METANI-BALLA: BASHKËPUNIM INSTITUCIONAL PËR ANKESAT MBI PUNËN E MAGJISTRATËVE

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani zhvilloi ditën e sotme një takim me Ministrin e Brendshëm z. Taulant Balla.
 
Gjatë takimit, nga ana e Ministrit të Brendshëm u shprehën shqetësime, lidhur me disa vendimarrje të magjistratëve, në kuadër të hetimit apo gjykimit të veprave penale kundër mjedisit.
 
Nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u shpreh angazhimi maksimal i verifikimit të rasteve të tilla, si dhe trajtimi i tyre me prioritet. Z. Metani garantoi se çdo magjistrat që shkel ligjin do të ndëshkohet, në përputhje me parimet dhe rregullat e legjislacionit në fuqi dhe se çdo proces do të zhvillohet në përputhje e respekt për rolin dhe pavarësinë e tyre.
 

Gjatë bashkëbisedimit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Ministri i Brendshëm bashkëndanë vullnetin e dy institucioneve që drejtojnë, për rritjen e bashkëpunimit, duke theksuar nevojën për shkëmbimin e informacioneve apo të dhënave në rrugë zyrtare, mbi sjellje apo vendimmarrje konkrete të magjistratëve, të cilat mund të përbëjnë shkelje disiplinore dhe duhet të trajtohen nga ana e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.