Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani zhvilloi një takim me kryetarin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, z. Roland Ilia, që sapo ka marrë detyrën.
Gjatë takimit, z. Metani dhe z. Ilia bashkëndanë vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, lidhur me nevojën reciproke për informacion të përditësuar, administrimin e informacionit për çdo vendimmarrje ndaj magjistratëve prokurorë apo gjyqtarë, në kuadër të procesit të rivlerësimit dhe referime të KPK-së për verifikim ndaj veprimtarisë së magjistratëve.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë vuri në dukje se Zyra e ILD-së ka shqyrtuar çdo rast të përcjellë, me prioritet të lartë, duke kryer verifikimet e nevojshme.