E nderuar kryetare e Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Për sa vërehet nga raporti i punës së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2022, rezulton se institucioni që drejtoj ka patur një vit shumë dinamik, si në drejtim të verifikimit të ankesave ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, hetimit disiplinor e inspektimeve tematike, të cilat i kemi patur në fokus, edhe në raport me rekomandimet e rezolutës së miratuara nga ana Kuvendit për vitin e kaluar, por edhe bashkëpunimin me institucione apo organizata brenda dhe jashtë vendit.
Duke shmangur një retorikë të mbështetur në shifra apo analizë, pasi ato janë të pasqyruara në mënyrë të detajuar në raport, sot nëpërmjet këtij procesi raportimi do të doja të shfrytëzoja këtë mundësi, për të komunikuar me ju, jo vetëm mbi disa çështje, që besoj shumë se kanë qenë një pikë e fortë e veprimtarisë së ILD-së gjatë vitit të shkuar, por edhe mbi disa reflektime, që mund dhe duhet të gjejnë zgjidhje në të ardhmen.
Gjatë vitit 2022, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vijuar punën me trajtimin e praktikave dokumentare apo të ankesave të trashëguara pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me qëllim uljen e backlogut të krijuar si pasojë e periudhës kalimtare të ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë. Gjatë kësaj periudhe janë trajtuar edhe ankesat e reja të cilat janë depozituar pranë Zyrës së ILD-së si nga ana e qytetarëve ashtu edhe nga ana e institucioneve publike.
Trajtimi i këtyre praktikave (praktikat dokumentare pjesë të backlogut si dhe ankesat e reja) është realizuar në përputhje me një metodologji të bazuar në parimet e ligjshmërisë, barazisë dhe efikasitetit. Aplikimi i kësaj metodologjie ka pasur si qëllim si shmangien e kulturës së harresës dhe të pandëshkueshmërisë te magjistratët në lidhje me ankesat e vjetra të dorëzuara nga ana e qytetarëve pranë institucioneve të mëparshme, ashtu edhe plotësimin e pritshmërive të tyre në raport me ankesat e reja të paraqitura.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar unifikimit të akteve të hartuara nga ILD si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Synimi kryesor ka qenë dhe mbetet aplikimi i standardeve të njëjta dhe transparente si në kuadër të verifikimit të ankesave apo pretendimeve të bëra publike, ashtu edhe gjatë zhvillimit të procedurave të hetimit disiplinor ndaj magjistratëve. ILD ka pasur si synim, gjithashtu, të promovojë praktikat më të mira në interpretimin dhe zbatimin e legjislacionit. Në mungesë të një praktike të konsoliduar administrative si dhe gjyqësore, institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka luajtur një rol të rëndësishëm lidhur me interpretimin dhe zbatimin e legjislacionit të ri mbi përgjegjësinë disiplinore të magjistratëve.
Në të njëjtën kohë, ILD gjatë vitit 2022 ka pasur si synim ushtrimin në mënyrë sa më të plotë dhe profesionale të kompetencave të veta me qëllim krijimin e një sistemi drejtësie llogaridhënës, funksional e të mbështetur jo vetëm në standardet e përgjegjshmërisë apo përgjegjësisë, por edhe atë të pavarësisë. Ky është një proces shumë delikat, me rëndësi dhe nuk ka qenë i lehtë, pasi sistemi i përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së magjistratëve duhet të funksionojë duke ruajtur një ekuilibër të drejtë apo balancë ndërmjet interesit të publikut për t`u njohur me administrimin e drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët dhe pavarësisë së këtyre magjistratëve.
Sistemi i përgjegjshmërisë apo ai disiplinor duhet të luajë pikë së pari një rol parandalues nëpërmjet identifikimit të çdo problematike në funksionimin ose jo të sistemit të drejtësisë, si dhe miratimin e rekomandimeve për përmirësimin e tyre. Ky sistem kontrolli nuk duhet të shërbejë asnjëherë si një mjet presioni mbi veprimtarinë e punës së magjistratëve, por si një mjet i rëndësishëm për të matur eficiencën dhe cilësinë e veprimtarisë së punës së tyre, profesionalizmin apo të ndihmojë në rritjen e cilësisë së vendimmarrjes së magjistratëve.
Në kuadër të kësaj fryme është ushtruar edhe veprimtaria e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Krahas trajtimit të rasteve individuale, nëpërmjet zhvillimit të procedimeve disiplinore, të cilat janë aplikuar vetëm në raste të veçanta dhe si mjete të jashtëzakonshme lidhur me veprimtarinë e magjistratëve, një vëmendje e shtuar i është kushtuar edhe qasjes parandaluese dhe rolit ndihmës që ILD mund të luajë për të ngritur kapacitetet e pushtetit gjyqësor. Institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë gjatë vitit 2022 i ka kushtuar një rëndësi të veçantë zhvillimit të inspektimeve tematike dhe planifikimit të tyre. Ky proces inspektimesh tematike dhe institucionale po vijon edhe gjatë këtij viti. Ky proces ka sjell rezultate konkrete dhe të matshme. Zhvillimi i inspektimeve tematike, apo iniciimi i procedimeve disiplinore në raste të caktuara, ka sjellë si pasojë një kujdes të shtuar nga ana e magjistratëve për të zbatuar drejtë legjislacionin apo institute të së drejtës dhe për rrjedhojë ka rritur edhe cilësinë e vendimmarrjes së tyre.
Megjithatë, paraprakisht vlerësoj se ka shumë për të bërë! Viti 2022 ka qenë një vit, përgjatë të cilit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka ushtruar gjerësisht kompetencat e tij për të rritur efikasitetin e rolit të tij dhe rrjedhimisht dhe atë të pushtetit gjyqësor. Standardet e vendosura gjatë procesit të trajtimit të ankesave, të zhvillimit të hetimeve dhe procedimeve disiplinore; kryerja e inspektimeve tematike; rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e inspektimit gjyqësor; organizimi i aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare për shkëmbim përvojash në inspektimin gjyqësor, janë disa nga gurët solidë të themelit, në këndvështrimin tim, të punës që Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë po ngre duke patur parasysh një zgjidhje afatgjatë të problematikave të sistemit të drejtësisë dhe jo duke u fokusuar në problematika apo interesa të çastit.
Për të arritur në qëllimin për të cilin u konceptua dhe u miratua reforma në drejtësi, për të arritur që të jetojmë me vlerat e kushtetutshmërisë dhe të shtetit të së drejtës, të gjithë ne duhet të bashkëpunojmë. Padyshim, e them këtë jo vetëm në kuptimin e gjerë të fjalës, të kultivimit të së drejtës si një vlerë shoqërore dhe politike, të kultivimit të së drejtës si standard dhe jo statistikë. Por, në një kuptim më të ngushtë, të gjithë ne duhet të analizojmë dhe bashkërendojmë metodat e kontrollit dhe të vlerësimit të institucioneve të drejtësisë.
Kjo duhet të realizohet nëpërmjet takimeve periodike; shkëmbimit të eksperiencave; unifikimit të metodave dhe praktikave më të mira në përputhje me standardet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës; krijimit të mekanizmave juridik, administrativ apo dhe praktik të bashkëpunimit ndërmjet organeve të drejtësisë. Në këtë kuadër, ILD gjatë vitit 2022 ka vijuar bashkëpunimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Ministrinë e Drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, kjo kërkon një proces konsultues të koordinuar dhe aplikimin e një qasje më të gjerë koordinimi apo mekanizëm mbikëqyrje, analize dhe hartimi plani veprimi për secilin institucion në nivel sistemik dhe strategjik.
Gjatë vitit 2022, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vijuar të mbajë si prioritet të qëndrueshëm transparencën me publikun, përmes një ndërveprimi me qytetarët, si përmes pasurimit informativ të faqes së internetit të ILD-së ashtu edhe angazhimit të Sektorit të Ndihmës Juridike dhe Ankesave. ILD në kuadër të vlerësimit të informacionit të bërë publik në media, denoncimeve të bëra nga publiku apo edhe të dhënave të siguruara gjatë ushtrimit të funksionimit, ka luajtur një rol proaktiv për sa i përket vlerësimit dhe trajtimit të rasteve ku është pretenduar për shkelje të mundshme disiplinore të kryera nga magjistratët.
Gjatë vitit 2022 ILD ka pasur si synim gjithashtu përdorimin e teknologjisë së informacionit për të lehtësuar procesin e trajtimit të praktikave dokumentare si dhe veprimtarinë e punës së Zyrës së ILD-së. Përfundimin e procedurave të rekrutimit të inspektorëve jomagjistratë pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe rritjen mëtejshme e kapaciteteve profesionale të inspektorëve.
Të nderuar deputetë,
Së fundi, dua të theksoj, se Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ka qenë i vëmendshëm, ka studiuar dhe ka referuar, zgjidhur, plotësuar dhe vendosur në objektivat e veta për të ardhmen, çdo pikë të rezolutës, që ky organ ka besuar dhe ka zgjedhur të na e transmetojë, nëpërmjet një akti të miratuar në këtë sallë.
Sot pres me interes dhe jam i vëmendshëm ndaj çdo vendimmarrje tuajën, lidhur me ato, që ju i rekomandoni, si sfida të vitit që vjen. Por jo vetëm!
Ju siguroj që jam dhe do jem i vëmendshëm ndaj çdo diskutimi tuaj, të secilit prej jush, me qëllim që të mund të kuptoj edhe më shumë, përtej asaj që do të miratoni në rezolutën tuaj, si akt i këtij Kuvendi. Unë besoj, se secili prej jush, nëpërmjet fjalës së vet, apo qoftë edhe debatit mes jush, mund të kontribuojë që të na bëjë të kuptojmë, nëse ka çështje të tjera, që mund të na sillen në vëmendje.
Këto seanca ne Kuvend, i konsideroj domosdoshmëri, jo vetëm ligjore e kushtetuese, por mund dhe duhet të shërbejnë, si një hapësirë e madhe debati, një mundësi e vyer për ofrimin e tezave për përmirësimin e performancës së institucionit. Kjo pasi në këndvështrimin tim, zbatimi i reformës në drejtësi nuk është dhe nuk duhet të jetë një betejë vetëm e institucioneve të drejtësisë, por edhe e institucioneve të tjera, e më tej gjithë shoqërisë. Respektimi i parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve duhet të transmetohet tek qytetarët, si një vlerë themelore e shtetit të së drejtës në një shoqëri demokratike.
Ju faleminderit!
***
Deputetja znj. Albana Vokshi: Pyetja e parë, strukturat e rivlerësimit kanë sjellë pranë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë një numër të konsiderueshëm çështjesh për vlerësim, bazuar në verifikimet që kanë kryer ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nga ana tjetër është vënë re një numër minimal çështjesh të raportuara si të përfunduara nga ana e Institucionit tuaj. Për cilat arsye është kjo situatë proporcionale mes rasteve të referuara pranë jush dhe inspektimeve të përfunduara. Pyetja e dytë, Institucioni i Komisionerit Publik ka kërkuar pranë Kolegjit të Posaçëm të apelimit të nis veprim administrativ për mosveprim të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, për rastin e një ish gjyqtareje të gjykatës së Lartë. Si është fryma e bashkëpunimit mes dy institucioneve, nëse ka përplasje mes dy institucioneve të reja të drejtësisë? A i shërben kjo interesit më të madh publik? Pyetja e tretë, aktiviteti i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, ashtu edhe i Këshillit të Lartë Gjyqësor, apo të ndonjë institucioni tjetër të krijuar pas reformës në drejtësi, karakterizohen shpesh herë nga mungesa e transparencës. Dua t’ju rikujtoj se të gjitha institucionet në fakt duhet të jenë në shërbim të publikut dhe ju pyes për standarde të ndryshme që ndiqen nga ana e institucionit tuaj. Në rastet e raportimeve mediatike për shkeljet e pretenduara nga gjyqtarë apo prokuror i publikoni nëse keni nisur verifikime dhe inspektime ndërsa në raste të tjera tregoheni më hermetik dhe nuk bëni publik asnjë rezultat konkret për këto inspektime. Pse ky trajtim i diferencuar, pse nuk bëhen publike, në fund të fundit e përsëris duhet ti shërbejnë publikut dhe institucionet duhet të jenë transparente. Pyetja e fundit, para disa ditësh gjykata ka vendosur ndryshimin e masës së arrestit për ish ministrin Sajmir Tahiri, si e vlerësoni ju këtë vendim pse nuk bëhet publik raporti mjekësor për bashkëshorten i cili u mor në konsideratë për ndryshimin e dënimit në arrest shtëpiak. A ka nisur qoftë dhe kryesisht ILD-ja inspektim për këtë çështje? Nëse Gjykata e lartë e dënon për grup të strukturuar kriminal, çfarë ndodh me Sajmir Tahirin, sepse dënimi do të jetë më i rëndë, për pasojë edhe vendimi që e nxori nga qelia duhet të bjerë. Faleminderit.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani: Faleminderit për pyetjet zonja Vokshi. Në lidhje me pyetjen e parë, sipas një informacioni që kam bërë në prill të vitit 2023, të dhënat janë 39 raste të referuara nga organet e rivlerësimit 27 raste të proceduara apo të trajtuara nga Inspektori i Larët i drejtësisë.
Në lidhje me pyetjen e dytë për Komisionerin Publik. Fryma e bashkëpunimit ndërinstitucionale është korrekte dhe në përputhje me ligjin. Ajo që vërej është… padyshim që institucionet e reja janë ngritur dhe po zbatojnë një kuadër kushtetues dhe ligjor të ri edhe padyshim që zbatimi i këtyre nocioneve, instituteve apo koncepteve të reja do sjelli edhe debat nëpërmjet institucioneve, i takon në fakt organeve të rivlerësimit që të prodhojnë jurisprudencë, të prodhojnë mendim në lidhje me këto raporte apo këto debate dhe jo përplasje mes institucioneve. Pa dyshim ka debate juridike për këto çështje, unë e shoh si gjë pozitive që i shërben jo vetëm institucioneve, por tek e fundit dhe interesit publik, sa më shumë debate juridike të ketë nëpërmjet institucioneve, jo në media, aq më mirë është për zhvillimin e institucioneve dhe frymës e të cilën u miratua edhe reforma dhe vazhdon puna e institucioneve.
Në lidhje me pyetjen e tretë. Në fakt të them të drejtën transparencën e konsideroj si pikë të fortë të ILD-së dhe për disa nga komentet do të kisha një mendim tjetër, por megjithatë për të qenë korrekt me ju dhe me pyetjen, çdo inspektim që është bërë nga ILD është sot në faqen e internetit që në momentin që është miratuar, inspektimet tematike flas. Çdo rast i nisur për shkak të raportimeve në media dhe që është proceduar nga këshillat padyshim është publik sepse seancat në këshill janë publike. Për çdo rast për të cilat ILD është shprehur se ka nisur verifikim, besoj këto duhet të jenë 4 ose 5, vetëm në një rast ILD nuk ka kthyer përgjigje për gjetjet e hetimeve apo verifikimeve të rastit, në të gjitha rastet kemi dhënë raport për çështjet si e kemi përfunduar në këtë rast ka qenë gabimi ynë me thënë të drejtën, por ka qenë një rast sporadik.
Në lidhje me pyetjen e fundit, atëherë Inspektori i Lartë i Drejtësisë së pari operon me ankesa, kjo është forma kryesore. Çdo qytetar, çdo institucion publik, çdokush që ka pretendime për sjellje të magjistratit në një mënyrë të caktuar në kundërshtim me ligjin mund ti bëjë ankesë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, dhe kjo është në këndvështrimin tim mënyra më e shëndetshme që i shërben sistemit, sepse vetëm kështu mund të kontrollohet edhe vendimmarrja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke ankimuar vendimmarrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në këshillat përkatës. Ka një mënyrë të dytë që e parashikon ligji, që në raste të veçanta ILD mund të vihet në lëvizje edhe kryesisht për shkak të njoftimeve në media, padyshim kjo s’mund të jetë pjesa kryesore e punës së ILD-së. ILD vihet në lëvizje për ato raste që ILD vlerëson se mund të përbëjë shkak apo material për punën e tij, kjo ishte pak a shumë mënyra sesi funksionon ILD. Në rastin konkret, nuk ka një inspektim të nisur nga ana e ILD, por nuk ka asnjë ankesë të paraqitur pranë ILD.