METANI VIZITË PUNE NË MALIN E ZI

Podgoricë, 4 Maj 2023

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani zhvilloi një vizitë pune pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë të Malit të Zi.

Në takime të vecanta, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Vesna Simovic Zvicer dhe Prokurorja e Lartë e Shtetit, njëkohësisht Kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, znj. Tatjana Begović, bënë një prezantim të kompetencave të institucioneve përkatëse dhe mënyrën e ushtrimit të tyre.

Në fjalën e tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nënvizoi mes të tjerash, se reformimi i sistemit të drejtësisë është sfidë e përbashkët e dy vendeve, në kuadër të procesit të integrimit europian, e sidomos në drejtim të orientimit të shoqërive respektive, drejt një mendësie e kulture të re, lidhur me njohjen e zbatimin e ligjit, ndryshimin e mentalitetit në raport me kulturën e pandëshkueshmërisë, luftën ndaj korrupsionit, apo vetë shtetin e së drejtës.

Z. Metani iu përgjigj pyetjeve të bashkëbiseduesve mbi funksionet e ILD-së e në vecanti mbi procesin e ankimimit, hetimit e procedimit disiplinor. Ai vërejti se sistemi i përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së magjistratëve duhet të funksionojë në një balancë ndërmjet interesit të publikut për t’u njohur mbi veprimtarisë e organeve të pushtetit gjyqësor dhe pavarësisë së magjistratëve e gjithashtu, duhet të luajë një rol parandalues, përmes identifikimit të problematikave të funksionimit ose jo të sistemeve të drejtësisë, si dhe miratimit të rekomandimeve për përmirësimin e tyre.

“Sistemi disiplinor nuk duhet të shërbejnë asnjëherë si një mjet presioni mbi veprimtarinë e punës së magjistratëve, por si një mjet i rëndësishëm për të matur eficiencën dhe cilësinë e veprimtarisë së punës së tyre, profesionalizmin apo të ndihmojë në rritjen e cilësisë së vendimmarrjes së magjistratëve.”, u shpreh z. Metani.

Duke qenë se Shqipëria po zbaton një reformë të thellë ligjore e institucionale në sistemin e drejtësisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Metani ftoi drejtueset e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë të Malit të Zi për një vizitë në vendin tonë, me synim shkëmbimin e praktikave dhe modeleve më të mira të punës në kuadër të këtij procesi.