KLGJ PRANON PROPOZIMIN E ILD PËR MBYLLJE TË PROCEDIMIT DISIPLINOR PËR MAGJISTRATIN M.K.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka mbyllur procedimin disiplinor për magjistratin M.K., gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, bazuar në kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që pasi u njoh me dosjen e procedimit disiplinor, të nisur ndaj magjistratit në vitin 2012, konstatoi se shkeljet e pretenduara kanë ndodhur në vitin 2009 dhe në vitin 2012 janë parashkruar.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka administruar dosjen e procedimit disiplinor ndaj M.K., gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, i përcjellë pranë ILD-së për kompetencë, nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor më datë 30.06.2023, si proces i nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë, bazuar në Urdhrin e Ministrit të Drejtësisë datë 17.07.2012, bazuar në ankesën e një subjekti bankar.

Nga analiza dokumentare e dosjes për identifikimin e elementeve juridike, si dhe fakteve apo rrethanave, ka rezultuar se Ministri i Drejtësisë pas zhvillimit të procesit hetimor ka kërkuar nisjen e procedimit disiplinor dhe i ka propozuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë të vendosë masën disiplinore “Shkarkim nga detyra”. Pas paraqitjes së kërkesave për nisjen e procedimit disiplinor më ish KLD, Ministri i Drejtësisë ka kërkuar pezullimin e kërkesave për procedim disiplinor ndaj magjistratit M.K. Nga ana e tij, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me vendimet e dt. 14.02.2013 dhe 19.07.2013 në mbështetje të nenit 23, të ligjit nr. 8485, datë 12.5.1999 “Kodi i Procedurave Administrative”, ka vendosur pezullimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit.

Pas kërkesës së ILD-së për rishikimin e pezullimit disiplinor të ish KLD-së si gjëndje juridike, që pengon palët të vazhdojnë më tej procedimin disiplinor të filluar, më dt. 30.11.2023, KLGJ vendosi shfuqizimin e vendimeve të ish KLD-së “Për pezullimin e procedimit disiplinor deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor në gjykata më të larta” dhe vijimin e shqyrtimit të kërkesës për procedimin disiplinor ndaj magjistratit M.K. dhe dërgimin e akteve Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Nga praktika dokumentare lidhur me kërkesën për procedimin disiplinor nga ana e Ministrit të Drejtësisë në lidhje me magjistratin M.K. rezulton se shkeljet e pretenduara kanë ndodhur në vitin 2009 dhe në vitin 2012 dhe janë parashkruar. Instituti i parashkrimit shuan të drejtën e organit disiplinor të hetojë dhe të japë vendim për masë disiplinore ndaj magjistratit për shkak të kalimit të një kohe të gjatë nga koha e kryerjes së shkeljes disiplinore, i cili llogaritet nga momenti i kryerjes së shkeljes disiplinore të pretenduar. Në këndvështrimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, respektimi i afatit të parashikuar për kryerjen e procedimeve disiplinore është në funksion të garantimit të parimit të sigurisë juridike dhe kërkoi nga KLGJ në seancën e sotme mbylljen e procedimit disiplinor, të filluar ndaj magjistratit M.K. për shkak të parashkrimit të shkeljeve disiplinore për të cilat ka nisur ky procedim, kërkesë që u pranua nga anëtarët e KLGJ-së.