Bajram Curri, më 8 qershor 2023
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani u bë pjesë e aktivitetit edukativ të nxënësve të shkollës “Besëlidhja e Malësisë”, në qytetin e Bajram Currit.
Aktiviteti është pjesë e synimit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për nxitjen e edukimit ligjor edhe në arsimin parauniversitar, një proces që ka filluar në auditorët e studentëve të drejtësisë së universiteteve publike në vend.
Nxënësit e klasave të 9-a të kësaj shkolle, që kremton këtë vit 100 vjetorin e saj kishin përgatitur një kazus ligjor, të cilin e debatuan të ndarë në dy grupe, rreth influencave, që sigurohen nga pozita shoqërore përballë të drejtës në gjykatë. Me role debatuesish, nxënësit paraqitën argumentime mbi të drejtën ligjore, morale, etike e praktike dhe mësimet e nxjerra, se të bësh gjënë e duhur është zgjedhja më e mirë, edhe kur janë mundësitë për përfitim të padrejtë.
Duke i përgëzuar nxënësit për përgatitjen, argumentat e fortë dhe debatin dinamik, Inspektori i Lartë i Drejtësisë iu përgjigj pyetjeve të tyre mbi punën e ILD-së dhe kontributin e shoqërisë për një shtet të së drejtës. Z.Metani veçoi konkluzionin e përcjellë nga debati, pikërisht edukimin mbi luftën ndaj padrejtësisë dhe këmbënguljen për të marrë drejtësi larg çdo lloj ndikimi, si një proces sfidues për çdo shoqëri, por edhe një detyrë qytetare. ”Drejtësia para se të jetë një dokument apo ligj, që e lexon dhe zbaton gjyqtari e prokurori është së pari një vlerë shoqërore “,- u shpreh Inspektori i Lartë i Drejtësisë. “Nëse ti je i ndershëm dhe jep kontributin tënd për një shoqëri me kulturën e drejtësisë, atëherë reagimi yt dhe i shoqërisë do jetë i fortë ndaj padrejtësive. Kur ti nuk do të pranosh të përfitosh padrejtësisht diçka të pamerituar, atëherë padyshim që do të luftosh, që edhe të tjerët mos të jenë përfitues të gjërave që nuk u takojnë.”
Z. Metani i shoqëruar nga anëtarë të Zyrës së ILD-së vizitoi ambientet e klasës-muze të shkollës dhe bashkëbisedoi me stafin pedagogjik mbi punën e ILD-së dhe shkëmbeu pikëpamje e ide për edukimin që në bankat e shkollës të nxënësve, me kulturën e të drejtës dhe angazhimin qytetar kundër padrejtësisë.
Gjatë kësaj vizitë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë pati edhe një takim informal me drejtues të pushtetit vendor ku u bisedua për perspektivat e zhvillimit të qytetit dhe mundësive që ofrohen për të rinjtë.