Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani zhvilloi një takim me një delegacion të Këshillit të Lartë Gjyqësor të Bullgarisë, që po zhvillon një vizitë pune në vendin tonë.
Delegacioni bullgar përbëhej nga dy anëtarë të Kolegjit të Gjyqtarëve pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Boyan Magdalinchev dhe znj. Tsvetinka Pashkunova dhe dy anëtarë të Kolegjit të Prokurorëve pranë këtij Këshilli, znj. Kalina Chapkanova dhe znj. Svetlana Boshnakova.
Pasi bëri një prezantim të institucionit që drejton, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vërejti se shkëmbimi i përvojave mes institucioneve është jo vetëm i rëndësishëm, por edhe i nevojshëm.
Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor të Bullgarisë e njohën z. Metani me diskutimet për një reformë në sistemin e drejtësisë në vendin e tyre dhe modele të ndryshme që po debatohen, përfshi edhe sistemin e inspektimit të magjistratëve.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë iu përgjigj interesimit të delegacionit të Bullgarisë, mbi aspekte specifike të institucionit dhe sistemit të drejtësisë, duke nënvizuar filozofinë e punës së Zyrës së ILD-së mbi vendosjen e balancës, mes interesit publik për administrimin e drejtësisë dhe pavarësisë së magjistratëve.