INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË FINALIZON PLANIN E INTEGRITETIT TË INSTITUCIONIT

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në bashkëpunim me Qendrën Europiane, të mbështetur nga Komiteti i Helsinkit, ka hartuar Planin e Integritetit të institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2023-2024.

Draft-dokumenti u diskutua gjatë një takimi pune me ekipin e zyrës së ILD-së, ku sekretarja e përgjithshme e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë znj. Dëshira Pasko evidentoi se Plani i Integritetit do të shërbejë si një dokument i brendshëm me karakter udhëzues, në të cilin janë përcaktuar objektivat për forcimin e etikës dhe integritetit, që do të udhëheqin punonjësit e zyrës së ILD-së, gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre në përmbushje të detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara në kuadrin ligjor dhe aktet e brendshme të ILD-së. “Njëkohësisht përmirësimi i performancës, rritja e transparencës e llogaridhënies, integriteti dhe profesionalizmi në ushtrimin e detyrave, kontribuojnë në përmirësimin e imazhit të institucionit dhe rrjedhimisht, në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucionit dhe sistemit të drejtësisë. “, tha mes të tjerash znj. Pasko.

Pas prezantimit të Planit të Integritetit nga ekspertja ligjore znj. Eda Nocka, diskutimet u fokusuan tek objektivat dhe masat e këtij plani, që i shërben institucionit për identifikimin, vlerësimin dhe parandalimin e tërësisë sё rreziqeve, që cënojnë integritetin e institucionit dhe individëve që punojnë në të, si dhe është një dokument pune ku përcaktohen masa konkrete për trajtimin e risqeve të integritetit dhe arritjen e objektivave strategjike dhe specifike tё institucionit.

“Kjo është një nismë e përbashkët mes Qendrës Europiane dhe ILD-së, mbështetur nga Komiteti i Helsinkit përmes fondeve të qeverisë Suedeze, e cila vjen si produkt i parë në kuadër të një Marrëveshjeje Mirëkuptimi nënshkruar mes ILD dhe 6 organizatave të shoqërisë civile në Mars të vitit 2022.”, tha në fjalën e saj drejtorja ekzekutive e Qendrës Europiane znj. Ina Xhepa.

Në emër të Komitetit të Helsinkit, znj. Servete Ceka vlerësoi në fjalën e saj bashkëpunimin shumë të mirë deri tani me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, edhe me mbështetjen për hartimin e Planit të Integritetit në kuadër të projektit “Përmirësimi i përformancës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si një institucion kyç për një gjyqësor profesional në Shqipëri.”

Pas reflektimit të sugjerimeve të bëra gjatë diskutimeve në këtë takim pune, plani do miratohet nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.