FJALA E Z. METANI NË KONFERENCËN NDËRKOMBËTARE SHKENCORE “LIGJËRATAT E ROLANDO QUADRI-T NË TË DREJTËN NDËRKOMBËTARE”

E nderuar Zv. Rektore Prof. Frosina Londo;

E nderuar Dekane Prof. Armela Panajoti;

I nderuar Drejtues i Departamentit Dr. Erjon Hitaj;

Të nderuar të ftuar;

Zonja dhe zotërinj,

 

Përshëndetje të gjithëve!

Dua të përgëzoj organizatorët e kësaj konference për këtë iniciativë të ndërmarrë, si dhe t’i falenderoj për ftesën për të marrë pjesë.

Personalisht vlerësoj se zhvillimi i konferencave të tilla, si dhe diskutimi në nivel akademik përbën në vetvete një proces të rëndësishëm. Kontributi i botës akademike është shumë i vlefshëm pasi provokon një debat të dobishëm.

Sigurimi i një mendimi të kualifikuar profesional, mbështetur në një eksperiencë teorike dhe praktike të studiuesve, përbën një mjet kyç për analizimin e plotë të gjendjes aktuale lidhur me tematikën e këtij aktiviteti. Në të njëjtën kohë, ky proces angazhimi dhe zhvillimi i mendimit të kualifikuar juridik, politik, apo edhe dhe në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare shërben si një mekanizëm për evidentimin e problematikave dhe nevojave për përmirësim.

Kur u njoha me programin me këtij aktiviteti, temat e diskutimit si dhe çështjet të cilat do të trajtohen mendimi i parë që më erdhi në mendje  kishte të bënte me skepticizmin që ka ndjekur që nga lashtësia dhe deri në ditët sotme zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare.

Ka shumë autorë skeptikë  si filozofë, politologë, juristë apo publicistë, të cilët i mohojnë karakterin apo tiparin e së “drejtës pozitive”, të drejtës ndërkombëtare sepse shtetet janë sovrane dhe mbi to nuk mund të ketë të drejtë tjetër, që do të duhet të zbatohej nga ana e tyre. Të drejtës ndërkombëtare i mungojnë karakteristikat e së “drejtës pozitive” por ajo duhet të konsiderohet vetëm si çështje etike apo morali pozitiv ndërkombëtar. 

Ndërkohë, Kodifikimi i Përgjithshëm i së Drejtës Ndërkombëtare nuk është realizuar deri më tani, pasi ajo ka një karakter universal dhe është mëse e sigurt se të gjitha shtetet nuk  mund të bien dakord për të gjitha çështjet. Bashkësia ndërkombëtare nuk ka një organ qëndror të që bëjë të mundur këtë kodifikim, pasi shtetet sovrane nuk e kanë deleguar këtë të drejtë për të kodifikuar. Disa studiues  e kanë konsideruar statik dhe  pengesë për zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, aspekti krahasues do të mbetet gjithnjë pjesë e diskutimeve rreth normave, institucioneve dhe aktorëve të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë kuadër aftësia për kodifikim ka mbetur në vetë shtetet, të cilat e bëjnë këtë nëpërmjet konferencave apo takimeve ndërkombëtare. Për këtë arsye  e vlerësoj shumë këtë konferencë.

Sot, nëpërmjet kësaj konference, do të zhvillojmë e ndërtojmë një dialog dhe komunikim të vazhdueshëm ndërmjet nesh si akademikë dhe si profesionistë të së drejtës. Jo vetëm për të ndarë mendimet tona në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, por njëkohësisht edhe për të ndarë mendime mbi vlerat që na bashkojnë, raportin që gjithsecili nga ne ka me të drejtën, universalitetin e saj, strukturat institucionale apo dhe bashkëpunimin ndërmjet individëve apo shteteve.

Shpresoj që ky organizim në Shqipëri sot, të jetë pikënisja e një tradite, e cila do të vijojë më tej.

Shqipëria është një vend i bukur dhe mikpritës!

Duke ju falënderuar edhe një herë për ftesën për të marrë pjesë, më lejoni t’i uroj konferencës suksese dhe punime të mbara!