Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani zhvilloi një leksion të hapur me studentë të juridikut e shkencave politike, pjesëmarrës në Akademinë “Citizen in charge” të organizatës “Qëndresa Qytetare”.
Z. Metani mbajti temën “Roli i inspektorit të Lartë të Drejtësisë në arkitekturën e re të sistemit të drejtësisë dhe angazhimi qytetar në shoqërinë e së drejtës.”, duke shpjeguar funksionet dhe sfidat e veprimtarisë së ILD-së, por edhe vizionin e institucionit që drejton, në raport me monitorimin e punës së magjistratëve, verifikimin, hetimin e procedimin disiplinor.
Duke iu përgjigjur interesit të studentëve për aspekte të ndryshme të punës së ILD-së, por edhe për problematika në sistemin e drejtësisë në përgjithësi, z. Metani evidentoi filozofinë e punës së institucionit që drejton, që është gjetja e balancës mes interesit publik, qytetar për mënyrën sesi administrohet drejtësia dhe respektimit të pavarësisë së magjistratëve.
“Të dyja janë njëlloj të rëndësishme, vërejti Inspektori i Lartë i Drejtësisë, së pari duhet të kuptohet që pavarësia e magjistratëve shoqërohet me llogaridhënie. Vetë sistemi duhet të jetë llogaridhënës, sepse pavarësia nuk është privilegj, por është përgjegjësi. Nga ana tjetër, edhe mënyra sesi i jepet zë interesit publik është shumë delikate, pasi sistemi nuk mund të ketë sukses, nëse nuk i krijojmë mjedis demokratik, nëse nuk e mbështesim.”
I pyetur për pritshmëritë dhe ndjeshmëritë e qytetarëve nga reforma në drejtësi, z. Metani nënvizoi sërish rëndësinë që ka të kuptuarit se demokracia dhe sundimi i ligjit janë të lidhura bashkë dhe se përgjegjshmëria qytetare është kontribut për demokratizimin shoqëror.
“Reforma në drejtësi do kohë që të japë efektet e veta. Padyshim që ka elementë pavarësie dhe kjo është e dukshme e duhet inkurajuar. Sepse pavarësi është edhe kur të pëlqen një vendim gjyqësor, por edhe kur nuk të pëlqen. Duhet të mësohemi ta pranojmë këtë. Kjo është kulturë ligjore por edhe demokratike. Nga ana tjetër, sa i takon njerëzve të sistemit, të jesh i pavarur, ka shumë elementë në vetvete, që nisin që nga formimi i përgjithshëm gradual ndër vite, pra investimi me dije që ndihmojnë në plotësimin e figurës profesionale të individit, sepse duhet kuptuar që drejtësia është cilësi.”, tha z. Metani.