Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi propozimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për masën disiplinore “shkarkim nga detyra” ndaj magjistratit S.H., në kohën e shkeljes disiplinore, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për shkeljen e parashikuar nga neni 148/d, pika 2, shkronja “b” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nga neni 104 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Sipas raportit hetimor të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, magjistrati S.H. është gjetur fajtor nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për kryerjen e veprës penale të “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, dhe “Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave private të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër, që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe është dënuar me 2 vjet e 4 muaj burgim.
Nga ana e magjistratit subjekt hetimi disiplinor, rezulton se janë ndërmarrë veprime të cilat janë vlerësuar se përmbajnë elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, të kryera gjatë ushtrimit të detyrës dhe me qëllim përfitim të padrejtë prej saj, duke favorizuar një palë ndërgjyqëse nëpërmjet dhënies së vendimit. Prokurori S.H. ka diskredituar rëndë figurën, autoritetin, dinjitetin e magjistratit dhe ka ulur besimin e publikut tek dhënia e drejtësisë.
ILD konkludoi në hetimin e vet, se veprimet e magjistratit përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore dhe kërkoi nga Këshilli i Lartë Prokurorisë pranimin e kërkesës për caktimin e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” për prokurorin S.H., kërkesë që u miratua.