INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË MERR PJESË NË ASAMBLENË VJETORE TË RESIJ

Sofje, 21 Qershor 2023

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani zhvilloi një vizitë pune në Sofje të Bullgarisë, ku mori pjesë në mbledhjen vjetore të Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ), pjesë e të cilit, me statusin e vëzhguesit është prej dhjetorit 2021 edhe Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Në pjesën e parë të punimeve, u paraqit një raport studimor krahasues i shërbimeve të Inspektimit të Belgjikës, Bullgarisë, Francës, Italisë, Portugalisë, Rumanisë, Spanjës dhe Shqipërisë, i përgatitur mbi fushën e kontrollit dhe administrimit të drejtësisë, të secilit nga vendet përkatëse, me konstatimet e ngjashmërive dhe të veçantave, si dhe perspektivat e bashkëpunimit e prioritetet e RESIJ brenda dhe jashtë Rrjetit.

Në pjesën e dytë të punimeve, Asambleja e përgjithshme e RESIJ bëri një vlerësim të situatës politike, administrative e financiare të Rrjetit dhe miratoi ndryshimet në Statut, lidhur me organizimin e brendshëm. Në këtë mbledhje, anëtarët zgjodhën kryesuesin e ri të RESIJ, Rumaninë, e cila pasoi në drejtim Francën, themeluese dhe kryesuese e Rrjetit prej fillimit.

Në diskutimet e tyre, anëtarët vlerësuan se me ndryshimet e reja në Statut, Rrjeti Evropian i Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë forcoi strukturën e vet, si një mekanizëm premtues për zhvillimin e vlerësimeve publike evropiane ose të inspektimeve për llogari të instancave evropiane dhe ndërkombëtare. Nëpërmjet vlerësimeve, duke kombinuar qasjet në terren dhe të dhënat krahasuese, RESIJ ka ditur të pozicionohet në rolin e një pale të tretë të besuar publike. Aktivitetet e kryera si për llogari të Komisionit të Bashkimit Evropian (DG Just- Departamenti për Drejtësinë i Komisionit Evropian), ashtu edhe të Këshillit të Evropës (CEPEJ), prej 5 vitesh e dëshmojnë këtë.

Sipas parimit të rotacionit mes vendeve pjesëmarrëse, Asambleja e ardhshme e RESIJ do mbahet në Tiranë më 14 – 15 Dhjetor 2023.

***

Gjatë vizitës së punës në Sofje, Inspektori i Lartë i Drejtësisë bashkë me kolegët e RESIJ morën pjesë në konferencën e organizuar me rastin e 15 vjetorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë Gjyqësor të Bullgarisë, ku magjistratë vendas referuan mbi zhvillimin historik, zgjerimin e kompetencave dhe arritjet e praktikat e mira të Inspektoratit bullgar, ndërsa magjistratë të tjerë evropianë, paraqitën modele të inspektimit të drejtësisë në vendet e tyre, qasjet e ndryshme por rregullat e përbashkëta, lidhur me metodat e kryerjes së inspektimeve dhe vlerësimin e aftësive e përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.