NJË MEKANIZËM MBIKQYRJE NGA KUVENDI, I NEVOJSHËM PËR MATJEN E PERFORMANCËS SË INSTITUCIONEVE TË DREJTËSISË

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani paraqiti para deputetëve të kuvendit punën e bërë nga institucioni gjatë vitit 2022.

Në fjalën e tij, z. Metani e ka vënë theksin edhe tek kontributi si institucion tek sistemi i drejtësisë.

Viti 2022 ka qenë një vit, përgjatë të cilit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka ushtruar gjerësisht kompetencat e tij për të rritur efikasitetin e rolit të tij dhe rrjedhimisht dhe atë të pushtetit gjyqësor. Standardet e vendosura gjatë procesit të trajtimit të ankesave, të zhvillimit të  hetimeve dhe procedimeve disiplinore; kryerja e inspektimeve tematike; rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e inspektimit gjyqësor; organizimi i aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare për shkëmbim përvojash në inspektimin gjyqësor, janë disa nga gurët solidë të themelit, në këndvështrimin tim, të punës që Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë po ngre duke patur parasysh një zgjidhje afatgjatë të problematikave të sistemit të drejtësisë dhe jo duke u fokusuar në problematika apo interesa të çastit.”

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve, por edhe angazhimin e të gjithëve për zbatimin e saj, si një kontribut për gjithë shoqërinë.

Kjo duhet të realizohet nëpërmjet takimeve periodike; shkëmbimit të eksperiencave; unifikimit të metodave dhe praktikave më të mira në përputhje me standardet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës; krijimit të mekanizmave juridik, administrativ apo dhe praktik të bashkëpunimit ndërmjet organeve të drejtësisë. Në këtë kuadër, ILD gjatë vitit 2022 ka vijuar bashkëpunimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Ministrinë e Drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, kjo kërkon një proces konsultues të koordinuar dhe aplikimin e një qasje më të gjerë koordinimi apo mekanizëm mbikëqyrje, analize dhe hartimi plani veprimi për secilin institucion në nivel sistemik dhe strategjik.” tha z. Metani.