Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka hartuar një plan masash, me qëllim fuqizimin e mëtejshëm të efikasitetit të kontrollit të veprimtarisë së organeve të pushtetit gjyqësor, si dhe garantimin e një sistemi të drejtë e llogaridhënës ndaj magjistratëve.
Në këtë kuadër, Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani dhe Inspektori i Përgjithshëm i ILDKPKI-së, znj. Evgjeni Bashari nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, në qëllimin e përbashkët në forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit e konfliktit të interesave, përmes shkëmbimit të informacionit mbi verifikimin e pasurisë, si dhe rastet e hasura në kushtet e konfliktit të interesave, të gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm, ndaj të cilëve Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në zbatim të funksioneve dhe kompetencave ligjore kryen verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedimit disiplinor.
Në të njëjtën kohë, në aspekt të kryerjes së hetimeve disiplinore dhe inspektimeve institucionale e tematike, e më tej edhe në mungesë të një sistemi të aksesueshëm elektronik të teknologjisë së informacionit për organet e sistemit të drejtësisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerëson si mjet të rëndësishëm sigurimin e të dhënave periodike apo gjenerimin e raporteve statistikore e analitike, të aspekteve të rëndësishme të funksionimit dhe administrimit të gjykatave dhe zyrave të prokurorive.
Për këtë qëllim Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka miratuar vendimin për marrjen e informacionit periodik, çdo 6 muaj, prej datës 10 janar 2024, nga kryetarët e gjykatave dhe drejtuesit e prokurorive në mbarë vendin, mbi gjendjen e faktike të volumit të punës, caktimit të çështjeve, kërkesat për heqje dorë, respektimit të afateve apo problematikave të ndryshme të konstatuara nga gjykatat dhe prokuroritë etj.
Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, e gjeni këtu linku
Urdhëri i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për marrjen e informacionit periodik nga kryetarët e gjykatave dhe drejtuesit e prokurorive lidhur me veprimtarinë gjyqësore dhe veprimtarinë e prokurorive, e gjeni këtu linku