EKIPI I ILD-SË TRAJNOHET MBI ÇËSHTJE TË KONFLIKTIT TË INTERESIT

Njësia e Inspektorëve dhe ajo e ndihmës Inspektorëve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë morën pjesë në trajnimin e targetuar mbi identifikimin dhe adresimin e çështjeve të konfliktit të interesit në kuadrin e hetimit disiplinor, organizuar nga misioni i ekspertëve të Projektit EU4Justice, që asiston ILD-në.

Në fjalën përshëndetëse në nisje të trajnimit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani shprehu vlerësimin për Projektin EU4Justice, një nga partnerët e rëndësishëm ndërkombëtarë, që mbështet ambiciet e ILD-së për trajnimin e vazhdueshëm dhe profesional të ekipit të Inspektorëve e ndihmës Inspektorëve me praktikat më të mira të hetimit disiplinor, në rastin konkret të GJEDNJ-së, mbi çështje të konfliktit të interesit të magjistratëve.

“Identifikimi, adresimi dhe trajtimi i çështjeve të konfliktit të interesit, në kuadrin e hetimit disiplinor mbetet i rëndësishëm për vetë rolin që ka ky proces, që është mbrojtja e interesit publik nëpërmjet hetimit të shkeljeve disiplinore të magjistratëve, tha z. Metani. Funksioni duhet të ushtrohet në mënyrë të ndërgjegjshme, që nënkupton vetëdijen e magjistratit për rëndësinë e të gjitha detyrave dhe përgjegjësive që i janë ngarkuar me ligj, si dhe për pasojat që çdo sjellje e magjistratit ka tek sistemi gjyqësor apo i prokurorisë, por edhe tek zhvillimi i shoqërisë në tërësi. Përmbushja e funksionit me vetëpërmbajtje dhe maturi nënkupton shmangien e çdo sjellje të papërshtatshme, që bie në kundërshtim me ligjin apo me vetë etikën, pasi pjesë e detyrës është edhe mbrojtja dhe forcimi i reputacionit të organeve të drejtësisë dhe besimit të publikut në sistemin gjyqësor.”

Eksperti kryesor i Projektit Z. Álvaro García Pérez-Iraola falenderoi Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për bashkëpunimin e frytshëm, angazhimin e stafit në aktivitetet e ofruara nga Projekti, te cilat kanë për qëllim të rrisin kapacitetet e institucionit, duke ndarë eksperiencat më të mira europiane. Z. Pérez-Iraola solli në vëmendje konceptimin e këtij trajnimi në fushën e trajtimit të konfliktit të interesit në kuadër të hetimit disiplinor, përmes ndërthurjes së aspektit teorik me trajtimin e kazuseve praktike.

Trajnimi dy ditori i zhvilluar nga ish inspektori francez i drejtësisë, magjistrati Vincent Delbos, ndërthuri teorinë me zhvillimin e aftësive praktike, duke nxitur punën në grupe për krijimin e strategjive për menaxhimin efektiv të konfliktit të interesit, nëpërmjet katër rasteve studimore të marra nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe përvoja të tjera ndërkombëtare, lidhur me çështjet e identifikuara të konfliktit të interesit.
Pjesë e sesioneve të trajnimit ishin edhe diskutimi dhe krahasimi i përvojës shqiptare dhe ndërkombëtare mbi rëndësinë dhe pasojat e mosrespektimit të parimeve dhe standardeve të konfliktit të interesit.