Në kuadër të synimit për bashkëpunim konkret me fakultetet e drejtësisë së universiteteve të vendit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani nënshkroi një memorandim bashkëpunimi me rektorin e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, z. Skënder Topi.
Memorandumi parashikon organizimin e aktiviteteve të përbashkëta me fokus edukimin ligjor e profesional në fushën e drejtësisë, përfshirë nisma me karakter akademik e hulumtues, shfrytëzimin e kapaciteteve të përbashkëta për ndërtimin e programeve edukuese, që i shërbejnë komunitetit të studentëve dhe vecanërisht mundësinë e realizimit të praktikës për studentët e Departamentit të së Drejtës, pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Pas nënshkrimit të memorandumit, Rektori Prof. Dr. Skënder Topi nënvizoi se zbatimi nis menjëherë, me leksionin e hapur të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me studentët e departamentit të së drejtës.
“Ne kemi firmosur shumë marrëveshje me institucione vendase e të huaja por e sotmja mendoj se është një mbështetje shumë e madhe, që vjen nga një institucion i lartë kushtetues siç është Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Përveç aktiviteteve të përbashkëta, leksioneve të hapura, kjo marrëveshje parashikon edhe që studentët më të mirë të zhvillojnë praktikë mësimore pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, një eksperiencë e vyer, që do u shërbejë atyre për të ardhmen profesionale.”, u shpreh Rektori Topi.
“Memorandumi që nënshkruam sot ka tre qëllime kryesore, së pari prezantimin e punës dhe funksioneve të ILD-së, diçka që në fakt duhej ta kishte bërë që në fillim secili nga ne, institucionet e reja të drejtësisë, në mënyrë që opinionin publik të kuptojë funksionet dhe rolin tonë në arkitekturën e sistemit të drejtësisë, sipas parashikimeve të reformës në drejtësi. E dyta, studentët e drejtësisë do kenë mundësi që të kryejnë praktikë mësimore pranë ILD-së, një mundësi e mirë, që i ndihmon të shohin direkt si monitorohet puna e gjyqtarëve e prokurorëve. Së treti, përveç aktiviteteve të përbashkëta, vetë pedagogët e studentët do kenë mundësi të përgatisin mendim të kualifikuar profesional për ILD-në sipas kërkesës, duke ndihmuar mes të tjerash edhe në përhapjen e kulturës juridike në komunitet”, tha z. Metani.
Në nisje të leksionit me studentët e departamentit të së drejtës së Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, dekania e Fakultetit Ekonomik Prof. As. Dr. Imelda Sejdini vlerësoi punën e ILD-së, që duke qenë institucion krejt i ri, ka arritur të ndërtojë nga fillimi standarde pune, një proces sfidues, që u nënvizua edhe nga përgjegjësi i Departamentit të së Drejtës, Prof. Dr. Arbër Gjeta.
Gjatë leksionit me studentët e departamentit të së drejtës së Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, z. Metani bashkëbisedoi mbi mënyrën sesi të rinjtë e shohin sistemin e drejtësisë, funksionimin e tij, përfshi institucionin, që është përgjegjës për shkeljet disiplinore të gjyqtarëve e prokurorëve të çdo niveli në vend, Inspektori i Lartë të Drejtësisë.
Për një informim më të targetuar, studentëve iu shpërndanë fletëpalosje prezantuese të ILD-së nga Qendra Europiane, si pjesë e bashkëpunimit të ILD me OSHC-të, që monitorojnë institucionet e reja të drejtësisë.