Elbasan, 10 Maj 2023
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani mori pjesë në tryezën e diskutimit me temë “Sfidat e drejtësisë shqiptare nga Kanuni i Zhurisë deri te reforma në drejtësi, në kuadër të proceseve integruese, kapitulli 23, Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, organizuar nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit, në kuadër të ditës kombëtare të drejtësisë.
Në fjalën e tij, “Pavarësia e pushtetit gjyqësor dhe sfida në raport me këtë pavarësi” z. Metani duke u ndalur tek reforma në drejtësi, veçoi mes të tjerash rëndësinë që ka transmetimi tek qytetarët i parimit të ndarjes e balancimit të pushteteve. “E mbështetur tek parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, reforma në drejtësi ka nevojë që sot ta transmetojë tek qytetarët, tek shoqëria, rëndësinë e zbatimit të këtij parimi. Jo si një mjet për t’iu shmangur përgjegjësive, por si i vetmi standard, që na garanton të ardhmen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Unë jam i ndërgjegjshëm, që qytetarët me të drejtë kanë pritshmëri dhe janë të lodhur me pritjet në dyert e gjykatave, sot dhe 30 vjet. Ndoshta edhe shoqëria e ka gati të pamundur të përballojë gjendjen e sistemit të drejtësisë sot. Por jam i bindur, se e vetmja mënyrë për të pasur një sistem drejtësie efikas nesër, është që zgjidhjet që japim sot, të zhvishen nga interesi i çastit apo momenti politik. Pavarësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk është një parim për të mbrojtur shkeljet e ligjit, që ata mund të kryejnë, apo pretekst për të anashkaluar përgjegjësinë e tyre ligjore. Aspak! Por, nëse një gjyqtar ose prokuror vihet para përgjegjësisë sot, sepse shoqëria nuk është dakord me vendimin e tij, apo se shoqëria nuk orientohet tek institucionet, të cilat Kushtetuta dhe ligji ka ngritur enkas, pikërisht për trajtimin e pakënaqësive ndaj sistemit gjyqësor, apo më keq akoma, sepse pushtete të tjera duan të përfitojnë nga pamundësia ligjore e reagimit publik të gjyqtarëve dhe prokurorëve, atëherë nuk ka reformë që të ketë sukses, por vetëm zgjatje e agonisë tonë, në përpjekjet për zhvillim.”
Për reformën në Drejtësi, si nevojë e rritjes së besimit të publikut në të, referoi rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha.
Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Alfred Balla foli mbi temën “Sistemi i prokurorisë sot dhe sfidat në kuadër të procesit të integrimit”.
“Sfidat e Reformës së Drejtësisë në Shqipëri” u trajtuan nga Prof. Asoc. Dr. Rezarta Tahiraj, Përgjegjëse e Qendrës në Drejtësi dhe Ekonomi.
Drejtues i Katedrës “Jean Monnet”, EEAABAC, Prof. Asoc. Dr. Arbër Gjeta solli për të pranishmit “Zhvillimet e fundit në kuadër të negociatave në lidhje me kapitullin 23”.
Tryeza u përshëndet nga rektori i Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Prof. Dr. Skënder Topi dhe z. Kreshnik Ajazi nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit, si bashkëorganizues të aktivitetit, si dhe nga dekania e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Elbasanit Prof. Asoc. Dr. Imelda Sejdini, kryetarja e Gjykatës Elbasan, znj. Matilda Fetau dhe drejtori i policisë së qarkut Elbasan, z. Ilir Poda.
Të pranishmit studentë, gjyqtarë, prokurorë, avokatë, pedagogë, etj., diskutuan rreth temave të trajtuara.