NJË UNIFIKIM I LEGJISLACIONIT EUROPIAN KUNDËR KRIMIT MJEDISOR ËSHTË I DOMOSDOSHËM

Romë, 15 Shtator 2023

Inspektoratet e Drejtësisë të Italisë, Francës, Portugalisë, Rumanisë dhe Shqipërisë u mblodhën në Romë, nga data 13 deri më 15 Shtator, për takimin e radhës të programit studimor të projektit COPEIJ, të Komisionit Evropian, “Bashkëpunimi për Mbrojtjen e mjedisit përmes Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë”, nën kujdesin e Ministrisë së Drejtësisë së Italisë dhe Inspektoratit të Përgjithshëm italian të Drejtësisë.

Pjesëmarrësit u mikpritën e përshëndetën nga ministri i Drejtësisë z. Carlo Nordio e zv. Ministri i Drejtësisë z. Francesco Paolo Sisto, si dhe shefja e Inspektoratit të përgjithshëm të drejtësisë znj. Maria Rosaria Covelli, e cila kryesoi sesionet e tre ditëve të programit. Në përshëndetjen e tij, ministri Nordio, theksoi nevojën që legjislacioni për mbrojtjen e mjedisit, një nga të mirët e kohëve moderne, të bëhet homogjen dhe i balancuar për të gjitha vendet evropiane, natyrisht edhe duke ndërgjegjësuar opinionin publik përmes një komunikimi korrekt, adekuat dhe të plotë.

Eksperienca italiane në drejtim të luftës ndaj krimit mjedisor dhe përpjekjeve ligjore e institucionale për të koordinuar mbrojtjen e mjedisit, u përcoll përmes zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Ambientit dhe sigurisë energjetike, të Gjykatës së Kasacionit, të Prokurorit të Përgjithshëm e magjistratë të antimafias, të Avokaturës së Shtetit, Këshillit të Shtetit, të Shkollës së Lartë të Magjistraturës, përfaqësues të botës akademike, të seksionit të karabinierisë, që merret me mbrojtjen e ambientit dhe të rojes bregdetare, Komisionerit të unifikuar për bonifikimin e landfilleve dhe shoqatës mjedisore “Legambiente”.

Ky cikël programesh studimore është pjesë e aktiviteteve të Rrjetit Evropian të Shërbimit të Inspektimeve të Drejtësisë (RESIJ), pjesë e të cilit është me statusin e vëzhguesit, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe si projekt mjedisor i financuar nga Komisioni Evropian, synon që vendet pjesëmarrëse të identifikojnë çështje kritike dhe praktika të mira në fushën e krimeve mjedisore, për të hartuar më pas propozime dhe zgjidhje konkrete për përmirësimin e situatës mjedisore dhe bashkëpunimin në Evropë.