), që drejtohet nga Franca.

Duke folur për reformën në drejtësi, z. Metani dhe znj. Barsacq bashkëndanë mendimin se ky është një proces i gjatë që do kërkojë kohën e vet për të arritur rezultatet e pritshme nga vullneti gjithëpërfshirës për një sistem drejtësie funksional e me standarde.

Nga ana tjetër, z. Metani evidentoi se përpjektet për pavarësinë e magjistratëve nuk duhet të shihen si destinacion final por si një përpjekje e përditshme e të gjitha institucioneve, sepse vetëm një sistem drejtësie funksional sjell rezultatet që priten.