INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË Z. ARTUR METANI MIKPRITI SHEFIN E INSPEKTORATIT TË DREJTËSISË SË FRANCËS, Z. CHRISTOPHE STRAUDO

Me ftesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë z. Artur Metani e me mbështetjen e CEPEJ, projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian e Këshillit të Evropës, zhvilloi një vizitë pune në Shqipëri, Presidenti i Rrjetit Europian të Shërbimeve të Inspektimit (RESIJ), njëkohësisht shef i Inspektoratit të Përgjithshëm të Drejtësisë së Francës, z. Christophe Straudo. Axhenda e vizitës parashikonte vizita me drejtues të institucioneve në Tiranë, në të cilat ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Francës në Shqipëri, znj. Elisabeth Barsacq.

Në takimin dypalësh Metani-Straudo, biseda mes dy homologëve u fokusua tek angazhimi i tyre, si pjesë e RESIJ, për të kontribuar për një sistem drejtësie që bazohet tek parimet e mëdha të pavarësisë, paanësisë dhe barazisë para ligjit.

Ndërsa duke u ndalur tek institucionet respektive, z. Metani dhe z. Straudo bashkëndanë qëndrimin, se pavarësisht ndryshimeve në statusin institucional, inspektimi duhet të jetë gjithnjë i pavarur, e në respekt të balancës me interesin publik për administrimin e drejtësisë.

Në takimin me nënkryetaren e Partamentit, znj. Ermonela Felaj u shpreh se Kuvendi vlerëson dhe mbështet fuqimisht funksionimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, rritjen e performancës e kontributit të këtij institucioni, në drejtim të rritjes së performancës së sistemit, vendosjes së standardeve më të mira të punës në sistemin e drejtësisë dhe plotësimit të pritshmërive e besimit të publikut. Znj. Felaj nënvizoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit të ILD-së me Inspektoratin e Përgjithshëm të Drejtësisë së Francës, duke u nisur edhe nga ngjashmëria e legjislacionit penal dhe civil të të dy vendeve.

Në takimin me ministrin e Drejtësisë, z. Ulsi Manja vlerësoi kontributin e Francës në konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, edhe përmes bashkëpunimit me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, në kuadër të RESIJ.

Ministri i Drejtësisë tha se me miratimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, institucionet e drejtësisë janë krejt të pavarura në punën e tyre, ndërsa sfida tani është zbatimi i kësaj reforme, me përpjekjen e të gjithë aktorëve në vend, sidomos institucionet të reja të sistemit, sic është Inspektori i Lartë i Drejtësisë, puna e të cilit po ndihet fort në sistem, jo vetëm me trajtimin e ankesave apo cështjeve individuale, por me dimensionin e rekomandimeve, që kanë dalë nga kryerja e inspektimeve tematike.

Në takimin e zhvilluar në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, kryetarja znj. Naureda Llagami vlerësoi mes të tjerash bashkëpunimin shume korrekt me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. “Puna e z. Metani dhe e ekipit të tij ka qenë profesionale dhe ka reflektuar standarde shumë te mira, duke ndikuar keshtu në punën e gjykatave në vend,- tha kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke shtuar se “pikërisht për shkak të kësaj pune dhe besimit, që po krijohet tek ky institucion, mendonte se në të ardhmen, natyrshëm, do të vijë edhe rritja e performancës në punën e gjykatave.”

Në takimin me Këshillin e Lartë të Prokurorisë, kryetari z. Alfred Balla nënvizoi punën profesionale të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në raport me KLP-në, si institucioni që vendos për masat disiplinore të propozuara nga ILD për prokurorë. Nga ana tjetër kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë vlerësoi se puna e z. Metani në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar është impresionuese, dicka që e ka konstatuar vetë, me pjesëmarrjen në Konferencën Ndërkombëtare të Shërbimeve eurpiane të Inspektimit të Drejtësisë, që organizoi ILD vitin e kaluar në Tiranë, për të folur mbi pavarësinë e magjistratëve.

Në takimin në Gjykatën e Lartë, z. Straudo i shoqëruar nga z. Metani u prit nga kryetari z. Sokol Sadushi dhe anëtarët z. Ilir Panda e z. Ervin Pupe.

Z. Sadushi pasi bëri një prezantim të Gjykatës së Lartë, u ndal tek roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që e veçoi si institucionin më të fuqishëm të sistemit, për shkak të kompetencave që i ka dhënë kushtetuta, e duke vlerësuar marrëdhënien profesionale me ILD-në.

Në këto takime z. Christophe Straudo vlerësoi mbështetjen e institucioneve shqiptare për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe kontributin e ILD-së për paanshmërinë e sistemit të drejtësisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës, si gur themeli në rrugëtimin e Shqipërisë drejt antarësimit në BE. Presidenti i RESIJ nënvizoi se ILD me statusin e vëzhguesit është shumë prezent në Rrjet dhe angazhohet duke sjellë kontributin e vet dhe në këtë kontekst, brenda RESIJ nuk ka dallime mes shteteve anëtarë të BE-së dhe shteteve kandidate të BE-së. Nga ana tjetër, z. Straudo nënvizoi se Franca dhe Rrjeti Europian i Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë do të vijojnë të jenë mbështetës për ILD-në.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Metani vlerësoi bashkëpunimi me RESIJ është një eksperiencë shumë e mirë profesionale për ILD-në, ndërsa evidentoi përpjekjet e institucionit që drejton, për të vendosur çdo ditë norma pune, që në pamje të parë mund të duhen të thjeshta, por që padyshim i shërbejnë të ardhmes, një sistemi drejtësie që i shërben qytetarëve, me standartet më të mira të së drejtës. Edhe vizita e z. Straudo, sipas z. Metani i shërben kësaj filozofie pune të ILD-së.