Vjenë, 13 Dhjetor 2023
Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u bë pjesë e seminarit rajonal mbi proceset e hetimit dhe teknikat e intervistimit hetimor, i organizuar në Vjenë nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) me mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë, me pjesëmarrjen e ekspertëve të zbatimit të ligjit e të drejtës penale nga Evropa Juglindore, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Ukraina.
Inspektorja magjistrate znj. Elena dhe inspektorja jomagjistrate znj. Joana Asimi bënë një paraqitje të rolit dhe funksioneve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe zhvillimin e hetimit disiplinor, në drejtim të procedurës së intervistimit të magjistratëve, dëshmitarëve dhe çdo personi tjetër që mund të ketë informacion rreth fakteve objekt i hetimit disiplinor.
Prezantimi përfaqësueseve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë përfshiu bazën ligjore dhe metodologjinë e parashikuar në legjislacionin shqiptar për zhvillimin e procesit të pyetjes.
Në tre ditët e këtij seminari, pjesëmarrësit do të thellojnë njohuritë profesionale dhe do të ndajnë përvojat e tyre mbi policimin dhe metodat e tjera të zbatimit të ligjit për intervistimin e të dyshuarve, personave të akuzuar, viktimave dhe dëshmitarëve, dhe do diskutojnë mbi zbatimin praktik të metodologjisë së intervistimit hetimor në institucionet e zbatimit të ligjit.