I nderuar z. Ambasador Vos,
E nderuar Znj. Llagami!
I nderuar z. Shella,
Të nderuar të ftuar,
Përshëndetje të gjithëve!
Dua ta filloj me një falenderim për zotin Shella dhe qendrën Infocip për ftesën dhe organizimin e këtij aktiviteti dhe mbi te gjitha për hartimin e këtij raporti.
Personalisht, e vlerësoj shumë angazhimin e vazhdueshëm të Qendrës tuaj, në lidhje me monitorimin e veprimtarisë së gjykatave, me fokus të veçantë kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore apo zhvillimin e gjykimeve brenda fateve të arsyeshme, duke dale edhe me një produkt real, me sugjerime konkrete dhe profesionale për këto çështje.
E shoh shumë të rëndësishëm rolin tuaj si shoqëri civile, pasi organizatat e shoqërisë civile luajnë një rol të rëndësishëm në forcimin e proceseve demokratike, konsolidimin e qeverisjes së mirë, respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies. Kjo sipas mendimit tim, duhet bërë jo vetëm me procese monitoruese, jo vetëm nëpërmjet presionit pozitiv ndaj vendimmarrësve dhe drejtuesve të organeve të reja të drejtësisë, jo vetëm me mbikëqyrjen e veprimtarisë dhe kërkimin e përgjegjësive nga këto organe, por roli juaj duhet të shkojë përtej kësaj, me paraqitjen e mënyrave alternative të mbrojtjes së interesave të qytetarëve, me analizat dhe propozime konkrete për adresimin e çështjeve të drejtësisë, me kontribut real në zhvillimin e reformës së drejtësisë në Shqipëri. Kjo pasi unë mendoj se reforma në drejtësi, por dhe në përgjithësi drejtësia si vlerë shoqërore nuk mund te jetë betejë, vetëm e institucioneve të drejtësisë. Padyshim që ato kane rolin dhe përgjegjësinë me të madhe. Por standardet e drejtësisë, të shtetit dhe të sensit të së drejtës duhen kultivuar nga të gjithë ne, institucionet e drejtësisë, politika, media e shoqëria civile.
Në këtë kuadër e shoh dhe e vlerësoj edhe raportin e përgatitur dhe të paraqitur në këtë tryezë.
Nga ana tjetër efiçenca e sistemit gjyqësor është një çështje delikate dhe e rëndësishme, jo vetëm në planin kombëtar, por edhe në rrugën drejt integrimit në BE. Progresi i reformës në gjyqësor është i lidhur ngushtësisht me progresin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si një nga prioritetet kyçe të vendit. Shqipëria është në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit në BE, ku përfshirja e të gjithë aktorëve është thelbësore. Pushteti gjyqësor dhe reformimi i tij është një nga sfidat më të mëdha që ka Shqipëria. Në këtë kuadër gjej rastin të falenderoj edhe Ambasadën Hollandeze për mbështetjen që po i jep këtij procesi. Faleminderit Ambasador Vos!
Në Shqipëri aktualisht është duke u zbatuar reforma në drejtësi. Kjo reformë ka për qëllim ngritjen e një sistemi drejtësie të besueshëm, të drejtë, të pavarur, profesional dhe të orientuar drejt shërbimit të hapur, të përgjegjshëm dhe efiçient, i cili të gëzojë besimin e publikut. Procesi i jetësimit praktik të reformës, ka qenë dhe mbetet një sfidë thelbësore.
Masat të cilat janë marrë dhe po ndërmerren në kuadër të gjykimit brenda afateve të arsyeshme, nuk duhet të jenë vetëm në kuadër të procesit legjislativ, por nevojiten masa dhe mjetet e duhura për ndryshimin e gjendjes faktike, me qëllim që ligjet të zbatohen dhe gjykatat e të gjitha niveleve të funksionojnë normalisht. Ne kemi detyrimin që të organizojmë sistemin ligjor për të garantuar respektim të kushteve të parashikuara në nenin 6§1 të KEDNJ-së, si dhe të aplikojmë një sërë masash efektive, në mënyrë që të garantohet e drejta për të marrë një vendim përfundimtar brenda një afati të arsyeshëm.
Disa metoda në aspektin administrativ mund të zbatohen nga vetë gjykatat, për të nxitur përkohësisht përshpejtimin e gjykimit të çështjeve. Një tjetër mekanizëm për rritjen e efiçencës mund të jetë edhe sistemi i vlerësimit të magjistratëve, i cili mund t`i nxisë në mënyrë të vazhdueshme të rrisin performancën, apo rritja e kapaciteteve njerëzore dhe financiare. Megjithatë, vlen të theksohet se mjeti i fundit dhe i jashtëzakonshëm, i cili duhet të aplikohet është procedimi disiplinor i magjistratëve, në lidhje me zhvillimin e proceseve gjyqësore të tejzgjatura.
Në rastin konkret, rezulton prima facie, se pavarësisht afateve të parashikuara në ligjin procedural, këto afate jo gjithmonë janë zbatuar me rigorozitet nga ana e magjistratëve gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Në këtë rast, mosrespektimi i afateve procedurale nga ana e magjistratëve nuk duhet të konsiderohet apriori, si një shkelje e mundshme disiplinore. Për të arritur në konkluzionin nëse nga ana e magjistratëve janë ndërmarrë veprime/mosveprime, të cilat mund të përbëjnë shkelje disiplinore apo veprimi/mosveprimi lidhet me veprimtarinë e tyre profesionale, duhet të analizohen rast pas rasti nëpërmjet një procesi verifikimi apo hetimi disiplinor një sërë çështjesh, të cilat kanë të bëjnë me identifikimin e elementeve faktikë dhe juridikë mbi përgjegjësinë disiplinore të magjistratëve.
Ngarkesa në punë që shoqëron sot magjistratët, që lidhet edhe me procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, është një kriter objektiv, që mbahet parasysh për zhvillimin e proceseve gjyqësore dhe kohën e nevojshme për të arsyetuar vendimet gjyqësore të dhëna, ndaj dhe bazuar në këtë kriter objektiv, koha që i është dashur magjistratëve për të arsyetuar vendimet gjyqësore, i shërben jo vetëm rritjes së cilësisë në aspektin përmbajtësor të vendimit gjyqësor të dhënë në drejtim të palëve ndërgjyqëse, të cilave u drejtohet ky vendim, por edhe forcimit të besimit të publikut për një gjykim të drejtë, ku thelbi i këtij parimi është një vendim gjyqësor i mirëarsyetuar.
Jo në çdo rast mosrespektimi i afateve të përcaktuara nga ana e legjislacionit procedural dhe në mënyrë të veçantë afatet e parashikuara për të dorëzuar brenda një afati të arsyeshëm vendimet e arsyetuara do të konsiderohen si shkelje të mundshme disiplinore. Që këto shkelje të konsiderohen si të tilla, duhet të ketë një mungesë kujdesi dhe operativiteti, aftësie profesionale apo neglizhencë, të tilla që kalojnë “kufirin e të arsyeshmes”, dhe që një sjellje e tillë nuk mund të justifikohet nga ana e magjistratit. Vonesa në arsyetimin dhe dorëzimin e vendimeve përbën shkelje disiplinore, kur përbën rast përsëritës, të rëndë, dhe të pajustifikuar, si dhe në të njëjtën kohë, nuk ka ardhur si pasojë e ndonjë situate, që është jashtë kontrollit të magjistratit dhe që mund të lidhet me mosfunksionimin e sistemit gjyqësor.
Ky ka qenë edhe qëndrimi institucional, që ka mbajtur Inspektori i Larte i Drejtësisë në inspektimin tematik, të kryer disa muaj më parë në Tiranë, në dy gjykata të rëndësishme. Dhe me këtë arsyetim, inspektimi tematik ka rezultuar edhe me disa afate konkrete për zbardhjen e vendimeve gjyqësore, si dhe me verifikime apo hetime për magjistratë të caktuar, në këto dy gjykata. Vlen të theksohet se ky inspektim ishte një fotografim i periudhës, në të cilën u krye inspektimi dhe nuk mund të jetë i zbatueshëm në gjykata të tjera të vendit, apo në periudha të tjera kohore. Gjërat ndryshojnë në gjykata të ndryshme të vendit dhe mund të ketë dinamika në periudha të ndryshme kohore. Por e rëndësishme është të theksohet, se Inspektori i Lartë i Drejtësisë, u ka treguar magjistratëve një metodologji, në të cilën do bazohet verifikimi i punës së tyre, për çështjet që kanë të bëjnë me zbardhjen e vendimeve gjyqësore.
Këto mendime gjykova të ndaj me ju në këtë takim. Shpresoj që ky lloj aktivizmi të vazhdojë edhe nga ju z. Shella, por edhe nga organizata të tjera, për çështje, që i takojnë drejtësisë dhe punës së organeve të saj.
Ju faleminderit!